Shëndeti i Syve – 6 Simptoma Që Nuk Duhet T’i Injoroni

Ju ka ndodhur ndonjëherë që sytë t’ju kruhen aq shumë sa ju duket sikur bebja e syve të shkëputet e të bjerë?

Kjo dhe shumë të tjera, janë simptoma të problemeve me sytë që nuk duhen injoruar.

Trajtimi i duhur i problemeve me sytë, ju ndihmon të shmangni komplikacione të rënda, thonë ekspertët e AgroWeb.org

Sipas tyre, njeriu duhet të tregojë kujdes nëse ka dhimbje të syve, probleme me shikimin, rrjedhje, ndjeshmëri ndaj dritës ose ndonjë simptomë tjetër e pazakontë.

Përpara se të shkoni tek mjeku, lexoni këtë udhërrëfyes të AgroËeb.org mbi simptomat e disa problemeve më të përhapura me sytë.

Simptomat:

Skuqje e syve, kruarje dhe lëngëzim

Këto janë simptoma të përhapura të alergjive ndaj polenit, qimeve të kafshëve dhe diçkaje tjetër në ambient që ka rol ngacmues për sytë.

Qëndroni larg burimit të alergjisë dhe merrni një medicament kundër alergjive për të ndaluar reagimin imunitar.

Lëngjet me pika kundër alergjive, qetësojnë inflamacionin dhe largojnë kruarjen.

Mos merrni solucione kundër skuqjes, sepse nuk trajtojnë problemin që në rrënjë.

Simptomat: 

Skuqje të syve, kruarje dhe rrjedhje të një lëngu të trashë nga sytë

Këto janë simptomat e një infeksioni në shtresën e jashtme të syrit. Mjeku mund të përcaktojë nëpërmjet analizave nëse infeksioni është viral apo bakterial.

Nëse infeksioni është viral, atëherë duhet të dini që ai është ngjitës.

Lotët artificial dhe kompresat e ftohta mund të lehtësojnë irritimin dhe enjtjen e syve.

Mjeku mund të përshkruajë solucione antibiotikësh me pika për të përshpejtuar shërimin.

Shkoni menjëherë tek mjeku nëse keni dhimbje të syve, ndjeshmëri ndaj dritës, shikim të tjetërsuar dhe skuqje të tejskajshme.

Simptomat:

Gjendër që shkakton dhimbje në cep të syrit ose nën qepallë

Nëse në cep të syrit ju ka dalë një gjendër ose puçër, atëherë kjo ndodh si pasojë e një infeksioni të qerpikut.

Përdorni një kompresë të ngrohtë për të përshpejtuar rrjedhjen e lëngut të akumuluar.

Mjeku mund të rekomandojë një solucion antibiotik ose të kryejë injeksione kundër enjtjes.

Simptomat

Skuqje dhe përtharje drastike të syve

Përtharja e syve ndodh kur nuk prodhojnë mjaftueshëm lot, ose lotët avullojnë shpesh.

Kjo ndodh kur gjendrat e yndyrës në qepalla janë prekur nga inflamacioni, si pasojë e të vështruarit të një ekrani për një kohë të gjatë pa pulitur sytë.

Mjekët thonë se sytë duhen pulitur çdo katër sekonda, në të kundërt, yndyrnat nuk çlirohen dhe lotët avullojnë.

Nëse ju ka ndodhur që lotët dalin krejt papritur, kjo është një mënyrë e syrit për tu vetëshëruar.

Qëndroni larg ajrit të kondicionuar, shmangni vështrim të fiksuar dhe përdorni lotë artificial.

Acidet yndyrore Omega-3 duhen konsumuar më shumë se u bëjnë mirë syve.

Përtharja e syve nuk duhet injoruar sepse mund të shkaktojë edhe humbje të shikimit.

Simptomat:

Skuqje të syve, përtharje dhe irritim të zonës së qerpikëve.

Këto simptoma vijnë si pasojë e bllokimit të gjendrave të yndyrës.

Përdorni kompresa të ngrohta për të lehtësuar qarkullimin e gjakut.

Përdorni edhe lotë artificialë për të lehtësuar irritimin dhe ndjesinë e djegies.

Simptomat

Skuqje të syve, shikim të mjegulluar dhe dhimbje të fortë në sy

Këto simptoma vijnë kur syri goditet nga diçka e fortë.

Shkoni menjëherë në qendrën më të afërt mjekësore./AgroWeb.org

Si Të Pastroni Furrën Me Uthull Dhe Sodë Buke

Soba është një prej pajisjeve elektroshtëpiake më të përdorura në kuzhinë.

Falë saj mund të gatuajmë ushqime të pjekura nga më të larmishmet dhe më të shëndetshmet.

Por nëse nuk tregojmë kujdes në pastrimin e saj, soba ka tendencën të akumulojë yndyrna dhe papastërti që ngjiten e nuk dinë të shqiten.

Shumë amvisa shqiptare kanë zgjedhje të parë solucionet e forta zbardhuese dhe disinfektuese.

Këto produkte ndoshta mund të largojnë njollat e papastërtive, por toksinat e lëshuara pushtojnë hapësirën e vogël të sobës dhe gjejnë rrugën drejt e në mushkëri.

Amvisat mesa duket harrojnë se përbërësit më të mirë dhe të shëndetshëm të pastrimit janë pikërisht në kuzhinë.

Bëhet fjalë për sodën e bukës dhe uthullën.

Solucioni Ideal Për Pastrimin e Sobës 

Të dyja këto substance nuk përmbajnë kimikate të dëmshme për shëndetin e njeriut.

Ato kanë aftësi pastruese të shkëlqyera dhe me to nuk shpenzon shumë kohë në pastrim.

Në këtë artikull të AgroWeb.org do të mësoni më shumë për mënyrën ideale të pastrimit të sobës.

Përbërësit:

Sodë Buke

Ujë

Doreza

Napa pastrimi

Spatul kuzhine

Shishe spërkatëse

Uthull e bardhë molle ose rrushi

Udhëzimet:

Hapi i parë është që të zbrazni sobën tërësisht si nga zgara ashtu edhe nga çdo pajisje tjetër në brendësinë e saj.

AgroWeb.org ju këshillon të merrni një tas të vogël dhe përzieni gjysëm filxhani çaji me sodë buke me disa lugë gjelle me ujë.

Përziejini së bashku deri sa të formohet një pastë e mirëfilltë.

Shpërndajeni pastën në sipërfaqen e brendshme të sobës duke mos prekur elementët specifikë të nxehtësisë.

Për lyerjen e sobës mund të përdorni doreza plastike.

Gjatë aplikimit të pastës do të vëreni se soda e bukës do të marrë ngjyrë kafe.

Lëreni të qëndrojë për të paktën 8-10 orë.

Gjatë kesaj kohe mund të pastroni zgarën e brendshme të sobës.

Më pas merrni një leckë të lagur dhe përpiquni të hiqni sa më shumë nga pasta e përtharë.

Për hapësira më të ngurta dhe më të thella mund të përdorni një spatula plastike.

Mbushni një shishe spërkatëse plastike me uthull.

Spërkatni të gjithë sobën me uthull dhe do të vëreni se nga ndërveprimi me sodën e bukës do të formohet një shkumë e bardhë.

Përdorni një leckë të lagur dhe fërkoni sërish sobën nga brenda deri sa çdo mbetje e sodës së bukës të jetë zhdukur.

Nëse keni nevojë për më shumë uthull, mund ta mbushni shishen sërish, deri sa soba të shkëlqejë nga pastërtia./AgroWeb.org

Hallvë Me Arra Dhe Lëng Portokalli – Ëmbëlsra e Traditës

Hallva është një recetë tradicionale shumë e vjetër e cila përgatitet në të gjitha familjet.

Ajo ka një shije të veçantë dhe të plotë, e cila të ngop që në kafshatën e parë.

Mënyrat e përgatitjes së hallvës ndryshojnë në saj të përbërësve që amvisat përdorin.

Disa e preferojnë me miell gruri të tjerë me miell misri, gjithashtu disa e përgatisin me sherbet e të tjerë thjeshtë me sheqer.

Pastaj vjen diskutimi i frutave me të cilat gatuhet kjo ëmbëlsirë. Ka shumë persona që e preferojnë me frutat e thata si arra, bajame madje edhe lajthi.

Ndërsa të tjerë me  fruta të thara apo edhe të freskëta.

AgroWeb.org është përpjekur sot t’ju sjellë një recetë të hallvës që mbase nuk e keni provuar, por ju premtojmë që ka shije fantastike.

Përbërësit

2 filxhanë çaj miell misri

1 filxhan vaj ulliri

2 filxhanë sheqer

5 filxhanë ujë

1 filxhan arra ose bajame

2 portokalle mesatare

Kanellë

Përgatitja

Si fillim në tenxhere hidhni ujin, sheqerin dhe kanellën. Përziejeni mirë derisa sheqeri të jetë tretur.

Më pas shtrydhni portokallet dhe lëngun e tyre shtojeni tek tenxherja ku keni sheqerin.

Përziejeni mirë për disa minuta dhe vendoseni në zjarr mesatar.

Lëreni tenxheren në zjarr derisa të shihni që në sipërfaqen e saj fillojnë krijohen bulëza.

Kur të valojë lëreni tenxheren në zjarr për 5 minuta kështu do të krijohet një masë afërsisht si sherbet.

Ndërkohë AgroWeb.org ju këshillon që të përgatisni brumin e hallvës.

Në një tenxhere tjetër ngrohni vajin dhe skuqni aty miellin duke e përzierë me një lugë druri.

Mundohuni që ta përzieni sa më shpesh kështu mielli nuk do të digjet dhe të hidhërojë ëmbëlsirën.

Sapo mielli të ketë filluar të marrë një ngjyrë të artë të fortë ulni temperaturën e zjarrit dhe bashkoni arrat.

Më parë AgroWeb.org ju sugjeron që t’i prisni në copa të vogla ose t’i thërrmoni plotësisht.

Tani e ka radhën sherbet i cili është i ngrohtë, ndaj dhe tregoni kujdes që të mos digjeni.

Ndërkohë që hidhni sherbetin përziejeni masën në mënyrë që të mos ngelet me kokrra të patretura mielli.

Vazhdoni ta përzieni ngadalë në zjarr të ulët derisa të shihni që hallva ka marrë formën e saj karakteristike.

Mund t’ju duhet rreth 15-20 minuta për të gjithë recetën, kjo sepse hallva do pjekur në temperaturë të ulët.

Kur ëmbëlsira të jetë gati ndajeni nëpër pjata duke i dhënë formë vezake përmes lugëve.

Lëreni të ftohet pak dhe mund ta shijoni duke e shoqëruar me reçel portokalli./AgroWeb.org

Laboti i Bardhë – Bima e Veçantë Që Rritet Në Shqipëri

Laboti është një barishte e cila në Shqipëri zakonisht gjen përdorim në recetat e byrekut, sallatave apo supave.

Ai në vendin tonë kultivohet në dy format e tij karakteristike; i egër dhe i butë.

Laboti me gjethe të gjelbër gjendet në florën e egër, kurse ai me gjethe ngjyrë të gjelbër të çelët e deri në të verdhë duhet të kultivohet.

Pikërisht laboti i butë ose siç njihet ndryshe laboti i bardhë, është shpallur nga specialist të fushës si një specie e rrallë.

Laboti Në Shqipëri Gjendet në Dy Forma:

Laboti i gjelbër ose siç njihet Atriplex hortense ssp.viridis Alef, formon kërcell të fortë e të qëndrueshëm.

Ai karakterizohet nga gjethe të gjata e të ngushta, me ngjyrë të gjelbër e deri gjelbër të errët.

Tek kjo formë bimore gjethet vilen duar-duar kur ato kanë arritur madhësinë dhe pjekurinë karakteristike.

Laboti i verdhë ose i bardhë njihet me emrin Atriplex hortense ssp.lutens Alef. Ai formon kërcell të brishtë e gjethe të gjera, me ngjyrë të gjelbër të çelët e deri në të verdhë, tepër të shijshme në ngrënie.

Vjelja e kësaj forme bëhet me shkulje të bimës, kur ajo ka lartësi 20-30 cm dhe masë gjethore të plotë e të butë.

Kjo është forma më e përshtatshme për kultivim në fushë të hapur.

Kultivimi i Labotit

Mbillet në ngastra tarracore të sheshta, me ekspozicion nga dielli, toka të thella e të pasura me lëndë organike, dhe me mundësi ujitjeje.

Mbjellja e labotit të gjelbër bëhet në fund të muajit Prill, vjelja fillon fund të Qershorit dhe vazhdon deri në Tetor.

Laboti i verdhë mbillet duar-duar, gjatë periudhës Mars-Tetor. Prodhimi vjen për t’u vjelë 50-65 ditë pas mbirjes farës.

Kryhen ujitje, plehërime dhe prashitje e bimëve në mes rreshta.

Ka qëndrueshmëri të mirë ndaj sëmundjeve, temperaturave të ulëta dhe të larta.

Jep prodhim të mirë e të qëndrueshëm.

Preferohet për konsum të freskët në familje dhe për tregun lokal.

Laboti gjelbër nuk ka rrezik zhdukjeje, sepse gjendet edhe në florën spontane; kurse i verdhi rrezikohet pasi është i kultivuar dhe vilet me shkulje të bimës./AgroWeb.org

Panxhar i Kuq Dhe Djathë Dhie – Sallata E Shëndetit Të Mirë

Panxhari i kuq është një nga perimet më të vyera për shëndetin e njeriut.

Kjo perime e nëntokës është e dobishme në trajtimin e problemeve me tensionin e lartë të gjakut, anemisë, tretjen, konstipacionin, problemet me veshkat, lëkurën dhe sëmundjet e zemrës.

Panxhari gjithashtu ju ndihmon në përmirësimin e qarkullimit të gjakut, parandalon formimin e perdeve të syrit dhe problemet e frymëmarrjes.

Panxhari i kuq ka shumë vlera shëndetësore. Ai është i pasur me vitamina dhe minerale si magnezi, hekuri, bakri dhe fosfori.

Në këtë artikull do të mësoni se si të përgatisni në shtëpi një nga sallatat më të shijshme me panxhar të kuq.

Kjo sallatë është shumë e shëndetshme dhe e shijshme sepse kombinon më së miri panxharin me djathin e dhisë bashkë me sallatën jeshile dhe arrat e ëmbëlsuara me mjaltë.

Uthulla balsamike, portokalli dhe vaji i ullirit prodhojnë një salcë të ëmbël dhe të athtë që përshtatet shumë me përbërësit e tjerë të sallatës.

Përgatitja e Sallatës me Panxhar e Djathë Dhie në Shtëpi

Përbërësit

4 zhardhokë panxhari të pastruar e të ndarë në copa

Çerek filxhan çaji me arra të copëtuara

1 lugë gjelle me mjaltë

1 tufë me sallatë jeshile

Çerek filxhan çaji me lëng portokalli

Çerek filxhan çaji me uthull balsamike

Gjysëm filxhan çaji me vaj ulliri ekstra të virgjër

200 gramë djathë dhie

Përgatitja

Vendosini zhardhokët e panxharit në një tenxhere me ujë.

Lërini të marrin një valë dhe më pas ziejini për 20-30 minuta.

Kullojini dhe më pas prijini në copa katrore.

Gjatë zierjes së panxharit, arrat kavërdisini në një tigan në një nxehtësi mesatare.

Në momentin që arrat nisin të piqen shtoni mjaltin.

Kavërdisini për pak minuta dhe më pas hiqeni tiganin nga zjarri.

Në një enë tjetër përzieni së bashku lëngun e portokallit, uthullën balsamike dhe vajin e ullirit.

Merrni një tas të madh sallate dhe në të hidhni fletët e lara të sallatës jeshile.

Shtoni arrat e ëmbëlsuara me mjaltë dhe panxharin.

Më pas hidhni djathin e dhisë duke e shkërmoqur me duar.

Përgatitja e sallatës përfundon duke shtuar lëngun me vaj ulliri e lëng portokalli të përgatitur më lart./AgroWeb.org

Interneti 5G Mbi Gjysmë Miliardi Abonime Deri në Fund të Vitit

Deri në fund të vitit 2021, abonimet e internetit 5G në të gjithë botën të jenë mbi 580 milionë, me një milion pajtime të reja në ditë.

 Kina, Amerika e Veriut dhe shtetet arabe janë të parët në numrin e pajtimtarëve, ndërsa Europa ka filluar më ngadalë.

“5G do të bëhet gjenerata më e shpejtë e lëvizshme e lëvizshme e të gjitha kohërave, me 3,5 miliard pajtime dhe mbulim të 60% të popullsisë botërore”, thekson ”Ericsson Mobility Report”.

Sipas studimit pajtimet në rrjetin e gjeneratës së pestë të lidhur me një pajisje me 5G në bord u rritën me 70 milion gjatë tremujorit të parë të 2021 dhe pritet të arrijnë 580 milionë deri në fund të vitit.

Për Ericsson, ”5G pritet të kapërcejë miliardin e parë të parapagimit dy vjet më herët sesa 4G LTE.

Në sajë të shtytjes nga Kina, qasjes në rritje të pajisjeve komerciale 5G dhe rolit gjithnjë e më strategjik të lidhjes në një perspektivë të post-Covid-19 për rimëkëmbjen ekonomike”.

Burimi: Top Channel

Pulsimi i Veshëve – Përse Ndodh dhe Si ta Largoni

Veshët njëjtë si sytë janë ndër pjesët më të rëndësishme të trupit.

Mjafton që njëri prej tyre të dhembë dhe ndjesia është e padurueshme e stresuese për të gjithë organizmin.

Gjatë jetës njerëzit mund t’i përjetojnë shpesh këto dhimbje e sidomos në mosha të vogla.

Mund të ndodhin për një sërë arsyesh, duke nisur që nga futja e ujit në vesh, infeksionet apo sëmundjet specifike që mund ti prekin ato.

Gjithsesi është vënë re edhe një tjetër lloj gjendje që krijohet tek veshët.

Quhet pulsimi, zhurma apo tringëllima e veshit dhe shkakton pikërisht veprimet e përmendura më parë.

Shpesh njerëzit ankohen se veshët e tyre zhurmojnë vazhdimisht, duke mos e kuptuar shkakun e kësaj gjendje.

Në këtë artikull nga AgroWeb.org ju shpjegojmë se përse ndodh dhe si mund ta largoni lehtë.

Përse pulsojnë veshët

Nëse ju pulson njëri apo të dy veshët shkaqet me shumë gjasë janë të njëjtat dhe fshihen thellë në organizmin tuaj.

Kjo gjendje vazhdon me ditë jave e muaj të tërë dhe kthehet në një stres të vazhdueshëm për këdo që e përjeton.

Intensiteti më i madh i zhurmës ndihet kur shtriheni për të pushuar apo fjetur.

Ky puls i vogël brenda kokës tuaj me siguri nuk ju lë të pushoni të qetë dhe ju streson vazhdimisht.

Arsyet kryesore se përse kjo gjendje zhvillohet fillojnë që nga presioni i lartë i gjakut, problemet me venat, anemia apo arterioskleroza.

Sëmundjet që e shkaktojnë

Problemet me enët apo venat e gjakut mund të prekin shumë njerëz duke bërë që qarkullimi i gjakut të mos jetë i mirë.

Kështu venat që kalojnë pranë veshit dhe çojnë gjakun në tru, krijojnë zhurmë për shkak se mund të jenë të dëmtuara ose me probleme.

Presioni i lartë i gjakut ose tensioni i lartë është një tjetër arsye.

Kur gjaku lëviz me shpejtësi të ndryshme apo shumë të shpejtë, zhurma do të jetë e pranishme në veshët tuaj.

Kjo mund të vijë nga sëmundje të ndryshme që shkaktojnë hipertension ose gjatë periudhave të stresit, abuzimit me alkoolin apo kafeinën.

Anemia ose tiroidja hiperaktive bëjnë që gjithashtu gjaku të lëvizë shpejt në trup, duke shkaktuar zhurma tek venat që kalojnë pranë veshëve tuaj.

Arterioskleroza njihet si sëmundja që i bllokon arteriet dhe enët e gjakut duke i bërë ato më pak fleksibël.

Në këtë mënyrë gjaku që kalon tek veshi i mesit, lëviz me vështirësi dhe me forcë duke bërë që të ndjeni zhurmë tek të dy veshët.

Një tjetër arsye mund të jenë edhe tumoret e kokës apo të qafës.

Këto sëmundje veprojnë duke shtypur enët e gjakut dhe shkaktojnë zhurmën tek veshët.

Efektet anësore

Pulsimi apo tringëllimi i veshëve mund të kthehet në një problem të vërtetë për këdo që e përjeton.

Pasi mund të shkaktojë një sërë efektesh të tjera anësore.

Duke filluar nga dhimbja e kokës, marramendja, të përzierat, stres, probleme me shikimin apo humbje të dëgjimit.

Si ta ndaloni

Nëse kjo zhurmë e fortë dhe vazhdon për ditë, jave e muaj me radhë duhet të konsultoheni me një specialist.

Kjo pasi, nën këtë rrahje të veshit mund të fshihen një sërë sëmundjesh të tjera siç përmendëm edhe mësipër.

Mundohuni që të gjeni shkakun në mënyrë që zhurma të pushojë gradualisht.

Gjithashtu kur shtriheni për të fjetur mundohuni që të fokusoheni tek një zhurmë tjetër e jashtme.

Mjekët shpesh sugjerojnë disa makineri të posaçme, të cilat përdoren për të gjeneruar një zhurmë të lehtë në dhomën tuaj, në mënyrë që të harroni zhurmën e veshit./AgroWeb.org


Tri Mënyra Efikase Si të Ndihmoni Flokët të Rriten më Shpejt

Njeriu lind me rreth 100,000 folikula në kokë të cilat mbeten të njëjta në numër përgjatë gjithë jetës.

Megjithatë, disa prej tyre pushojnë se qënuri aktive gjatë jetës, teksa trupi plaket apo si pasojë e dëmtimeve.

Kështu edhe flokët i shtohen listës së gjatë të trajtimeve të cilave duhen bërë për t’u dukur të shëndetëshëm.

Shëndeti i flokëve nuk lidhet vetëm me dëshirën për të qënë sa më natyralë, por edhe me dukjen sa më bukur.

Thuhet se flokët i dhurojnë gjysmën e bukurisë fytyrës duke shërbyer si një kontur për tiparet.

Mund të themi që kjo është e vërtetë, ndaj dëshira për të pasur flokë sa më të gjatë e të bukur është gjithnjë prezente.

Ndryshe nga mijëra metoda që mund të keni provuar, në këtë artikull të AgroWeb.org ju tregojmë disa sekrete të vogla të cilat do të ndihmojnë në rritjen e flokëve tuaja.

Nuk do t’ju duhet të beni maska apo regjime drastike, vetëm disa ndryshime të vogla e të shëndetëshme në rutinën tuaj.

Si rriten flokët

Akademia  Amerikane e Dermatologjisë të cilës i referohet AgroWeb.org, shpjegon se flokët rriten rreth 1.27 cm çdo muaj.

Në nje vit mesatarish rriten thuajse 15-16 cm nëse tregoheni të kujdesshëm me to.

Shëndeti i tyre dhe rritja e tyre gjatë një viti mund të varet nga shumë faktorë, duke filluar që nga kujdesi i pakët, mosha apo lloji i flokut.

Flokët rriten në tre faza të cilat kanë kohëzgjatjen e tyre të zhvillimit dhe rritjes.

Anagen quhet faza e parë dhe flokët rriten për 2-8 vjet.

Katagen është faza e dytë tranzitore, ku flokët ndalojnë se rrituri për 4-6 javë.

Telogen është faza e tretë ku flokët fillojnë të bien për një periudhë 2-3 mujore.

Proçesi që zë më shumë vend në rritjen e flokëve është ai i pari anagen, i rritjes së flokëve në një masë 90-95%.

Ndërsa kjo ndodh, 5-6% e flokëve janë në proçesin telogen ku bien 100-150 folikula flokësh në ditë.

Për të evituar këtë, ekpertët sugjerojnë disa mënyra për t’a minimizuar rënien e flokëve dhe për ti bërë ata më të fortë.

Si ti bëni flokët më të fortë

Faza e rritjes së flokëve varet nga gjatësia e flokëve dhe fortësia e folikulës e cila mund të jetë e ndryshme në faza të ndryshme.

Ekspertët dermatologë sugjerojnë disa mënyra efikase se si të nxisni rritjen e flokëve tuaj nga folikulat në çdo fazë.

Konsumoni shumë vitamina

Ndonëse të gjitha vitaminat janë të shëndetëshme për organizmin, vetëm disa prej tyre ndikojnë drejtpërdrejtë në shëndetin e flokëve.

Ekspertët rekomandojnë të merrni vitaminën C, D, omega-3, omega-6 dhe hekur.

Të gjitha këto vitamina dhe minerale kujdesuni t’i merrni sa më shumë nga ushqimet ose me anë të suplementeve të këshilluara nga mjeku.

Aplikoni vajra esencialë

Mjafton të hidhni disa pika vaj esencial në shampon tuaj dhe do të përfitoni flokë të shëndetëshëm e të gjatë.

Zgjidhni pak vaj kokosi, kastori apo vaj ulliri në mënyrë që flokët tuaj të qëndrojnë të hidratuar.

Një mënyrë tjetër është edhe lyerja e flokëve drejtpërdrejtë me këto vajra në skalp, gjithashtu edhe në maja në mënyrë që të evitohet këputja e tyre.

Proteina

Proteinat i ndihmojnë flokët të rriten edhe kur i keni ekspozuar ndaj kimikateve të bojrave apo dëmtime të jashtëme.

Mënyra më e mirë për të marrë proteina është përmes dietës së përditëshme ushqimore.

Kujdesuni të konsumoni shumë perime, arrorë, kos apo mish.

Në çdo rast kujdesuni që të evitoni sa më shumë nxehtësinë e aplikuar tek flokët tuaj, në mënyrë qëtë mos digjen dhe dobësohen.

Evitoni gjithashtu tërheqjen me anë të llastiqeve të flokëve apo materialeve kimike të vendosura direkt në skalp./AgroWeb.org


Vlerat dhe Fuqitë e Vajit të Ullirit Kundër Sklerozës

Studime të reja, të cilave u referohet AgroWeb.org, shpjegojnë se vaji ekstra i virgjër i ullirit arrin të mbrojë trurin nga sëmundje të rrezikshme si skleroza.

Studimet thonë se ky vaj arrin të parandalojë akumulimin e disa proteinave toksike në organizëm të cilat përbëjnë gjenezën e sëmundjeve mendore siç është skleroza.

Sipas ekspertëve, konsumi i rregullt i vajit të ullirit ul me 60 përqind depozitat e kësaj proteine të rrezikshme në organizëm.

Ky vaj, besohet të mbrojë trurin nga disa forma dhe lloje të sklerozës.

Për më tepër, ai përmirëson aftësinë e trurit për të vetë-eliminuar mbetjet toksike dhe për të ruajtur të paprekur komunikimin mes nervave.

Vaji ekstra i virgjër i ullirit përmban shumë antioksidantë.

Falë tyre arrin të përmirësojë aftësitë e përqendrimit.

Këto antioksidantë mbrojnë trurin nga dëmtimet e moshës.

Si Ta Dalloni Nëse Vaji i Ullirit Është Cilësor

Ju mund ta testoni vajin e ullirit vetë në shtëpi.

Hidhni pak vaj ulliri në një gotë të pastër.

Ngroheni fundin e gotës lehtë duke e mbajtur me njërën dorë.

Me tjetrën mbuloni grykën e gotës për pak sekonda.

Më pas nuhasni vajin e ullirit dhe shijoni një gllënkë.

Vaji duhet të ketë aromën e ullirit të freskët jeshil.

Shija e tij duhet të vijë paksa e hidhur dhe djegëse.

Ajo duhet të jetë e pastër dhe jo shumë e trashë dhe e yndyrshme.

Nëse është kështu, atëherë keni bërë zgjedhjen e duhur.

Nese ju jep kollë nuk është vaji i duhur.

Sa më i freskët aq më i mirë, sepse një gjë është e sigurt, vaji i ullirit nuk është si vera.

Vaji i ullirit extra i virgjër, i ruajtur mirë, ka një jetëgjatësi rreth një vjeçare. Me vjetërimin, atij i humbasin vlerat aq të vyera që mbart.

Si ta Ruani Vajin e Ullirit

Konsumatorit i duhen dy vjet të mësohet me shijen e një vaji cilësor.

Pasi të blini vajin nga fabrika apo një vaj që jeni të sigurt që është ekstra i virgjër, ruajeni në një enë qelqi ose inoksi.

Ruajeni larg dritës dhe nxehtësisë.

Ky vaj do të ketë qartësi, ngjyrë, densitet, aromë, hidhësi e djegësi të ndryshme çdo muaj që kalon.

Dy komponente thelbësore janë tek vaji i ullirit cilësor: të jetë ekstra i virgjër dhe të jetë prodhim i atij viti.

Kjo është mënyra më e mirë për të përzgjedhur një vaj të mirë, të freskët me të gjitha vlerat e jashtëzakonshme që i ka falur natyra./AgroWeb.org


Si Të Pastroni Mushkëritë Nga Nikotina me Gjithçka Natyrale

Duhani është një nga shkaktarët më të mëdhenj të vdekjeve në Tokë.

Tymi i duhanit përmban mbi 7000 kimikate të rrezikshme për shëndetin dhe pirja e tij rrit rrezikun e kancerit dhe vdekjes së parakohshme.

Një nga përbërësit që krijon më shumë varësi tek duhani është nikotina.

Sipas ekspertëve, varësia ndaj nikotinës është e njëjtë si ndaj drogërave apo alkolit.

Njerëzit e kanë të vështirë të heqin dorë nga duhani për shkak të shqetësimit se do të shtojnë në peshë dhe do të ndihen më të stresuar pa një cigare në dorë.

Pasojat më të rënda të duhanpirjes i vuajnë mushkëritë, të cilat mund t’i pastroni duke zbatuar këshillat e mëposhtme të AgroWeb.org

Pini Sa Më Shumë Ujë

Uji ndihmon shumë në pastrimin e organizmit nga toksinat.

Për më tepër, uji zbeh nevojën për duhan ndaj do t’ju ndihmojë ta lini atë.

Aktiviteti Fizik

Mjaftojnë 30 minuta aktivitet fizik në ditë për të mundësuar eliminimin e toksinave nëpërmjet djersës.

Aktiviteti fizik është gjithashtu i mirë për të larguar stresin dhe ankthin që shkakton lënia e duhanit.

Ushqyerja e Shëndetshme

Frutat dhe perimet duhet të jenë aleatët tuaj për pastrimin e trupit nga toksinat e duhanit.

Sipas të dhënave të AgroWeb.org, spinaqi dhe brokoli janë ndër më të mirat sepse përmbajnë sasi të larta të vitaminës C, B5 dhe acidit folik.

Brokoli ndihmon në zbehjen e nevojës për nikotinë ndërsa spinaqi fuqizon imunitetin.

Mbajeni Trurin Në Punë

Mund ta mbani nën fre pirjen e cigares duke mbajtur trurin në punë, duke lexuar diçka, ose duke u shpërqendruar.

Një nga mënyrat efikase është meditimi që largon stresin dhe ankthin që nxit mungesa e cigares.

Më Shumë Vitamina

Organizmi i një duhanpirësi përmban pak vitamina. Për pasojë, ekspertët këshillojnë konsumin e sa më shumë vitaminave nëpërmjet frutave, perimeve dhe suplementëve.

Bimët Mjekësore

Nëse lënia e duhanit ju lë pa gjumë, atëherë pini më shumë çaj kamomili.

Nëse përjetoni ankth dhe irritim duhet të nuhasni vajin esencial të lavandës ose të barit të bletës.

Xhenxhefili nga ana tjetër ndihmon kundër të përzierave ndërsa tërshëra përshpejton pastrimin e organizmit.

Lexoni ketu më shumë për pastrimin e mushërive duke përdorur lëkura portokalli dhe këtu për ushqimet më të mira për mushkëritë. /AgroWeb.org


Zbulimet e Reja Shkencore Për Qelizat Tumoriale

Një studim i ri amerikan ka zbuluar aspekte shumë të rëndësishme në luftën për jetë a vdekje kundër kancerit.

Pikënisja e sëmundjes janë disa grupime jo normale qelizore që formojnë masa ose gjëndra në zona të ndryshme të trupit.

Këto grupime mund të formohen kudo dhe mbijetesa e njeriut është në varësi të masës dhe dëmit të shkaktuar në zonën e prekur.

Me pushtimin e organizmit, qelizat kancerogjene riprodhohen, shpërndahen dhe mbijetojnë duke rekrutuar qeliza dhe inde të shëndetshme.

Ato shmangin sistemin imunitar dhe shpërndahen me shpejtësi nëpërmjet gjakut ose sistemit limfatik.

E gjithë puna disa vjeçare e shkencëtarëve është përqendruar tek shënjestrimi i genit MYC, i cili konsiderohet si motorri i disa sëmundjeve kancerogjene.

Një ekip shkencëtarësh nga Universiteti i Pensilvanisë ka zbuluar së fundmi rrugën që mund të pengojë formimin e qelizave tumorale.

Bëhet fjalë për proteinën ATF4 e cila është e lidhur fort me genin MYC që nxit rritjen e qelizave tumorale në organizëm.

Sipas ekspertëve, çaktivizimi i kësaj proteine mund të pengojë rritjen e qelizave tumorale dhe t’i detyrojë ato të vetë-shkatërrohen.

Studimi është kryer nga një grup studiuesish të Universitetit të Pensilvanisë dhe është publikuar javën e shkuar në revistën Nature Cell Biology.

Ky studim ofron shumë shpresë për pacientët e kësaj sëmundjeje si dhe një qasje revolucionare dhe terapeutike në trajtimin e sëmundjes.

Çfarë Është Geni MYC?

Geni MYC mban nën kontroll rritjen dhe zhvillimin normal të qelizave.

Megjithatë, në momentin që ky gen pëson një mutacion, ai nxit rritjen dhe përhapjen e pakontrolluar të qelizave tumorale.

Geni në fjalë ushqehet me proteinën e lartpërmendur ATF 4.

Kjo proteinë është e domosdoshme për genin njësoj si nafta për automjetin, ndaj bllokimi i sintetizimit të saj, pengon sëmundjet tumorale.

Për këtë arsye, ekspertët e kanë quajtur proteinën ATF 4 si ‘thembra e Akilit’ të sëmundjeve kancerogjene.

Të dhënat e studimit janë shumë premtuese sepse i hapin rrugë krijimit të barnave të reja që funksionojnë në nivel qelizor. /AgroWeb.org

 


Rregullat Bazë Të Higjenës Personale – A ju Ndihmojnë të Ruheni nga Mikrobet?

Muajt e fundit higjena dhe pastërtia personale janë kthyer në kryefjalën e të gjithë botës.

Përhapja e koronavirusit të ri është një shqetësim i vazhdueshëm.

Rregulli bazë i ekspertëve për parandalimin e infeksionit me COVID-19 është ndjekia e një higjene të mirë personale dhe familjare.


Përkujdesja ndaj vetes dhe higjena strikte është një hap thelbësor drejt shëndetit të mirë.

Larja e duarve dhe e gojës por pastërtia në përgjithësi ju ndihmojnë të mbani larg bakteret, virozat dhe sëmundjet.

Higjena ofron jo vetëm përfitime fizike por edhe mendore.

Nëse dëshironi të minimizoni rrezikun e infeksioneve dhe të përmirësoni shëndetin tuaj, ndiqni udhërrëfyesin e AgroËeb.org për të patur një higjenë sa më të mirë personale.

Lahuni

Lani trupin dhe flokët sa më shpesh.

Trupi gjithë kohës lëshon qelizat e vdekura dhe shpesh ka nevojë për ndihmë që të vetëpastrohet nëpërmjet ujit.

Prisni Thonjtë

Thonjtë duhen prerë vazhdimisht jo vetëm për një paraqitje të rregullt dhe të pastër të dorës por edhe për faktin se ato grumbullojnë shumë baktere.


Goja

Dhëmbët duhen parë pas çdo vakti.

Ato duhen pastruar për të mbajtur larg bakteret e gojës por edhe për të mbajtur mishrat të shëndetshëm.

Duart

Duart larë para dhe pas përgatitjes ose ngrënies së ushqimit.

Ato duhen larë mirë për 20 sekonda me ujë të bollshëm dhe sapun.

Ato duhen larë gjithmonë pasi dilni nga banja, pas kollës, pas tështimës, pas prekjes së plehrave e të tjerë.

Në disa raste të caktuara, larja e duarve duhet shoqëruar me disinfektantin i cili duhet të ketë mbi 60 përqind alkol.

Gjumi

Gjumi është i një rëndësie të madhe për imunitetin.

Kjo do të thotë që duhet të siguroheni që të flini mjaftueshëm 8-9 orë në ditë.

Këto këshilla duhen ndjekur nga të gjithë dhe nëse vëreni dikë që nuk ndjek rregullat bazë të higjenës mund tua mësoni ose t’i informoni për rëndësinë e saj.

Për më tepër, ekspertët këshillojnë që të shmangni kontakteve të ngushta me çdo person që shfaq simptoma të sëmundjeve respiratore, si kollë apo tështima.

Si të Zbardhni Peshqirët në Shtëpi me Metoda Natyrale

Përdoren shpesh dhe janë të pazëvendësueshëm në shtëpi, megjithëse shpesh nuk iu kushtohet rëndësia e duhur.

Po flasim për peshqirët që me siguri e dini sa të nevojshëm janë e njëkohësisht edhe sa delikatë janë.

Duke qënë se lahen edhe më shpesh nga rrobat apo copat e tjera në shtëpi, forcohen dhe vjetërsohen e njollosen edhe më shpejt.

Askush nuk i preferon të fortë e të ashpër e aq më pak të vjetër e me njolla, ndaj ruajtja e tyre mund të kthehet në një stres të vërtetë.

Përveçse të blini peshqirë të rinj, AgroWeb.org ju sugjeron një metodë natyrale e cila do t’ju ndihmojë t’i ruani ata të butë e të dezinfektuar.

Si të Zbusni Peshqirët e Vjetër

Kjo mënyrë natyrale dhe e thjeshtë sigurisht që bazohet vetëm tek produktet natyrale që përdorni çdo ditë.

Në veçanti sot do t’ju flasim vetëm për njërin prej tyre që me siguri e keni hasur në shumë përdorime të tjera.

Është soda e bukës e cila jo pa qëllim gjen vend kudo në kuzhinë dhe në të gjithë shtëpinë.

Atë mund ta përdorni shumë lehtë edhe për të pastruar peshqirët tuaj të vjetër e të ashpër të cilët ju gërvishtin lëkurën sa herë që i përdorni.

Ky produkt shumë ekonomik dhe natyral do të ndihmojë me zbutjen dhe zbardhjen maksimale të tyre.

Gjithashtu do të largojë lagështirën e mbledhur, aromat e këqija apo njollat e trupit.

Si ta Përdorni

Pa pasur fare nevojë të blini detergjentë të shtrenjtë këto mënyra të shpejta do t’ju dhurojnë peshqirë si të rinj.

Larja me Lavatriçe

Mjafton të shtoni rreth 200 gr sodë buke në lavatriçe teksa peshqirët lahen.

Sodën shtojeni tek vendi ku hidhni zakonisht ilaçin e rrobave apo zbutësin dhe ta shtoni në fazën e paralarjes së lavatriçes.

Larja me Dorë

Nëse njollat apo aromat janë ende rezistente mund të provoni t’i lini në ujë të ngrohtë për gjatë gjithë natës.

Në një kovë apo legen të mbushur me ujë të ngrohtë, hidhni rreth 200 gr sodë buke dhe përzjejini mirë.

Fusni peshqirët tuaj të vjetër dhe lërini në ujë, për të paktën 12 orë.

Më pas bëni një shtrydhje me lavatriçe si zakonisht dhe do të keni peshqirë si të rinj.

Për Peshqirë më të Bardhë

Për të zbardhur shpejt peshqirët tuaj të vjetër, mjafton të përzieni dy përbërës që ndodhen në kuzhinën tuaj.

Tek vendi ku hidhni zakonisht detergjentin në lavatriçe, shtoni 200 ml ujë të ngrohtë dhe 250 ml uthull molle.

Nisni ciklin e larjeve si zakonisht dhe pas disa minutash, shtoni sërish 200 ml ujë të ngrohtë dhe menjëherë më pas sodën e bukës.

Vazhdoni sërish me larjen në lavatriçe e më pas vendosini të thahen në ajër të pastër.

Kështu fare lehtë do të keni peshqirë të rinj në shtëpinë tuaj në çdo kohë, pa shpenzuar dhe pa u munduar aspak./AgroWeb.org


Dhimbjet e Pashpjegueshme të Muskujve – Arsyet Shëndetësore Pse Ndodhin

Dhimbjet muskulare përjetohen herë pas here jo vetëm nga të rriturit por edhe fëmijët.

Në shumë raste, këto dhimbje nuk lënë arsye për shqetësim dhe mund të kurohen pa nevojën e një trajtimi mjekësor.

Megjithatë, në disa raste, dhimbjet muskulare mund të jenë simptomë e një sëmundjeje të fshehur.

Shkaktarët E Dhimbjes Muskulare

Disa prej shkaktarëve më të zakonshëm të dhimbjeve muskulare janë:

Stresi

Stresi e bën më të vështirë punën e trupit për të luftuar sëmundjet.

Njerëzit që nuk janë mirë me shëndet ose janë të stresuar, përjetojnë dhimbje muskulare që tregojnë se trupi po përpiqet të luftojë një inflamacion ose infeksion.

Pamjaftueshmëria Ushqimore

Njerëzit që nuk marrin ushqyesit e duhur vuajnë nga dhimbjet muskulare.

AgroWeb.org ju këshillon se vitamina D luan një rol të rëndësishëm në funksionin e duhur të muskujve.

Ajo ndihmon me përthithjen e kalçiumit dhe mungesa e saj shkakton një ulje të ndjeshme të nivelit të kalçiumit që prek jo vetëm kokcat por edhe muskujt apo organet.

Dehidratimi

Sipas të dhënave të AgroWeb.org, dehidratimi shoqërohet me dhimbje muskulare por edhe vështirësi në frymëmarrje dhe tretje.

Sasia e rekomanduar ditore e ujit është 6 deri në 8 gota.

Ndrydhjet Dhe Tendosjet

Lëndime të tilla shoqërohen me dhimbje muskulare dhe parehati.

Këto lëndime kalojnë vetë por duke garantuar pushim dhe medikamente kundër dhimbjes.

Mungesa E Gjumit

Gjumi i ofron organizmit mundësinë e duhur për të pushuar dhe rimëkëmbur.

Edhe muskujt kanë nevojë të flenë dhe nëse nuk e arrijnë këtë, ata dhembin.

Aktiviteti I Sforcuar Fizik

Sipas studimeve, të cilave i referohet AgroWeb.org edhe aktiviteti i sforcuar fizik shkakton ose shoqërohet me dhimbje muskulare.

Kjo ndodh veçanërisht me njerëzit që kryejnë një ushtrim të ri, kryejnë aktivitet fizik për herë të parë, stërviten më gjatë seç duhet apo nuk kryejnë punë përgatitore.

Simptomat E Dhimbjeve Muskulare

AgroWeb.org ju informon se dhimbjet muskulare manifestohen me një sërë simptomash ku përfshihen:

Mpirje, irritim dhe dobësim të muskujve, ethe, marramendje, vështirësi në frymëmarrje dhe skuqje.

Disa prej këtyre simptomave siç është temperature ose vështirësia në frymëmarrje kërkojnë një trajtim të menjëhershëm mjekësor./AgroWeb.org


Xhenxhefili dhe Lëngjet Plot Vitamina Për Organizëm Të Fortë

Nëse dëshironi t’i largoheni përfundimisht kthetrave të gripit dhe të ftohtit për këtë stinë, apo të forconi sistemin imunitar, atëherë duhet t’i jepni patjetër një shans xhenxhefilit dhe lëngjeve që e kanë atë përbërës të nevojshëm.

Lëngjet që AgroWeb.org do të përshkruajë më poshtë janë të mbushura me vitaminë C dhe do e bëjnë organizmin tuaj të shkëlqejë nga pastërtia nga toksinat, si jashtë ashtu edhe brenda.

Stresi është një armik i fortë i organizmit dhe të kaplon në çdo moment të ditës. Për këtë arsye, vitamina C është mburoja më e mirë kundër sëmundjeve që shkakton stresi.

Sipas të dhënave të AgroWeb.org, stresi dëmton dhe lëndon sistemin imunitar, rrjedhimisht vitamina C është e para që nuk duhet të mungojë në ditën tuaj.

Nëse shtoni dozat e vitaminës C në rutinën tuaj të përditshme, sistemet natyrale të mbrojtjes do të jenë të pajisura me luftëtarë të mirëfilltë kundër të ftohtit, gripit dhe virozave bashkëshoqëruese.

Rrudhave nuk u shpëtojmë dot, por një dozë e mirë me vitaminë C e ruan paraqitjen rinore të lëkurës për më gjatë.

Një studim i kohëve të fundit zbuloi se 4000 femra të moshës 40-74 vjeç që konsumonin doza të larta të vitaminës C kishin gjasa më të pakta për shfaqjen e rrudhave dhe tharjen e lëkurës por edhe një paraqitje më të mirë të saj.

Vitamina C qetëson enët e gjakut, që do të thotë se me kalimin e kohës, mundet të mbrojë edhe nga arresti kardiak dhe të ulë tensionin e gjakut.

Kur merrni vitaminë C dhe hekur së bashku, vitamina ndihmon në përthithjen e hekurit në gjak.

Më poshtë do të gjeni disa receta mjaft interesante të rekomanduara nga AgroWeb.org

Xhenxhefil me mollë jeshile

Përbërësit

  • 50 gramë sallatë jeshile
  • 1 mollë e prerë në feta
  • Lëngu i një gjysëm limoni
  • Një copë (1.5 cm) xhenxhefil
  • 1 lugë çaji me spirulina (opsionale)
  • 1 gotë me ujë
  • 1 gotë me kuba akulli

Ky lëng është i mbushur me vitamina dhe minerale që forcojnë sistemin imunitar. Lëngu është pak i thartë, por i ëmbël dhe pikant.

Xhenxhefili ofron antioksidantët që shkatërrojnë bakteret dhe luftojnë viruset e të ftohtit. Spirulina është një burim i pasur proteine, amino acidesh, fitoushqyesish, hekuri dhe vitaminave B. Sistemi imunitar do të jetë i fortë dhe shqisat do të kënaqen pa masë.

Kategoria: Pjesë e lëngjeve me pak kalori që forcojnë imunitetin dhe luftojnë inflamacionin.

Limonata me xhenxhefil

Përbërësit

  • 1 filxhan me copa karrote
  • 1 mollë e prerë
  • Lëngu i një gjysmë limoni
  • Një copë (1.5 cm) xhenxhefil
  • 1 lugë gjelle me fara kungulli
  • 1 gotë me ujë
  • 1 gotë me kuba akulli

Limonata me xhinxher do ju falë shkëlqimin që ju mungon në organizëm. Karrota dhe molla përmbajnë vitaminat A dhe C që promovojnë një lëkurë të gjallëruar dhe rinore.

Limoni dhe xhenxhefili zbusin dhe qetësojnë sistemin tretës.

Farat e kungullit janë të pasura me magnez që ndihmon në promovimin e zhvillimit të kockave dhe mirëmbajtjen e tyre.

Mund të ruani disa prej tyre për të zbukuruar gotën.

Kategoria: Pjesë e lëngjeve me pak kalori që forcojnë imunitetin, luftojnë inflamacionin dhe bëjnë organizmin të shkëlqejë./AgroWeb.org


Si Të Mësosh Veten Që Të Zgjohesh Herët në Mëngjes

Për disa njerëz, zgjimi herët mbetet një veprim i vështirë dhe sfidues, madje ngjan si ndëshkim.

Megjithatë, ekspertët  thonë se njerëzit që zgjohen herët kanë shumë avantazhe.

Ata rekomandojnë disa mënyra shumë të veçanta të cilat do t’ju ndihmojnë të zgjoheni herët çdo mëngjes e të shijoni ditët tuaja të plota.

Njerëzit që zgjohen herët në mëngjes:

  • kanë një karrierë të suksesshme,
  • punën e sotme nuk e shtyjnë për nesër,
  • janë njerëz më pozitivë nga natyra,
  • bëjnë zgjedhje më të shëndetshme,
  • janë më bashkëpunues dhe të vendosur,
  • janë më të mbrojtur ndaj depresionit
  • kanë më shumë kohë të ndjekin ëndrrat
  • stresohen më pak,
  • kanë një peshë më të shëndetshme.

Nëse jeni tipa që e urreni të zgjoheni herët, me gjasë asnjëra prej përfitimeve të mësipërme nuk do ju hyjë në sy.

Megjithatë, ekspertët e AgroWeb.org kanë identifikuar mënyrat më të mira se si të bindni veten që të zgjoheni herët në mëngjes.

Mos Dilni Menjëherë Nga Shtrati

Në mënyrë që të shmangni stresin e zgjimit rrini disa minuta në shtrat.

Fundja, nuk jeni në një kamp ushtarak.

Qëndrimi në shtrat pas zgjimit e bën më të përballueshme ditën.

Një mënyrë për t’ia arritur këtë është që të vendosni dy alarme brenda 15 minutave.

Planifikoni Mëngjesin Me Detaje

Sa më specifike të jetë rutina juaj, aq më e lehtë do të jetë për tu zbatuar.

Nëse ju planifikoni gjërat që do të bëni në mëngjes dhe e vizualizoni rutinën tuaj në tru (duke përfshirë: veshjen, larjen e dhëmbëve, krehjen e flokëve, makiazhin, vendosjen e parfumit, daljen nga shtëpia e të tjerë), zgjimi në mëngjes do të jetë më pak i dhimbshëm.

Hiqni Dorë Nga Pajisjet Elektronike

Nëse do të angazhoheni në këtë mision, hiqni dorë nga pajisjet elektronike.

Një gjë e tillë mund të duket ndëshkuese, por duhet të vendosni një rutinë gjumi ku telefoni celular të mos jetë pjesë.

Pra në mbrëmje nuk duhet të merreni me të dhe as në mëngjes.

Sa Kohë Ju Duhet Të Mësoheni Me Rutinën e Re Të Zgjimit

Ekspertët thonë se trupit i duhen 4-5 ditë të përshtatet me një rutinë fikse të gjumit.

Pra, vendosni një rutinë të tillë që të flini në kohë dhe të zgjoheni herët por edhe të flini mjaftueshëm 7-8 orë në ditë.

Duke u zgjuar herët do të keni mundësi jo vetëm të kryeni aktivitet fizik por edhe të ushqeheni shëndetshëm në vaktin më të rëndësishëm të ditës.


Sheqeri i Lartë Në Gjak – Armiku Tinëzar i Shëndetit

Sheqeri në gjak është një armik shumë tinëzar për shëndetin.

Nivelet e tij ndikohen jo vetëm nga ushqyerja por edhe nga dobësimi i imunitetit dhe stresi.

Në matjen e nivelit të sheqerit në gjak, ajo që ka rëndësi, është trendi dhe jo vetëm një tregues pas një matje të vetme.

Në këtë artikull të AgroWeb.org do të mësoni për mënyrat se si mund të ulni sheqerin në gjak kur nivelet e tij janë të larta.

Matja Duhet Bërë Para Ngrënies Dhe 2 Orë Më Pas

Për të pasur një ide më të qartë, niveli i sheqerit në gjak duhet matur para ngrënies dhe 2 orë më pas.

Në këtë mënyrë do të kuptoni nëse ushqimi është ai që rrit nivelin e sheqerit ose jo.

E rëndësishme është që të kuptohet nëse niveli i lartë i sheqerit në gjak është një rast i izoluar apo i vazhdueshëm dhe shqetësues.

Nëse ju e matni çdo ditë në mëngjës dhe treguesi është i lartë, kjo do të thotë se mëlçia prodhon më shumë sheqer gjatë natës dhe ka nevojë për medikamente.

Bëni Disa Ndryshime Të Vogla

Nëse jeni të shqetësuar për nivelet e larta të sheqerit në gjak, përpiquni të kryeni më shumë aktivitet fizik dhe të kufizoni karbohidratet.

Niveli i lartë i sheqerit në gjak nuk do të thotë domosdoshmërisht se ka nevojë për ndryshime madhore.

Ndryshimet mund të bëhen në ushqyerje me këshillën e mjekut.

Buka dhe lëngu i portokallit janë dy produkte që e rrisin menjëherë sheqerin në gjak.

Kujdes Me Stresin

Siç e thamë edhe më lart, ushqyerja nuk është i vetmi faktor në nivelin e lartë të sheqerit në gjak.

Stresi luan një rol të rëndësishëm gjithashtu.  Ndaj është shumë e rëndësishme që të qetësoheni, të zgjidhni situatat stresuese që të shmangni nivelet e rritura të sheqerit në gjak.

Kujdes Me Diabetin

Diabeti është një sëmundje progresive dhe ka nevojë për mbikqyrje.

Edhe nëse nivelet e sheqerit në gjak janë të larta prej vitesh pa ndonjë efekt anësor, ju duhet të tregoni kujdes sepse nga momenti në moment, qelizat beta të pankreasit mund të reshtin së prodhuari insulinë.

Konsultohuni me mjekun për një qasje sa më të shëndetshme të mbajtjes nën kontroll të sheqerit në gjak.  /AgroWeb.org


Pesë Arsye Përse Duhet Të Hani Vezë Më Shpesh

Veza është një nga ushqimet më të shëndetshme për njeriun që ka pësuar një rikthim triumfues, pas pretendimeve për rolin e saj negativ në shëndet.

Vezët ofrojnë rreth 6 gramë proteinë të një cilësie të lartë.

Sipas të dhënave të AgroWeb.org kjo do të thotë se vezët ofrojnë të gjithë amino acidet që duhet të merrni nga ushqimet, madje po aq sa mishi.

Proteina konsiderohet si një nga ushqyesit më përmbushës për shëndetin e njeriut.

Gjysma e sasisë së proteinës gjendet tek e verdha e vezës.

Vezët Frenojnë Urinë

Një mëngjes i pasur me vezë e mban nën fre urinë për më gjatë në krahasim me ushqimet e tjera me bazë drithi.

Disa studime thonë se njerëzit që hanë vezë në mëngjes ndihen më të ngopur dhe hanë më pak në drekë.

Vezët Mbrojnë Shëndetin E Syve

Vezët janë të pasura me luteinë, një pigment që është kryesisht i përqendruar edhe tek retina e syrit.

Luteina i mbron sytë nga dëmtime të ndryshme si pasojë e plakjes por edhe nga dëmet e dritës blu që emetohet nga celularët, tabletët dhe laptopët.

Ky lloj ndriçimi besohet të jetë kontribues në shfaqjen e kancerit, mbipeshës dhe sëmundjes së syve.

Vezët Nuk Bllokojnë Enët E Gjakut

Për vite me rradhë, vezët kanë qenë në ‘bankën e të akuzuarve’ për ‘krime’ të paqëna ndaj shëndetit.

Shakatë mënjanë, vezët besoheshin të rrisnin nivelin e kolesterolit dhe bashkë me të, rrezikun e sëmundjeve të zemrës.

Tani, shkencëtarët besojnë se vezët nuk janë të rrezikshme për enët e gjakut dhe nuk i bllokojnë ato.

Vezët Për Masën Muskulare

Njeriu nis të humbë masë muskulare që pas moshës 30 vjecare.

Masa muskulare nis të bjerë me 5 përqind për çdo dhjetë vjet.

Humbja e saj e bën njeriun të ndihet i plogësht dhe rrit shanset e frakturave.

Aktiviteti fizik, veçanërisht ai i fokusuar tek forca dhe qëndresa ju ndihmojnë të ruani masën muskulare.

Vezët dhe proteina që ato ofrojnë ushqejnë muskujt pas stërvitjes dhe i mbrojnë ato./AgroWeb.org


Ëmbëlsira Prej Çokollate Që Gatuhet Pa Pjekje

Thonë se ngrënia e çokollatës ofron të njëjtën shije dhe eksperiencë si të rënit në dashuri e nëse është kështu, me recetën e mëposhtme, përgatituni të dorëzoni zemrën tuaj njëherë e mirë.

Bëhet fjalë për një ëmbëlsirë të dendur me çokollatë, kakao, biskota e shumë gjëra të tjera të mira.

E veçanta e kësaj ëmbëlsire është se nuk kërkon pjekje.

Ëmbëlsira Prej Çokollate Që Gatuhet Pa Pjekje

Përbërësit:

Shtresa e parë:

  • 200 gramë biskota
  • 100 gramë feta vaferi
  • 150 gramë gjalpë të shkrirë
  • 1 lugë gjelle krem kakao
  • 150 ml qumësht me çokollatë

Shtresa e dytë:

  • 2 copa pandispanje të gatshme
  • 10 lugë gjelle qumësht me çokollatë

Për mbushjen:

  • 500 ml pana për ëmbëlsira
  • 300 gramë çokollatë për gatim
  • 3 lugë gjelle krem çokollate.
  • Lajthi të pjekura e të shtypura për sipërfaqen e ëmbëlsirës

Përgatitja:

Së pari përgatisni kremin e mbushjes që kërkon kohë jo vetëm për tu ftohur por edhe për tu trashur.

Ngroheni panën për ëmbëlsira, shtoni kremin e kakaos dhe çokollatën dhe përziejini mirë me lugë druri derisa të shkrihen dhe të njëtrajtësohen me njëra tjetrën.

Masa nuk duhet të valojë. Para se kjo të ndodhë hiqeni enën nga zjarri dhe futeni në ngrirje.

Më pas bëni shtresën e parë të ëmbëlsirës .

Shtypini biskotat dhe grijini vaferët.

Shtoni qumësht, gjalpin e shkrirë dhe kremin e kakaos. Përziejini mirë dhe masën hidheni në një enë ëmbëlsirash rrumbullake.

Shtypeni mirë dhe sigurohuni që ajo të përhapet mirë në të gjithë enën.

Nëse masa për mbushje është ftohur dhe trashur mjaftueshëm, përdorni një pjesë të saj për të lyer shtresën e biskotave.

Më pas shtoni një pandispanjë të gatshme dhe sipër saj pesë lugë gjelle qumësht çokollate.

Pas kësaj hidhni sërish një pjesë të mbushjes së ftohur dhe shtresën tjetër të pandispanjës.

Përsëriteni procedurën e mësipërme dhe lëreni ëmbëlsirën të ftohet në frigorifer.

Kur ajo të jetë ftohur mirë, spërkateni me pak shurup çokollate dhe lajthitë e pjekura jo vetëm për një paraqitje që të tundon por edhe për një shije fantastike shpërblyese për të gjitha shqisat./AgroWeb.org


Petulla Të Mbushura Me Djathë Të Bardhë – Shije Dhe Traditë

Petullat janë gjithmonë një mënyrë e mirë për të kaluar ditët e ftohta të dimrit.

Këtë radhë AgroWeb.org ju sugjeron një recetë perfekte dhe me shije shumë të mirë.

Nëse jeni mësuar që petullat t’i shoqëroni me djathë, këto që ju këshillojmë t’i provoni e kanë djathin brenda.

Një ndryshim kaq i vogël bën dhe diferencën mes petullave të tjera.

Mund t’i shoqëroni edhe me reçel nëse dëshironi, për të bërë një kombinim mes të kripurës dhe të ëmblës.

Provojini që sot dhe kënaquni me një shije vërtet mahnitëse.

Përbërësit

400 gr miell

300 ml ujë

20 gr maja të thatë

2 kokrra vezë

200g djathë i bardhë i thërrmuar

Një lugë uthull molle

Kripë

Përgatitja

Si fillim, AgroWeb.org ju udhëzon që në një tas të vogël të tretni majanë me pak ujë të vakët.

Në një tas të madh shtoni miellin, hapni një gropëz në mes, shtoni aty vezët e rrahura, kripën, shtoni uthullën e mollës.

Uthulla e mollës do ndihmojë që petullat të mos thithin shumë vaj.

Punoni brumin duke shtuar ngadalë ujin derisa i gjithë mielli të krijohet në formën e një brumi pak më të trashë se ai i krepave.

Lëreni brumit të pushojë përreth 30 minuta, më pas ngrohni tiganin me vaj dhe sapo vaji të jetë gati nisni të skuqni petullat në madhësinë që preferoni.

Kur të hidhni brumin e petullave hidhni pak nga djathi i thërrmuar, e më pas shtoni dhe pak brumë.

Kthejeni me kujdes nga ana tjetër petullën që të skuqet njëtrajtësisht.

Kur të keni mbaruar vendosini në një pjatë të shtruar me letër kuzhine.

AgroWeb.org ju këshillon që mos ta anashkaloni këtë hap pasi është shumë i rëndësishëm për eliminimin e yndyrës së tepërt.

Më pas mjafton t’i konsumoni të ngrohta për t’u mrekulluar me shijen e tyre perfekte./AgroWeb.org