Supe Pule me Thërrime – Shije e Ngrohtë Nga Nënat Shqiptare

1.7k 0

Thërrime, Rroshnica apo Dromka. Pavarësisht emrit që ndryshon sipas krahinave të ndryshme, shija e kësaj recete tradicionale shqiptare është e papërshkrueshme.

Supa e pulës me thërrime është përgatitur jetë e mot nga gratë e nënat shqiptare duke trashëguar këtë traditë brez pas brezi.

Kjo supë fantastike, krahas shijes fantastike është ideale për t’u konsumuar gjatë ditëve të ftohta, e sidomos kur na ka prekur gripi apo virozat.

Shoqërohet në mënyrë të shkëlqyer me bukë të thekur, sallata të ndryshme, të freskëta të stinës, ullinj, salcë kosi apo edhe turshi.

AgroWeb.org sugjeron më poshtë përgatitjen e supës së pulës me thërrime, një mënyrë fantastike për të kënaqur nepsin dhe oreksin e familjes dhe më të dashurve.

Si Të Përgatisim Supën me Thërrime

Një pulë ose zog fshati 1 kg

Katër lugë gjelle vaj ulliri

Kripë

Piper

3-4 thelpinj hudhra të shtypura

Një lugë gjelle gjalpë të freskët

Lëngu i kokërr limoni

Për Thërrimet

Në një tas hidhni gjashtë lugë miell dhe pak kripë.

Rrihni dy të verdha vezësh dhe shtojini tek mielli.

Përzjeini miellin me vezët me duar duke e shkoqur me dy pëllëmbët e duarve.

Bëjeni këtë proces derisa i gjithë mielli të shndërrohen në kokërriza të vogla.

Më pas, vendosini thërrime në një tavë që të pushojnë për 20 minuta.

Përgatitja e Supës

Pastroni pulën ose zogun e fshatit dhe ndajeni në copa.

Në një tenxhere, shtoni vajin e ullirit dhe copat e pulës për t’i skuqur për pak minuta nga të dyja anët.

Hidhni pak kripë dhe ujë derisa të mbulohen mirë të gjitha pjesët e pulës duke e lënë që të zjejë për 20 minuta.

Ndërkohë, në një tigan hidhni një lugë gjalpë dhe skuqni thërrimet derisa të zverdhen.

Shtojini në tenxheren ku keni pulën dhe lëngun e saj dhe vendosni sërish në zjarr për të zjerë bashkë derisa supa të mpikset.

Sapo lëngu të jetë mpiksur dhe trashur pak shtoni hudhrat, lëngun e limonit dhe piperin e zi dhe hiqeni nga zjarri.

Kjo supë fantastike e kuzhinës shqiptare serviret e ngrohtë. /AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.