Receta me gështenja e arra të pjekura me mjaltë është e duhura për t’u shijuar darkave kur mbështillemi në të ngrohtin e shtëpisë ndërsa jashtë bën ftohtë.

Kur është ftohtë ënda na e ka gjithmonë për të ngrënë diçka të mirë, të shijshme që të ngroh shpirtin, trupin e mendjen.

Gështenjat, arrat dhe mjalti, më të mirat e të mirave që natyra na ka dhuruar.

Sidomos tani kur koha ngryset, e i ftohti kërcënon jashtë xhamave të dritareve shndërrohen në një kombinim të jashtëzakonshëm që plotësojnë në mënyrë fantastike shijen më të mirë të kujtdo.

AgroWeb.org i’u sugjeron më poshtë një recetë të thjeshtë, me shumë shije e mbi të gjitha me plot fuqi shëndetësore në një pjatë të vetme.

Butësia e gështenjave të pjekura, bashkuar me arrat krokante, të zbutura e të ëmbëlsuara nga shija e mjaltit të artë janë një delikatesë e papërshkruar shijeje.

Ndërsa do të shijoni këtë mrekulli, AgroWeb.org i’u mëson gjithashtu edhe për vlerat shëndetësore që do të përfitoni nga kombinimi i këtyre tre super ushqimeve natyrale.

Gështenjat. Janë të pasur me vlera ushqyese. Kjo, falë vitaminave dhe kripërave minerale si kalçium, potas, hekur, magnez etj që këto fruta kanë.

Gështenjat janë më të rekomanduarat për personat që kanë komplikacione shëndetësore nga diabeti, anemia, ndihmojnë në uljen e kolesterolit në gjak, mirëfunksionimin e mëlçisë etj.

Arrat. Janë të pasura me energji dhe vlera ushqyese. Ato janë një burim i shkëlqyer i acideve yndyrore, të cilat ndihmojnë për të ulur nivelin e kolesterolit. Arrat parandalojnë sëmundjet koronare arteriale, duke favorizuar profile të shëndetshme të lipideve të gjakut.

Mjalti. I jep fuqi shëndetit. Mjalti përmban sasi të vogla proteine, folati, vitamine C dhe vitamina të tjera të rëndësishme. Vlerat më domethënëse të mjaltit vijnë nga mineralet që ai përmban.

Si ti përgatisni krejt lehtë në shtëpi

(Sasia e përbërësve përzgjidhet në bazë të personave në familje)  

Për katër persona

400 gr gështenja

150 gr arra të qëruara

Tre lugë gjelle mjaltë

Përgatitja

Pastrojmë gështenjat, me majën e një thike të mprehtë krijojmë nga një prerje të lehtë në dyja anët e secilës gështenjë.

I vendosim në tavë dhe i fusim në  furrën e nxhehur më parë në 250 gradë.

Kujtojmë se pjekja e gështenjave në furrë kërkon rreth 25 minuta kohë.

10 minutat e fundit, bashkoni në tavën e gështenjave që po piqen edhe arrat.

Më pas hiqini nga furra, mbulojini me një pecetë të pastër kuzhine për 15 minuta.

Në fund, hiqni pecetën, spërkatini me mjaltë dhe servirini./AgroWeb.org