Postmenopauza – Çfarë Duhet Të Dini Rreth Saj

Postmenopauza është një term për të përshkruar kohën pas kalimit të menopauzës.

Kur jeni në postmenopauzë, cikli juaj menstrual ka ndaluar për më shumë se 12 muaj rresht.

Në këtë fazë të jetës, vitet e riprodhimit kanë përfunduar dhe nuk jeni më në ovulacion (lëshimi i vezëve).

Simptomat e menopauzës që keni përjetuar, mund të bëhen më të buta ose të zhduken plotësisht.

Megjithatë, disa njerëz vazhdojnë të përjetojnë simptoma të menopauzës për një dekadë ose më gjatë pas menopauzës.

AgroWeb.org ju njeh më tepër rreth asaj çfarë ndodh gjatë kësaj periudhe.

Ka tre faza të menopauzës

Perimenopauza është koha para menopauzës. Gjatë saj ciklet menstruale fillojnë të bëhen të çrregullta. Ju mund të përjetoni disa nga efektet anësore të menopauzës, si afshet e nxehta etj.

Menopauza ndodh kur cikli jua menstual ndërpritet për rreth për 12 muaj rresht. Pas kësaj ju hyni në postmenopauzë.

Postmenopauza është koha pas menopauzës, e cila zgjat për të gjithë pjesën tjetër të jetës tuaj. Njerëzit në postmenopauzë janë në një rrezik të shtuar për disa sëmundje shëndetësore si osteoporoza dhe sëmundjet e zemrës. Ndaj duhet të tregohen më të kujdesshëm për shëndetin.

Sa zgjat postmenopauza?

Pasi të hyni në postmenopauzë, nivelet e hormoneve tuaja do të mbeten të ulëta dhe nuk do të keni më perioda mujore. Ju nuk mund të mbeteni shtatzënë sepse vezoret kanë ndaluar lëshimin e vezëve.

Çfarë ndryshimesh hormonale ndodhin pas menopauzës?

Vezoret tuaja prodhojnë shumë pak estrogjen dhe progesteron deri në kohën kur jeni në postmenopauzë. Disa njerëz ende përjetojnë efekte anësore nga nivelet e ulëta të hormoneve.

Në çfarë moshe konsiderohet postmenopuzë?

Nuk ka një moshë në të cilën jeni automatikisht në postmenopauzë. Pasi menstruacionet ju mungojnë për më shumë se një vit, ju jeni tashmë në postmenopauzë pavarësisht nga mosha. Mesatarisht, njerëzit kalojnë në menopauzë rreth moshës 51 vjeç.

Cilat janë simptomat?

Simptomat janë më pak intensive sesa në menopauzë. Në disa raste, ato pothuajse zhduken. Simptomat e vazhdueshme shkaktohen nga nivelet e ulëta të hormoneve riprodhuese.

Disa simptoma mund të jenë:

Afshe të nxehta dhe djersitje gjatë natës

Depresion

Pagjumësi

Lëkurë e thatë

Ndryshime në peshë

Rënia e flokëve

Probleme me urinimin

Nëse simptomat tuaja bëhen më intensive ose ndërhyjnë në jetën tuaj të përditshme, bisedoni me mjekun tuaj.

Çfarë e shkakton gjakderdhjen pas menopauzës?

Gjakderdhja gjatë postmenopauzës nuk është një efekt anësor normal i uljes së niveleve të hormoneve. Në disa raste, nuk përbën ndonjë problem madhor, por në raste të tjera mund të tregojë një infeksion apo sëmundje më të rëndë shëndetsore. Prandaj këshillohet që të kryeni një vizitë gjinekologjike.

A ndalen afshet pas menopauzës?

Disa njerëz vazhdojnë të përjetojnë afshe të nxehta pas menopauzës, që shkaktohen nga ulja e niveleve të estrogjenit dhe kjo nuk është e pazakontë. Por nëse janë shqetësuese ose intensifikohen, flisni me mjekun tuaj për të përjashtuar shkaqe të tjera. /AgroWeb.org

Si Të Pastroni Dyshemenë e Kuzhinës Vetëm Me Dy Përbërës Të Thjeshtë

Dyshemeja e kuzhinës duhet pastruar vazhdimisht pasi ka tendencë të ndotet më shpesh.

Kështu jo vetëm do të mbani pastër ambientin tuaj, por mund të mbroni dyshemenë e re të kuzhinës ose të zgjasni jetën e dyshemesë ekzistuese.

Nëse nuk jeni të sigurt se çfarë është më e mira për dyshemenë e kuzhinës suaj, AgroWeb.org iu sugjeron të provoni një zgjidhje të bërë vetë.

Si të pastroni dyshemenë e kuzhinës me sodë buke ose kripë dhe uthull

Kjo zgjidhje pastrimi funksionon mirë për të gjitha llojet e dyshemeve të kuzhinës, përveç gurit natyror dhe drurit të fortë.

Kombinoni 1/2 filxhan ujë, 1/2 filxhan detergjent për larjen e enëve, 1-2/3 filxhan sodë buke ose kripë dhe 2 lugë gjelle me uthull të bardhë të distiluar.

Përziejeni derisa përbërësit të treten. Hidheni përbërjën në një shishe për spërkatje dhe spërkasni dyshemenë në pjesë të vogla duke e fërkuar më pas me një shtupë.

Në fund kaloni sipër një leckë të njomur me ujë të ngrohtë, për të hequr çdo mbetje të detergjentit dhe ndonjë papastërti.

Mos e anashkaloni shpëlarjen, përndryshe do të mbeten njolla të forta të sodës së bukës që janë të vështira për t’u eliminuar.

Krahas kësaj mënyre AgroWeb.org iu sugjeron të përdorni edhe detergjentin e enëve.

Kjo pasi ai është shumë efektiv në materialet elastike të dyshemesë, si linoleumi dhe vinili, dhe gjithashtu funksionon mirë në pllaka qeramike.

Thjesht shtoni 1 ose 2 lugë gjelle detergjent enësh në 1 kg ujë të ngrohtë dhe përziejeni derisa përbërësit të bashkohen.

Përdoreni tretësirën për të pastruar dyshemenë e kuzhinës. Mos e përdorni atë në dyshemenë prej druri, pasi ato mund të njollosen ose shtrembërohen nga lagështia e tepërt.

Nëse keni parket laminat, së pari shikoni këshillat e prodhuesit. Shumica e laminateve nuk e durojën lagështirën e tepërt. /AgroWeb.org

A Mund të Pihet Uji i Lënë Jashtë Gjatë Natës

Gjatë natës, trupi dehidratohet dhe nevoja për ujë prish gjumin.

Disa njerëz që janë të ndërgjegjshëm ndaj nevojave të organizmit mbajnë gjithmonë ujë pranë krevatit.

Disa mbajnë një shishe apo një gotë të mbushur plot.

Të nesërmen, ata që pijnë ujin nga gota, tregojnë se shija e tij bëhet e çuditshme.

Ata vërejnë një ndryshim në dukje të lehtë të shijes së tij.

Është e vërtetë që uji nuk ka shije, por studimet tregojnë se uji i lënë jashtë pas kontaktit me dioksidin e karbonit në ajër, gjë që ndryshon pehashin e tij.

Çfarë Ndodh Me Ujin E Lënë Jashtë Gjatë Natës

Shija është nga shqisat më të komplikuara thonë ekspertët.

Sipas tyre, nëse njeriu pi ujë nga gota që ka mbushur në mbrëmje, do të mbajë mend në ndërgjegjie shijen e mëparshme të tij.

Gjatë natës, uji në gotë avullon në sasi të vogla.

Një gjë e tillë do të shkaktojë një përqendrim të aromave të substancave të tjera në ajër dhe në gotë.

Shija e tjetërsuar e ujit të lënë jashtë gjatë natës ka të bëjë me ajrin dhe jo ujin, thonë ekspertët.

A Mund Të Pihet Uji I Lënë Jashtë Gjatë Natës?

Për fat të mirë, uji nuk përmban as sheqerna, as yndyrna dhe as proteina të cilat mund të prishen pas një kohe të caktuar.

Pra, uji i lënë jashtë gjatë natës mund të pihet pa problem, gjithmonë nëse në gotë nuk ka rënë ndonjë mizë, mushkonjë a substancë e çuditshme .

Nga ana tjetër, konsumatori duhet të shqetësohet edhe për faktorë të tjerë.

Uji nuk duhet të qëndrojë jashtë për ditë ose javë të tëra dhe më pas të pihet.

Njeriu nuk duhet të përdorë të njëjtën gotë të palarë uji dhe nuk duhet ta ndajë gotën e tij me të tjerët.

Në aspektin e sigurisë, njeriu duhet të jetë i vëmendshëm edhe ndaj larjes së duarve pas shkuarjes në banjë.

Ky hap është i rëndësishëm në parandalimin e transferimit të baktereve nga duart tek uji./AgroWeb.org

Trajtimi i që Largon të Gjitha Papastërtitë nga Fytyra – Kujdesi që Ju Duhet

Në ditët e sotme kujdesi për fytyrën është kthyer në një sfidë të vërtetë, pasi papastërtitë gjenden kudo.

Nuk ka shumë rëndësi nëse keni fytyrë të yndyrshme, të thatë apo mikse, problemet me lëkurën mund të jenë gjithnjë prezente.

Për të shpëtuar nga to, me siguri ju ofrohen me mijëra mënyra çdo ditë, por jo të gjitha prej tyre janë efikase.

AgroWeb.org ju vjen në ndihmë, duke ju sugjeruar një nga trajtimet më natyrale dhe më delikate për kujdesin e lëkurës.

Do të shpëtoni një herë e mirë nga papastëritë, aknet apo probleme të tjera, ndaj mblidhni përbërësit dhe aplikojeni menjëherë në fytyrë.

Përbërësit

1 luge gjelle kos

1 lugë gjelle mjaltë

1 luge gjelle turmerik (erëz, pluhur i verdhë)

1 lugë gjelle vaj ulliri

Përgatitja

Zgjidhni një enë të thellë dhe shtoni brenda të gjithë përbërësit, duke përzier mirë.

Në mënyrë që të formohet një pastë e njëtrajtshme dhe pa kokrriza.

Aplikojeni atë me duar në fytyrë të pastër e deri në fund të qafës dhe lëreni të thahet për 15-20 minuta.

Më pas sipas dëshirës me anë të një pambuku shpëlajeni fytyrën me qumësht duke hequr kështu edhe maskën e krijuar.

Mbajeni qumështin në fytyrë edhe për 5 minuta të tjera e më pas lani fytyrën me ujë të bollshëm si zakonisht.

Këtë hap mund edhe ta evitoni duke e shpërlarë fytyrën direkt me ujë, pasi maska të jetë tharë në fytyrë.

Kur duhet ta aplikoni

Këtë trajtim bëjeni të paktën dy herë në javë ose disa herë në muaj.

Do të vini re zbardhje të lëkurës, largim të akneve në zonën e fytyrës dhe qafës gjithashtu edhe balancim të yndyrës së tepërt.

Përbërësi më i rëndësishëm në këtë trajtim është padyshim turmeriku.

Kjo erzë që vjen nga shafrani i Indisë është një pluhur i verdhë i pasur me shumë antioksidantë.

Kështu që përveçse largojnë toksinat dhe papastëritë ju ndihmojnë edhe në rininë e përhershme fytyrës.

Kjo erëz do të stimulojë promovimin e kolagjenit, elastinës të cilët janë element kyç në mbajtjen e një lëkurë të re e të shëndetëshme.

Mjalti, kosi dhe vaji i ullirit po ashtu njihen për vetitë e tyre antibakteriale dhe shumë kurative.

Këtë maskë është mirë ta aplikoni pasi dilni nga dushi kur poret e fytyrës janë të hapura.

Vlerat dhe veprimi i saj mbi lëkurë do t’ju mahnisë./AgroWeb.org

Petë të Ëmbla me Mollë – Për t’i Shtuar Edhe më Shumë Shije Ditës

Është një ndër ëmbëlsirat më të shijshme dhe më të thjeshta për t’u përgatitur.

Ndonëse me origjinë gjermane, receta e strudelit me mollë sot është bërë pjesë e kuzhinës së çdo shteti në botë.

Me një aromë fantastike dhe kombinim magjik për shijes mes mollëve dhe kanellës, kjo ëmbëlsirë e lehtë është më idealja për t’u përgatitur dhe ofruar miqve apo më të dashurve.

Strudeli me mollë është një ëmbëlsirë që mund të shoqërohet mjaft mirë me kafe, çaj por edhe me akullore të ndryshme.

AgroWeb.org u sugjeron më poshtë recetën fantastike të përgatitjes së strudelit në shtëpi, një mënyrë fantastike për të ëmbëlsuar familjen me një ndër ëmbëlsirat më të shijshme.

Përgatitja e Strudelit me Mollë në Shtëpi

Përbërësit

1kg miell

1 kg mollë

Një lugë gjelle kanellë

200 gr rrush i thatë

250 gr gjalpë i freskët

400 gr sheqer pudër

100 gr galetë (bukë e thekur, e bluar)

Një lugë kafeje me kripë

Përgatitja

Sitim miellin, e hapim në mes, shtojmë kripën dhe e brumosim me ujë të ftohtë si për petë byreku me qëllim që të hapet mirë.

Brumin e lëmë pak në qetësi që të fitojë elasticitet.

Duhet të kemi parasysh që petët të mos thahen se nuk mblidhen kur të përgatisim strudelin.

Mollët i pastrojmë, u qerojmë lëkurën dhe i grijmë në copa të holla, i përzjejme me galetë, sheqer, me rrush të thatë dhe kanellë.

Lyejmë petët me gjalpë dhe i shtrojmë njëra mbi tjetrën.

Përsipër i lyejmë me gjalpë dhe i mbështjellim në formë roleje me mollë në mes.

Strudelin e pjekim në furrë me nxehtësi mesatare dhe e presim në copa si gjithë pastat e tjera.

Shënim: Në vend të petës së zakonshme përdoren edhe petë milfej ose thjesht brumë sfolat.

Kjo ëmbëlsirë serviret e ftohtë./AgroWeb.org

Nëse Keni Probleme me Tretjen Konsumoni më Shumë Fibër – Ushqimet ku ta Gjeni

Fibra është një element thelbësor i një regjimi të shëndetshëm ushqimor.

Pavarësisht domosdoshmërisë së saj, njerëzit nuk marrin sasi të mjaftueshme ditore të fibrës.

Prania e saj në organizëm është thelbësore për tretjen por edhe kundër sëmundjeve të zemrës, diabetit të tipit 2 dhe kancerit të zorrës së trashë.

Fibra gjendet tek disa ushqime siç janë: frutat, perimet, legumet dhe drithi i plotë.

Çfarë Është Fibra?

Fibra është një karbohidrat kompleks (një lloj sheqeri) por krejt ndryshe nga karbohidratet e tjera që shpërbëhen në organizëm në formën e glukozës.

Fibra gjendet në dy forma: e tretshme dhe jo e tretshme.

Fibra e tretshme gjendet tek tërshëra, elbi, fasulet, drithërat e plotë, arrorët, farat, frutat dhe perimet.

Ajo tretet në stomak në formë xhelatinoze dhe siguron që grimcat ushqimore të përthithen më ngadalë duke penguar luhatjet e sheqernave në gjak.

Fibra e patretshme nga ana tejtër përthith lëngjet duke lehtësuar jashtëqitjen dhe penguar konstipacionin.

Ajo gjendet tek drithërat e plotë, frutat, perimet dhe arrorët.

Sasia e Nevojshme e Fibrës Për Shëndetin e Mirë

Një fetë bukë me drith të plotë ofron 4 gramë fibër.

Një lugë gjelle me copa frutash apo perimesh ofron 1 gramë fibër, ndërsa arrorët dhe farat përmbajnë mbi 2 gramë.

Ekspertët rekomandojnë ngrënien e 5 racioneve me fruta dhe perime në ditë për të plotësuar nevojat për fibër.

Udhëzimet e ekspertëve tregojnë se njeriu duhet të konsumojë 30 gramë fibër në ditë.

Përse Duhet Të Hani Drithëra Të Plota

Drithërat e plota treten më ngadalë se ato që janë të përpunuar.

Ekspertët tregojnë se stomaku i njeriut e tret më ngadalë një panine me drith të plotë se një panine normale me miell të bardhë.

Për më tepër, produktet e përgatitura me karbohidrate të përpunuara përmbajnë sasi të mëdha yndyrnash dhe sheqeri.

Ato të ngopin me vështirësi dhe rrjedhimisht bëjnë që njeriu të shtojë më shumë në peshë.

Fibra nga ana tjetër është një aleate shumë e mirë.

Ajo jo vetëm që të ngop dhe përmirëson tretjen por edhe ndihmon kundër mbipeshës dhe kancerit të zorrës së trashë./AgroWeb.org

Djathë i Bardhë Furre me Vaj Ulliri dhe Spec Djegës

Përveç sallatave, pjatave kryesore dhe ëmbëlsirave, tavolina do pasuruar edhe me disa receta të shijshme.

Këto specialitete luajnë rolin e antipastave apo mesoreve për t’i dhënë më shumë shije tryezës.

AgroWeb.org ju sugjeron që të provoni djathin pikant të pjekur në furrë.

Kjo recetë është perfekte për të shoqëruar çdo pjatë duke e bërë zgjidhjen perfekte për çdo rast.

Përbërësit

700g djathë i bardhë

Vaj ulliri

1 spec i kuq djegës

Rigon

Piper i zi

Përgatitja

Pika kyçe e kësaj recete është pikërisht përzgjedhja e djathit.

Ai që duhet të përdorni është djathi i lopës apo i deles, pasi gjithçka lidhet me nivelin e yndyrës.

Duke qenë se djathi do të piqet në furrë ai ka nevojë për yndyrë në mënyrë që të qëndrojë i butë dhe të mos thahet.

Pasi të keni përzgjedhur djathin mund të vazhdoni me hapat e thjeshtë të recetës.

Merrni një tavë jo shumë të madhe dhe spërkateni atë me vaj ulliri.

Mundohuni që të krijoni një shtresë të mjaftueshme pasi djathi nuk duhet të ngjitet në fundin e tavës.

Nëse nuk keni tavë balte mund të përdorni qelqi ose edhe metalike, vetëm duhet të tregoni kujdes gjatë pjekjes.

Vendosni djathin në tavë dhe spërkateni me vaj ulliri, spec djegës të cilin e keni grirë imët, piper të zi.

Rigonin ruajeni për në fund pasi nëse digjet ai i jep një shije të hidhur djathit duke e prishur recetën.

Futeni tavën për t’u pjekur në furrë të ngrohur me 180-200 gradë dhe lëreni për 15-20 minuta.

Kur të shihni që sipërfaqja e djathit ka marrë një ngjyrë të artë është koha për ta larguar djathin nga furra.

Zakonisht kjo recetë shërbehet e ngrohtë ashtu siç është në tavë.

Por nëse dëshironi mund ta vendosni edhe në një pjatë, por sigurohuni që ta spërkatni me lëngun e mbetur në tavë.

Tani mjafton që ta shijoni me të dashurit tuaj për më shumë shije gjatë vakteve në familje./AgroWeb.org

Si të Ruani Shëndetin Tuaj në Këtë Stinë Virozash – Masat Parandaluese

Gripi është një sëmundje ngjitëse e rrugëve të frymëmarrjes.

Viruset infektojnë hundën, fytin dhe ndonjëherë mushkëritë e njeriut.

Në raste të rralla, gripi mund të jetë deri vdekjeprurës.

Në të gjithë historinë e njerëzimit, Hipokrati ka qenë i pari që ka përshkruar qartë dhe saktë simptomat e gripit.

Një nga epidemitë më të tmerrshme të gripit në botë është regjistruar në vitin 1918.

Ky virus i morri jetën 50-100 milionë njerëzve ose 3-5% të popullësisë së botës.

Mjekësia moderne ka bërë progres të jashtëzakonshëm që prej asaj kohe.

Sipas të dhënave të AgroWeb.org, çdo vit bota përballet me një ‘grip të keq’ i cili shoqërohet me simptoma drobitëse për organizmin.

Njerëzit më të rrezikuar nga gripi janë të moshuarit mbi 65 vjeç, fëmijët dhe foshnjet.

Të rrezikuar janë njerëzit me shëndet të dobët, ata të prekur nga sëmundjet kronike, mbipeshë, gratë shtatzëna dhe ata që ushqehen keq.

Masat Parandaluese Kundër Gripit Dhe Të Ftohurës.

Njeriu mund të marrë disa masa të thjeshta për t’i shpëtuar kthetrave të gripit dhe të ftohurës.

Në këtë artikull të AgroWeb.org do të mësoni se si higjena, ushqyerja e shëndetshme dhe gjumi mund t’ju mbrojnë nga gripi.

Higjena

Ju duhet t’i lani duart rregullisht me sapun.

Shmangni turmat, përdorimin e sendeve të përbashkëta në vende publike siç janë stilolapsat apo karrocat e pazarit.

Mos e prekni fytyrën, hundën, sytë dhe gojën me duar të palara.

Ushqyerja E Shëndetshme

Hiqni dorë nga sheqeri.

Ai mund të nënshtrojë sistemin imunitar për orë të tëra.

Merrni probiotikë për të mbështetur sistemin imunitar.

Ushqehuni shëndetshëm dhe rrini larg produkteve të përpunuara.

Stili I Jetesës

Kryeni aktivitet fizik dhe merrni sa më shumë ajër të pastër.

Qëndroni në vende të ngrohta dhe pushoni sa më shumë.

Qeshni sa më shumë sepse e qeshura lufton stresin dhe ushqen imunitetin.

Mundohuni të eliminoni stresin, sepse ai kompromenton sistemin imunitar.

E fundit por jo nga rëndësia, bëni gargarë me ujë të kripur çdo ditë për të pastruar gojën nga viruset.

Si Të Dalloni Gripin Nga E Ftohura

Gripi shoqërohet me dhimbje koke, temperaturë, dhimbje trupi, plogështi.

Ndonjëherë ai shoqërohet me kollë e cila bëhet shumë e ashpër.

E ftohura nuk shoqërohet me dhimbje koke dhe temperaturë.

Megjithatë një person i ftohur mund të përjetojë dhimbje të lehta të trupit dhe ndonjëherë plogështi.

Bllokimi i hundëve, tështimat dhe fyti i acaruar janë më të përhapura tek e ftohura./AgroWeb.org

Rastet Kur Mund të Shmangni Përdorimin e Antibiotikëve

Antibiotikët janë një ndër ilaçet më të konsumuara sot në Shqipëri.

Në fakt, shqiptarët po abuzojnë dhe po i keqpërdorin këto barna të cilat në shumë raste jepen edhe pa recetë.

Të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik thonë se konsumi i antibiotikëve në Shqipëri është i lartë dhe pse i përafërt me vendet e Bashkimit Evropian.

Autoritetet kanë përsëritur thirrjet që përdorimi i antibiotikëve të bëhet vetëm me rekomandimin e mjekut.

Sipas tyre, keqpërdorimi i antibiotikëve mund të shkaktojë rreziqe për shëndetin dhe veçanërisht sistemin tretës.

Një problem madhor që shkakton keqpërdorimi i antibiotikëve është rezistenca e baktereve ndaj këtyre barnave.

Kohët e fundit, bakteret i rezistojnë gjithnjë e më shumë antibiotikëve si pasojë e ndryshimit të pësuar në kohë.

Çdo bakter që i mbijeton një trajtimi me antibiotikë mund të shumohet dhe e gjithë kolonia të marrë aftësinë e rezistencës ndaj ilaçit.

Sipas studimeve, të cilave i referohet AgroWeb.org një e treta ose një e dyta e sasive të antibiotikëve të përdorur nga njerëzit është krejt e panevojshme.

Antibiotikët trajtojnë infeksione bakteriale dhe jo infeksione virale.

Shembuj të këtyre të fundit janë e ftohura, gripi, bronshiti, kolla, infeksionet e veshit, sinozitit.

Marrja e antibiotikëve kur keni një infeksion viral nuk e shëron atë, nuk parandalon sëmundjen e njerëzve të tjerë, mund të ketë efekte anësore dhe të shkaktojë rezistencë ndaj antibiotikëve.

Në këtë artikull të AgroWeb.org do të mësoni për 4 rastet kur mund të mos i përdorni antibiotikët.

Infeksionet e Veshit tek të Miturit

Fëmijët nën 2 vjeç nuk kanë automatikisht nevojë për antibiotikë për të kuruar infeksionin e veshit.

Rëndom, ky infeksion largohet vetë, megjithatë nëse simptomat nuk përmirësohen në 2 \-3 ditë, atëherë mund të merren antibiotikët

Bronshiti

80% e personave që preken nga bronshiti trajtohen me antibiotikë, një trend që kontribuon fort në rezistencën e baktereve ndaj këtyre barnave.

Në vend të antibiotikëve, bronshiti duhet trajtuar me medikamente për menaxhimin e simptomave si kolla dhe dhimbjet.

Sinoziti

Në 90% të rasteve ky problem shkaktohet nga virozat, gjë që i bën antibiotikët krejt të panevojshëm.

Studimet thonë se antibiotikët nuk ofrojnë një përmirësim në simptomat e sinozitit.

Infeksioni Fshikëzës së Urinës

Në këto raste, antibiotikët duhen përdorur vetëm me konsultën e mjekut, ndonëse infeksione të tilla mund të trajtohen me antibiotik me sukses për tre ditë./AgroWeb.org

Si të Pastroni Enët Metalike të Kuzhinës me Metoda Natyrale

Çdo amvisë e mirë e di rëndësinë e të pasurit enë dhe mjete të pastra kuzhine.

Në rastet e një darke të rëndësishme me shumë të ftuar, mjetet dhe enët metalike të kuzhinës duhet të shkëlqejnë.

Asnjë ushqim i shijshëm nuk mund të sërviret me enë dhe mjete të njollosura.

Muzika, vera dhe mikëpritja janë padyshim elementë të rëndësishëm të një darke cilësore, por kënaqësia e syve gjendet tek prezantimi i pjatës.

AgroWeb.org ju sjell më poshtë disa metoda natyrale për të pastruar në mënyrë fantastike enët metalike.

Si Të Pastroni Enët Prej Inoksi

Enët metalike duhen larë me ujë të ngrohtë dhe larës specifik.

Tenxheret kanë nevojë të pastrohen menjëherë pas gatimit sepse kripa dhe aciditeti i ushqimit shkakton dëmtim të shtresës fundore.

Pas larjes, AgroWeb.org ju kujton që tenxheret duhen tharë me një napë pambuku.

Sa më shpejt të thahet tenxherja prej inoksi, aq më të pakëta do të jenë gjasat që në sipërfaqen e saj të ketë njolla.

Njollat tek enët metalike hiqen lehtë duke përdorur uthullën e mollës, lëngun e limonit dhe sodën e bukës.

Pas përdorimit të këtyre substancave natyrale, enët metalike duhen shpërlarë dhe tharë menjëherë.

Si Të Pastroni Enët Metalike

Pastrimi i përqendruar i mjeteve të kuzhinës metalike tingëllon si e dalë jashtë mode.

Megjithatë, në shumë familje shqiptare ka akoma mjete kuzhine të paketuara bukur në valixhet përkatëse të zeza që ruhen me fanatizëm.

Pastrimi i tyre është i një rëndësie të veçantë sepse argjendi dëmtohet lehtë dhe duhet pastruar me kujdes.

AgroWeb.org ju sugjeron që enët metalike e kuzhinës duhen pastruar me dorë duke përdorur larës të butë dhe jo agresiv.

Ato duhen tharë menjëherë që të parandalohen njollat.

Tharja duhet bërë me një napë të butë pambuku që të mos i gërvishtë mjetet e kuzhinës.

Këto mjete të rëndësishme dhe shumë të hijshme duhen pastruar rregullisht dhe duhen mbështjelle me napa pambuku për të siguruar jetëgjatësinë e tyre.

Zgjidhje Pa Kimikate Kundër Njollave në Tenxhere

Çfarë ju nevojitet

  • 1 gotë me uthull
  • 2 lugë gjelle me sodë buke
  • 1 gotë me ujë
  • Pak lëng limoni

Udhëzimet

1. Ndizni sobën.

2. Mbushni pjesën fundore të tenxheres me një shtresë ujë.

3. Shtoni uthullën.

4. Lëreni të marrë një valë.

5. Hiqeni tenxheren nga zjarri dhe shtoni sodën e bukës.

6. Pas pak minutash, zbrazeni tenxheren dhe fërkojeni me larësin e enëve. Nëse është e nevojshme përdorni edhe pak sodë buke të thatë.

7. Nëse haseni me njolla kryeneçe, atëherë përziejeni sodën e bukës me disa pika ujë dhe lyeni njollat në tenxhere. Pas 10 minutash lajeni tenxheren sërish dhe do të shikoni si do të shkëlqejë ajo.

Shënime:

Metoda e mësipërme funksionon shumë mirë për njollat e përftuara nga ushqimet e djegura apo qumështi./AgroWeb.org

Petë të Pjekura me Mish Viçi – E Lehtë në Përgatitje por e Pasur me Shije

Nëse kërkoni receta të cilat nuk i keni provuar më parë, kjo është e duhura.

Ngjason me petanikun me mish, por ka një ndryshim i cili i jep dhe veçantinë e tij në shije.

Me shumë pak përbërës dhe e lehtë në përgatitje, kjo është receta ideale për ju.

Mishi piqet me gjalpë dhe i jep shijen e tij petëve të zhytura në lëng.

E ngrohtë dhe perfekte për ditët kur temperaturat sa vijnë e ulen.

Përbërësit

1 pako me peta të gatshme

700g mish viçi

Kripë

Piper

Bukë e thekur e thërrmuar

200g gjalpë i freskët (nëse dëshironi mund të përdorni vaj ulliri në vend të tij)

Përgatitja

AgroWeb.org ju sugjeron që të nisni me prerjen e mishit në thela mesatare.

Vendosini ato në një tenxhere dhe mbulojini me ujë.

Tani mund ta zieni mishin në zjarr mesatar.

Kur të shihni bulëza të formohen hidhni pak kripë e piper dhe lëreni të ziejë përsëri.

Ndërkohë, AgroWeb.org ju këshillon që të nisni me petët.

Merrni një tavë të rrumbullakët dhe lyejeni me gjalpë dhe spërkateni me pak bukë të thekur të thërrmuar.

Buka e thekur, do të përthithë lagështirën e tepërt dhe nuk do të lejojë që petët të ngjiten.

Hiqeni mishin nga zjarri, ndërsa thelat vendosini në një pjatë që të ftohen.

Merrni dy peta dhe filloni t’i thyeni në pjesë të mëdha.

Shtrojini në tavë që të formoni një shtresë të plotë e që mbulon tërësisht fundin e saj.

Hidhni disa copa gjalpi të cilin e keni prerë në pjesë të vogla me thikë.

Vazhdoni duke përsëritur këto hapa derisa të keni mbaruar tërësisht petat.

Tani, lëngu i mishit do të jetë ftohur pak e AgroWeb.org ju sugjeron që ta hidhni me garuzhde tek tava.

Mundohuni që të hidhni aq sa petët të jenë të mbuluara.

Nëse ato janë të fryra shume, mund t’i shtypni lehtë me dorë duke i thyer ngadalë.

Në fund hidhni dhe pak gjalpë dhe vendosni aty thelat e mishit të cilat i keni prerë edhe në pjesë më të vogla.

Futeni për t’u pjekur në furrë të ngrohur më parë me 200 gradë dhe piqeni derisa uji të jenë përtharë plotësisht.

Nëse shihni që petat nuk janë zbutur mirë, mund të shtoni edhe pak lëng mishi.

Pasi të jetë pjekur këtë lloj byreku mund ta shoqëroni me çdo sallatë, por ajo që shkon më shumë është sallata me lakër turshi./AgroWeb.org

Supë e Plotë me Pulë e Hudhra – Shije dhe Shëndet në Tryezë

Një recetë e cila është perfekte për një drekë të shpejtë dhe pa shumë mundime.

Aroma e limonit që bashkohet me shijen perfekte të pulës krijon një kombinim sa të shëndetshëm por dhe të lehtë.

Majdanozi i përdorur në këtë recetë i jep supës së plotë ndjesinë e freskisë prandaj është dhe ideale për çdo vakt.

Kur ta përgatisni shtëpia do të mbushet me aromën mahnitëse të supës.

AgroWeb.org ju tregon hapat e thjeshtë për ta përgatitur këtë supë që sot për ta shijuar me të gjithë familjarët.

Përbërësit

Gjysmë pule

4 thelpinj hudhrash

4 lugë gjelle me miell

2 lugë gjelle me gjalpë të freskët

1 lugë gjelle me vaj ulliri

1 gotë me lëng pule

3 lugë çaji me lëkurë limoni

Lëngu i 2 limonave

Një tufë me majdanoz të grirë

Kripë

Rigon

Piper i zi

Përgatitja 

Në një tigan hidhni vajin e ullirit dhe vendoseni në zjarr.

Sapo të jetë ngrohur kaloni copat e pulës të cilën e keni shpëlarë më parë me ujë të bollshëm.

Marinojeni mishin e pulës me rigon, piper dhe pak kripë.

AgroWeb.org ju sugjeron që pulën ta linin ë zjarr derisa të marrë një ngjyrë të artë në të dyja anët.

Pasi të kenë kaluar rreth 8-10 minuta hiqini copat e mishit nga zjarri duke i lënë në një pjatë.

Shtoni gjalpin në tigan dhe vendoseni përsëri në zjarr, shtoni dhe hudhrën e shtypur dhe përzieni me një lugë druri derisa hudhra të lëshojë aromën e saj.

Shtoni miellin dhe duke e përzierë gjatë gjithë kohës, do ta skuqni miellin derisa të ketë marrë një ngjyrë të kafenjtë.

Ngadalë shtoni në tigan lëngun e mishit të pulës dhe më pas lëngun e limonit.

AgroWeb.org ju këshillon që të përzieni gjithmonë fundin e tiganit me lugë druri, pasi aty mblidhet mielli.

Diçka e tillë do të parandalojë ngjitjen dhe djegien e miellit.

Kur të kenë kaluar përreth 2-3 minuta, ulni flakën e zjarrit  dhe lëreni të kthejë valë.

Më pas shtoni lëkurën e limonit të grirë me rende dhe përzieni që të krijohet një masë e plotë.

Vendosni përsëri copat e mishit në tigan dhe lëreni që të ziejë rreth 10 minuta.

Ndërkohë që pula zien, grini në copa jo shumë të imta majdanozin.

HIqeni pulën nga zjarri dhe lëreni të ftohet përreth 5 minuta përpara se të shtoni majdanozin.

Kur ta servirni mjafton që ta ndani nëpër pjata dhe ta spërkatni me pak vaj ulliri.

Nëse dëshironi copat e mishit të pulës mund t’i prisni dhe të vogla. Kështu do të shkurtoni akoma dhe më shumë kohë.

Kjo recetë është për 2-3 persona, por mjafton që të dyfishoni sasinë e përbërësit dhe do të keni akoma dhe më shumë nga supa perfekte për të shijuar./AgroWeb.org

3 Arsye të Forta Përse Duhet të Hani më Shumë Arra

Arrat janë ndër arrorët më të mirë për shëndetin e njeriut.

Ato përmbajnë yndyrna të shëndetshme, vitamina, minerale, antioksidantë dhe enzima që kanë vlera të fuqishme mjekësore.

Arrat njihen kryesisht për rëndësinë e tyre në mbrojtjen e shëndetit mendor.

Forma e tyre e ngjashme me atë të trurit tregon për lidhjen e ngushtë që ata kanë.

Jo më kot konsumimi rregullisht i arrave forcon kujtesën dhe përshpejton përçimin e sinjaleve nervore.

Nëse arrat janë ndër arrorët tuaj të preferuar zbuloni 3 përfitimet më të mëdha që ofrojnë ato për shëndetin tuaj.

Arrat Për Stomakun

Mirëmbajtja e shëndetit të stomakut dhe të aparatit tretës në përgjithësi është hapi më i mirë që mund të ndërmerrni për organizmin.

Mikrobioma e stomakut ka nevojë për probiotikë dhe prebiotikë që të ruajë balancat e baktereve të mira dhe të këqija.

Ekspertët thonë se arrat shërbejnë si prebiotikë dhe rrisin volumin e baktereve të mira në stomak.

Ngrënia e rregullt e arrave parandalon inflamacionin, isheminë dhe kancerin e zorrës së trashë.

Arrat Për Rënien Nga Pesha

Arrat përmbajnë kalori, e megjithatë janë të pasura me fibër e cila ju mban të ngopur për shumë gjatë dhe përshpejton metabolizmin.

Studimet thonë se arrat janë ideale për rënien nga pesha nëse konsumohen me mature.

Ato përshpejtojnë djegien e yndyrnave dhjamore dhe frenojnë oreksin.

Arrat Për Trurin

Siç e thamë edhe më lart, arrat konsiderohen si një prej ushqimeve më të mira për shëndetin e trurit sepse janë të pasura me acide yndyrore omega-3.

Konsumi i 10 gramë arra në ditë përmirëson aftësitë reaguese të trurit, përpunimin e informacionit, kujtesën dhe përqendrimin.

Duke qenë se ato janë të pasura me antioksidantë dhe acide yndyrore polio-të-pangopura dhe substanca që luftojnë inflamacionin, ekspertët thonë se duhen konsumuar çdo ditë në të mirë të trurit.

Ato ngadalësojnë dhe pengojnë plakjen e parakohshme të trurit dhe ulin rrezikun e sëmundjeve nervore në fazat e mëvonshme të jetës. /AgroWeb.org

Rukola – Burimi i Mineraleve që Ju Duhen për Uljen e Tensionit të Gjakut

Rukola është një barishte me dhunti të shumta për shëndetin e mirë.

Ajo përdoret kryesisht në sallata, por edhe mund të gatuhet krahas perimeve të tjera.

Sipas të dhënave të AgroWeb.org, shqiptarët e kanë kultivuar rukolën pas viteve 90’, ndërkohë që vendet e tjera të Mesdheut e kanë kultivuar këtë barishte prej më shumë kohësh.

Rukola i përket familjes botanike së lakërishteve që përfshin brokolin, lakrën dhe lulelakrën.

Kjo barishte është plot me aq shumë vitamina, minerale dhe ushqyes, saqë është ndër të paktat që mbështet të gjitha sistemet e organizmit.

Rukola Për Uljen e Tensionit të Gjakut

Rukola është një nga burimet më të pasura të nitrateve dhe përmban gjashtë herë më shumë nitrate se sallata jeshile.

Kjo është diçka shumë e mirë për organizmin.

Sipas ekspertëve të AgroWeb.org, kur hyn në trup, nitratet transformohen në një substancë që ka aftësinë të hapë enët e gjakut dhe të lehtësojë qarkullimin e tij.

Në këtë mënyrë, rukola ndihmon në uljen e tensionit të lartë të gjakut.

Përveç tensionit të gjakut, kjo barishte ndihmon edhe në uljen e nivelit të kolesterolit.

Ajo përmban vitaminën B5 e cila njihet për aftësinë që ka në uljen e nivelit të kolesterolit të keq dhe mirëmbajtjen e nivelit të kolesterolit të mirë.

Nga ana tjetër, rukola përmban vitaminë  K që lufton inflamacionin dhe forcon shëndetin e kockave, duke parandaluar në të njëjtën mënyrë edhe shfaqjen dhe zhvillimin e artritit.

Një vlerë e shtuar e vitaminës K është edhe ndihma që i jep organizmit për të përthithur kalçiumin, duke i dhënë një mbështetje të fortë personave që vuajnë nga osteoartriti.

Si ta Përfshini më Shumë rukolën në Ushqimin Tuaj

Ekspertët e AgroWeb.org këshillojnë që të përpiqeni të hani rukola të paktën 2 herë në javë.

  • Shtojeni në salca të ndryshme për të përfituar shijen e mprehtë dhe therëse.
  • Përdoreni me produkte deti të gatuara në zgarë.
  • Prijeni hollë dhe hidheni në pica ose makarona përpara se t’i servirni.
  • Përdoreni në sallatë krah barishteve të tjera për një shije të shumëfishtë.
  • Përgatisni panine me djathë, rukola dhe domate.
  • Prijeni hollë dhe përdoreni në omletë, ose me djathë dhe patate të pjekur në furrë.
  • Shtojeni në përzierjet dhe shtrydhjet e frutave dhe perimeve për një lëng me shumë vlera.
  • Shtojeni në perimet e kavërdisura, makarona, supa, dhe salca./AgroWeb.org

Sa Sheqer Duhet t’i Hidhni Kafes dhe Kujdesi që Duhet të Tregoni

Sigurisht, dita e të gjithëve nis me kafen e mëngjesit. Dikush e pi në shtëpi, dikush në kafene e dikush tjetër në zyrë.

Të gjithë i drejtohemi kafesë pavarësisht kemi ngrënë apo jo mëngjes.

Kafeja është një nga pijet më të rëndësishme për të nisur ditën çdo mëngjes.

Ajo është transformuar në një përbërës tejet të nevojshëm për një paradite energjike.

Studimet konfirmojnë se njerëzit mund të heqin dorë nga alkoli, por e kanë të pamundur të heqin dorë nga kafeja e mëngjesit.

Studimi në fakt nuk vlen për të gjithë, por nënvizon rëndësinë e kafesë në jetën e shumë njerëzve.

E megjithatë, disa preferojnë ta pijnë kafen pa përbërës të tjerë shtesë siç është sheqeri, e disa tjetër as që e mendojnë kafen e hidhur pa pasur pak ëmbëlsi.

Por sa e shëndetshme është kafja me sheqer dhe cila është sasia e rekomanduar e sheqerit që duhet të hidhet sipas sasisë së kafes që pini?

Të gjitha këshillat e nutricionistëve bashkohen në një pikë vetme: Mos e tepëroni me sheqerin!

Sipas të dhënave, të cilave i referohet AgroWeb.org për një filxhan të vogël normal kafeje ekspres, i cili përmban 30 ml kafe të lëngshme sasia e toleruar e mundshme për të shtuar sheqer është vetëm 3.1 gramë.

Çka do të thotë më pak se një lugë çaji sheqer apo një lugë kafeje e pak.

Sipas studimeve të ndryshme, një lugë e plotë çaji me sheqer në një filxhan kafeje ekspres e rrit përqindjen e sheqerit në më të lartë se sa sasia e sheqerit që përmban një gote me coca-cola.

E njëjta gjë vlen edhe për kafen turke, e cila zakonisht përgatitet në shtëpi.

Ndërkohë, për një filxhan të madh me kapuçino, e cila përmban 25 ml kafe dhe 85 ml qumësht sasia e toleruar e mundshme për të shtuar sheqer është vetëm 7 gramë.

Çka do të thotë më pak se dy lugë çaji me sheqer.

Pra, një lugë çaji e pak.

Sasia ditore e rekomanduar nga OBSH

Organizata Botërore e Shëndetësisë, të cilës i referohet AgroWeb.org rekomandon një sasi prej 25 gr sheqer si sasi e shëndetshme dhe e lejuar ditore.

Ose e thënë ndryshe 6 lugë çaji sheqer.

Por kujdes, kjo sasi rekomandohet përgjatë gjithë ditës në varësi të ushqimeve që konsumoni duke përfshirë dhe kafen krahas ushqimeve të tjera./AgroWeb.org

Katër Kura dhe Trajtimet Natyrale Kundër Dhjamit të Tepërt të Mëlçisë

Dhjamosja e mëlçisë është një problem shëndetësor që ka të bëjë me akumulimin e sasive të mëdha të triglicerideve të yndyrës në qelizat e këtij organi.

Mëlçia është e rëndësishme sepse mbron organizmin nga substancat e dëmshme dhe toksinat që ne marrim me ose pa dashje nëpërmjet pijeve dhe ushqimeve.

Mëlçia është gjithashtu nga të paktat organe që pavarësisht dëmtimit ose përgjysmimit mund të rritet e zhvillohet si e tërë.

Ky organ filtron 1.4 litra gjak në minutë.

Mirëmbajtja e saj është e gjitha në varësi të njeriut.

Të qenit mbipeshë, në moshë të rritur ose të plakur, tensioni i lartë i gjakut dhe yndyrnat janë faktorë rreziku për shfaqjen e këtij problem.

Më poshtë do të mësoni nga AgroWeb.org për disa kura natyrale që e shpëtojnë mëlçinë nga ky problem.

Xhenxhefili

Xhenxhefili përmirëson tretjen, sistemin respirator dhe atë të qarkullimit.

Ai është gjithnjë i rekomandueshëm për djegien e yndyrnave dhe detoksifikimin.

AgroWeb.org ju udhëzon të merrni nje zhardhok mesatar të xhenxhefilit, qërojeni dhe prijeni në copa.

Ziejini në 500 ml ujë dhe pasi të valojë për 10 minuta, lëreni të ftohet.

Këtë lëng mund ta pini esëll për 15 ditë me rradhë.

Argjinarja

Nëse dëshironi të përmirësoni shëndetin e mëlçisë, atëherë AgroWeb.org ju udhëzon duhet të përfshini argjinaren në regjimin tuaj ushqimor.

Ajo ngadalëson përthithjen e yndyrnave në organizëm.

Përbërësit

4 argjinare të freskëta

2 limonë

1 litër ujë

Përgatitja

Ziejini argjinaret në ujë dhe më pas shtoni limonët.

Lërini të zihen për 20 minuta.

Më pas kullojeni lëngun dhe pijeni esëll për 15 ditë.

Gjembgomari

Gjembgomari ndihmon jo vetëm në pastrimin e mëlçisë por edhe parandalon formimin e gurëve në tëmth.

AgroWeb.org ju udhëzon të zieni tre degë të gjembgomarit në 3 gota me ujë.

Pas 15 minutash, hiqeni tenxheren nga zjarri dhe lëreni lëngun të ftohet.

Lëngun duhet ta pini tre herë në ditë përpara vakteve.

Rrepka Për Shëndetin E Mëlçisë

Kjo perime e shëndetshme ndihmon në pastrimin e organizmit dhe mëlçisë.

Ajo është e mirë për rigjenerimin dhe shërimin e saj.

Merrni dy rrepa të kuqe, 250 ml ujë dhe përziejini në një mikser deri sa të përfitoni një masë homogjene.

Lëngun duhet ta pini një herë në dy ditë.

Gjatë kohës së përdorimit të kurave të mësipërme, duhet që të shmangni konsumin e ushqimeve të yndyrshme, bulmetit, pijet e gazuara, ëmbëlsirat dhe alkolin./AgroWeb.org

* Ky informacion ka për qëllim të plotësojë, të mos zëvendësojë këshilla nga mjeku juaj ose ofruesi i kujdesit shëndetësor dhe nuk ka për qëllim të mbulojë të gjitha përdorimet e mundshme, masat paraprake, ndërveprimet ose efektet negative. Ky informacion mund të mos i përshtatet rrethanave tuaja specifike shëndetësore.

Receta E Makaronave Me Pana Dhe Salcë Domatesh

Një pjatë e parë e thjeshtë dhe e shijshme, klasikja kuzhinës italiane, ajo është perfekte për një drekë familjare apo një darkë me miqtë.

Receta është shumë e njohur edhe në versione të ndryshme, të cilat ndajnë përbërësit bazë: salcë domatesh dhe pana, për një rezultat të parezistueshëm.

Për këtë recetë AgroWeb.org sugjeron makaronat pene, sepse ato i përshtaten më shumë kësaj lloj përgatitjeje, por mund t’i zëvendësoni edhe me lloje të tjera makaronash.

Në versionin tonë, salca pasurohet me proshutë, por ju mund të përdorni salmon të tymosur ose copa peshku të freskët.

Dhe nëse keni mysafirë vegjetarianë, mund të eliminoni sallamin dhe të shtoni kunguj të njomë të prerë në kubikë, bizele ose kërpudha të skuqura.

Përbërësit

320 g makarona penne

100g proshutë e pjekur

300 gr pana

4 lugë gjelle pastë domatesh

majdanoz

vaj ulliri

Kripë dhe piper për shije

Përgatitja

Filloni duke përgatitur përbërësit, prisni imët majdanozin dhe lëreni mënjanë.

Prisni edhe proshutën në copa të vogla.

Në një tigan që nuk ngjit hidhni pak vaj.

Shtoni proshutën dhe skuqeni për një minutë.

Hidhni panën dhe përziejeni.

Shtoni domatet  dhe spërkateni me kripë dhe piper. Gatuajeni për 10 minuta.

Ndërkohë zieni makaronat.

Kur makaronat të jenë gati shtoni sipër tyre salcën dhe spërkatini me majdanoz.

Përziejini dhe shëbejini makaronat të ngrohta. /AgroWeb.org

4 Arsye Pse Nuk Duhet T’i Shpëlani Enët Përpara Se T’i Vendosni Në Pjatalarëse

Sipas një studimi në të cilin AgroWeb.org është mbështetur, rezulton se enët nuk duhen shpëlarë përpara se t’i vendosni në lavastovilje. Arsyeja? Detergjenti do të funksionojë më mirë në enët e pista.

Megjithatë, kjo është ende një temë e diskutueshme, ku shpesh njerëzit kanë mendime të kundërta.

AgroWeb.org ju njeh më poshtë edhe me disa arsye të tjera që hedhin poshtë mendimin se enët duhen shpëlarë para se t’i vendosni në lavastovilje.

Mund të rezultojë një larje jo e plotë

Shumica e lavastoviljeve moderne kanë sensorë që mund të tregojnë se sa të pista janë enët. Kështu në përputhje me rrethanat, ato e zgjedhin vetë gjatësinë e ciklit dhe temperaturën e duhur.

Dhe nëse ju i pastroni enët dhe më pas i vendosni në makineri, makineria do të “mendojë” se nuk ka ushqim të pranishëm dhe do të zhvillojë një cikël më të shkurtër. Kështu enët tuaja nuk do të pastrohen në mënyrën e duhur. Megjithatë, kjo vlen vetëm për disa lloje lavastoviljesh moderne.

Enët duhet të jenë të pista që detergjenti i enëlarëses të funksionojë siç duhet

Enzimat që gjenden në detergjent janë krijuar për t’u lidhur me grimcat e ushqimit dhe pa ushqim kjo nuk mund të ndodhë. Si rrjedhojë enët nuk do pastrohen ashtu siç dëshironi ju.

Teknologjia e avancuar në lavastoviljet e ditëve të sotme, do të thotë se ato janë krijuar për të pastruar më së miri edhe enët e papastruara.

Shpëlarja paraprake është një humbje e ujit dhe energjisë

Lavastoviljet e sotme përdorin nga 3 deri në 5 litra ujë për larje, por nëse i lani enët me dorë, do të përdorni edhe më tepër ujë. Ju gjithashtu do të përdorni dyfishin e sasisë së energjisë elektrike.

Shfrytëzoni më mirë kohën tuaj të çmuar

Nëse jeni një nga ata njerëz që zotëroni një makinë larëse enësh, por ende i lani enët me dorë, duhet të dini se po shpenzoni kohën tuaj kot.

Përdorimi i një makinë larëse enësh mund t’ju kursejë 230 orë, që janë 10 ditë larje enësh në një vit. /AgroWeb.org

Nepsi Gjatë Shtatzanisë – Një Mit Apo Realitet ?

Frutat, ëmbëlsirat, çokollatat e madje edhe racionet e mëdha me patate të skuqura, janë ndër ushqimet e zakonshme për të cilat gratë shtatzëna, veçanërisht në muajt e parë, kanë një dëshirë të papërmbajtshme për t’i konsumuar në çdo kohë të ditës ose të natës.

Për t’i shtuar kompleksitetin temës, ekziston edhe besimi se nëse nëna nuk i konsumon këto ushqime në momentin që i kërkon, foshnja do të zhvillojnë anomali, si për shembull njolla të vogla në lëkurë.

Por pse gratë kanë dëshira të tilla gjatë shtatzënisë? Dhe cila është arsyeja se përse ky fenomen ndodh, AgroWeb.org ju fton ta zbuloni më poshtë.

A është nespi gjatë shtatzënisë një mit apo realitet?

Teoritë dhe studimet e ndryshme nuk bien dakord për origjinën e këtij fenomeni, megjithatë nuk mungojnë sugjerimet dhe shpjegimet e mundshme.

Në raste dyshimesh, mund të themi se dëshirat mund të jenë fizike, se mund të shfaqen për shkaqe psikologjike ose të lidhen me prodhimin hormonal të gruas.

Në mënyrë të detajuar, dëshira e papërmbajtshme për një ushqim të caktuar mund të lexohet  si një lloj “këmbane alarmi” e trupit që sinjalizon një nevojë më të madhe për energji dhe rrjedhimisht kalori, të nevojshme për rritjen e fetusit.

Sipas teorive të tjera, kjo gjë mund të jetë edhe psikologjike, sepse gruaja ndjen dhe shpreh dëshirën për kujdes dhe vëmendje.

Po hormonet? Gjatë muajve të shtatzënisë, ndryshimet hormonale janë intensive dhe të shpeshta.

Dhe padyshim, këto “luhatje” kanë pasoja në ekuilibrin e trupit të femrës. Rritja e prodhimit të estrogjenit mund të çojë në një ndryshim në shqisën e shijes dhe nuhatjes.

Kjo gjë që mund të shpjegojë pse ndodh shpesh që dëshirat të përfshijnë ushqime që mund të mos kenë qenë kurrë të pëlqyera.

Cilat janë ushqimet që gratë kërkojnë më tepër gjatë shtatzanisë?

Ndër ushqimet më të preferuara mund të rendism çokollatën, akulloren, patatet e skuqura dhe mishin e kuq, turshitë, limonin dhe ushqimet pikante.

Në listë nuk mungojnë as ushqimet si hamburgerat, lloje të ndryshme makaronash dhe produktet e detit.

A ndikonjnë dëshirat për një ushqim të caktuar tek shëndeti i foshnjës?

Mund të themi se, sado magjepsës ky besim popullor duket, nuk ka asnjë bazë apo shpjegim mjeko-shkencor.

 Të ashtuquajturat “njolla të lindjes” janë thjesht njolla që shumë shpesh, ndryshojnë ose zhduken plotësisht me kalimin e muajve ose viteve të para të jetës.

Megjithatë, pyetja mbetet: a duhet të kënaqen dëshirat? Edhe pse dëshirat nuk kanë asnjë lidhje me njollat ​​e lëkurës tek të porsalindurit, është e qartë se ato ende përfaqësojnë një dëshirë të gruas, qoftë fizike apo psikologjike nuk ka rëndësi, e cila duhet të plotësohet për ta bërë atë të ndihet më mirë. /AgroWeb.org

7 Gjërat Që Mund Të Riparoni Fare Lehtë Me Manikyrin E Thonjve

Manikyri mund të përdoret për shumë më tepër sesa thjesht për t’i dhënë ngjyrë dhe bukuri thonjve tuaj.

Ju mund ta shfrytëzoni manikyrin për të riparuar dëmtimet që mund të ketë pësuar një veshje ose sipërfaqe të ndryshme.

AgroWeb.org ju njeh më poasht me disa mënyra se si mund të përdorni me zgjuarsi manikyrin.

Lëmoni një sipërfaqe druri të dëmtuar

Ju mund të limoni një sipërfaqe druri me një shtresë manikyri pangjyrë, ndërsa për sipërfaqet e gërvishtura, së pari gjeni një ngjyrë që përputhet me llojin e drurit tuaj.

Parandaloni njollat ​​e ndryshkut

Lyejeni pjesën e poshtme të kanaçeve metalike me manikyri të tejdukshëm për të parandaluar zhvillimin e ndryshkut dhe njollosjen e sipërfaqeve ku i mbani këto sende.

Ndaloni zgjerimin e një grimë në geta

Që një vrimë të vogël në geta që të mos përhapet edhe më tepër, ju mund të lyeni vendin e dëmtuar me një manikyr të tjedukshëm.

Ndaloni përkeqësimin e plasaritjes së xhamit të makinës

Ndaloni një çarje të vogël të xhamit të përparmë të makinës të përparojë, duke e lustruar me një manikyr të tejdukshëm.

Lyeni vendin e plasaritur në të dy anët e xhamit. Lëvizeni makinën në diell për ta lënë të thahet.

Edhe pse sërisht do t’ju duhet të riparoni xhamin, ju do të fitoni më tepër kohë derisa ta bëni këtë.

Lyeni kokat e lidhëseve të dëmtuara të këpucëve

Nëse koka e lidhëses është dëmtuar dhe nuk hyn me lehtësi në vrimat e këpucës, provoni ta lyeni me një manikyr të tejdukshëm. Jepini formë dhe lëreni të thahet.

Fshihni shenjat e gërvishtjeve në këpucë ose çantë

Mbushni një gërvishtje me një manikyr që përputhet me ngjyrën e çantës ose këpucës tuaj. Askush nuk do ta vërë re!

Parandaloni ndryshkjen e vendit të gërvishtur në makinë ose biçikletë

Një gërvishtje e vogël ose pjesë ku boja është copëtuar mund të shkaktojë ndryshk sapo pika të ekspozohet ndaj elementeve klimaterikë. /AgroWeb.org