Mish Pule me Shegë dhe Arra – Tava e Shijshme e Dimrit

Mishi i pulës është jo vetëm i shijshëm, por edhe i shëndetshëm.

Mishi i pulës është një nga ushqimet më të pasura me kolagjen, vitaminat e kompleksit B, magnez, kalium, fosfor dhe zink.

Ai është i lehtë për stomakun dhe ofron shumë proteinë të domosdoshme për mirëqenien e organizmit.

Mënyrat e gatimit të  mishit të pulës janë të larmishme, megjithatë pjekja dhe zierja në supë janë  alternativat më të shëndetshme.

Mish Pule Me Shurup Shege Dhe Arra

Në këtë artikull të AgroWeb.org do të mësoni një recetë interesante dhe e freskët në përbërës.

Përbërësit:

4 lugë gjelle shurup shege, (mund ta përgatisni duke zierë 4-5 lugë lëng shege me 2 lugë gjelle sheqer dhe pak lëng limoni)

2 lugë gjelle vaj ulliri,

2 lugë gjelle salcë domate,

2 lugë çaji sheqer,

Gjysmë lugë çaji piper të zi,

Gjysmë lugë çaji kanellë pluhur,

1 kg fileto pule ose kofshë pule,

2 qepë të kuqe

80 gramë kokrra shege,

30 gramë arra

Përgatitja

Mishi i pulës duhet të jetë i freskët që të ofrojë të gjitha vlerat dhe shijen e mirë.

Mësoni këtu si ta dalloni nëse ai është i freskët apo jo.

Gatimi i kësaj recete nis me krijimin e një salce të mirëfilltë marinimi.

Merrni një enë të madhe qelqi dhe hidhni në të shurupin e shegës, vajin e ullirit, salcën e domates, sheqerin, kanellën, piperin e zi dhe pak kripë.

Përziejini mirë dhe më pas fusni filetot ose kofshët e pulës dhe qepët.

Sigurohuni që mishi i pulës të jetë i mbuluar plotësisht me këtë salcë interesante marinimi.

Mbulojeni enën me kapak dhe lëreni në frigorifer për 30 minuta ose gjatë gjithë natës.

Ndizeni furrën në 200°C.

Hiqeni enën me mish pule nga frigoriferi dhe jepini kohë që të arrijë temperaturën e ambientit.

Më pas hidheni mishin e pulës me gjithë salcën e marinimit në një tepsi dhe lëreni mishin e pulës të piqet për 35-40 minuta.

Përpara se ta servirni, në pjatë hidhni edhe pak kokrra shege dhe arra.

Këtu do të mësoni edhe një mënyrë tjetër gatimi të mishit të pulës.

Ju bëftë mirë!/AgroWeb.org

Ana e Errët e Miellit të Bardhë të Përpunuar – Cila Bukë Këshillohet

Të dhënat e Eurostat tregonë se shqiptarët shpenzojnë më shumë para për bukë dhe drithëra në raport me të ardhurat.

Të njëjtat të dhëna tregojnë se në aspektin e fuqisë blerëse, shqiptarët shpenzojnë 4 herë më shumë se një evropian për blerjen e bukës dhe ushqimeve.

Konsumi ditor për person i bukës në vend llogaritet në 300 gramë.

Shqetësimet për miellin e përdorur nga furrat e bukës kanë arritur majat në vend.

Ndërkohë  konsumatori përballet me një siguri ushimore të cunguar dhe AgroWeb.org ka shkruar shumë artikuj për këtë..

Nga një vrojtim i thjeshtë i furrave të bukës në vend, zbulon pa shumë mund se mielli i bardhë  i përpunuar është kryesori në përgatitjen e bukës.

Çfarë Është Mielli I Bardhë I Përpunuar

Një drith përbëhet nga fibra e jashtme të grurit (krundja), nga thelbi (embrioni) dhe shtresa e mesme e dendur në karbohidrate.

Pjesa e jashtme e drithit është e pasur me fibër, antioksidantë dhe vitamin B.

Embrioni përmban minerale, proteina dhe yndyrna.

Gjatë bluarjes së grurit, kompanitë e prodhimit të miellit heqin krunden dhe embrionin dhe lënë vetëm shtresën e brendshme plot karbohidrate të grurit.

Për ta bërë miellin më të ‘shëndetshëm’, kompanitë prodhuese e pasurojnë atë me ushqyesit bazë për të cilat ka nevojë organizmi.

Megjthatë, sado i ‘pasuruar’ të jetë, mielli i bardhë mbetet jo me të gjitha vlerat

Ndikimi I Miellit Të Bardhë Në Shëndet

Mielli i bardhë është kryesisht plot karbohidrate por edhe niseshte.

Konsumi i këtij mielli dhe produkteve të tij e çon trupin në një maratonë luhatjesh të sheqerit në gjak.

Mielli i bardhë është praktikisht një karbohidrat i përpunuar.

Ai ka një kontribut të fortë tek obeziteti dhe mbipesha.

Mielli i bardhë i përpunuar ka një nivel të lartë glicemie.

Kjo do të thotë se rrit ndjeshëm nivelet e sheqerit në gjak dhe trazon nivelet e insulinës.

Studimet, të cilave u referohet AgroWeb.org, kanë treguar se njerëzit që konsumojnë sasi të mëdha të këtij mielli janë më të rrezikuar nga sëmundjet kardiovaskulare dhe inflamacioni.

Njerëzit që hanë shumë miell të bardhë vuajnë edhe nga tretja problematike.

Zgjidhja më e mirë për çdo konsumator është buka integrale, ajo e bërë me 100 përqind drithëra të plotë.

Drithërat e papërpunuar përmbajnë natyralisht vitaminën B e proteinat, që garantojnë një paraqitje shumë më rinore të lëkurës dhe të flokëve./AgroWeb.org

Supa me 52 Thelpinj Hudhra – Më e Fortë se Antibiotikët

Kura më e fortë natyrale kundër gripit, të ftohurës dhe virozave.

Kjo është një ndër recetat më të famshme në mbarë botën, e njohur për fuqinë e saj shëruese dhe shkatërruese të të gjitha komplikacioneve shëndetësore që vijnë nga viroza të ndryshme.

Kjo supë ka si përbërës kryesor hudhrën, e cila njihet si përbërësi natyral 100 % më i efektshëm se çdo antibiotik tjetër që përdoret kundër virozave bakteriale.

E veçanta e kësaj recete janë përbërësit dhe më konkretisht numri i hudhrave të përdorura.

Pavarësisht se duket një sasi e madhe hudhrash është pikërisht kjo sasi që ndihmon organizmin të rigjallërohet duke luftuar edhe simptomat më të rënda të gripit edhe të së ftohurës.

AgroWeb.org ju sjell më poshtë recetën e kësaj supe, e cila vjen jashtëzakonisht në ndihmë këtë periudhë kur gripi, e ftohura dhe virozat janë shumë prezente.

Përgatitja e Supës Shëruese me Hudhra

Përbërësit

(Përbërësit më poshtë janë për 4 persona)

26 thelpinj hudhra ( të paqëruara )

2 lugë gjelle vaj ulliri

2 lugë gjelle gjalpë i freskët

Gjysmë luge çaji me piper të kuq

Gjysmë e filxhanit të çajit me xhinxher të grirë

2 kokrra qepë

1 lugë e gjysmë çaji me trumzë ose majdanoz të grirë

26 thelpinj hudhre të qëruara

Gjysmë filxhan çaji me qumësht

3 filxhan e gjysmë çaji me ujë ose lëng perimesh

1 kokërr limoni ( I ndarë në katër pjesë)

Kripë

Përgatitja

Si fillim, AgroWeb.org ju udhëzon të parangrohni furrën në 250 gradë.

Merrni një tavë të vogël, vendosni në të letër pjekjeje, shtoni aty hudhrat e paqëruara, spërkatini me dy lugë vaj ulliri dhe pak kripë dhe përziejini me njëra tjetrën.

Mbulojini hudhrat me letër pjekjeje dhe futini të piqen përreth 45 minuta derisa lëkura e tyre të marrë ngjyrë të artë dhe thelpinjtë brenda të zbuten.

Pasi të jenë gati, me kujdes largoni lëkurat e hudhrave të pjekura për të nxjerrë thelpinjtë brenda. Vendosini në një tas dhe lërini mënjanë.

Vendosni një tenxhere në zjarr mesatar, shtoni aty gjalpin dhe lëreni derisa të shkrijë, shtoni aty qepët e grira hollë, trumzën ose majdanozin e grirë, xhenxhefilin e grirë, piperin e kuq dhe kaurdisini herë pas herë përreth 5-6 minuta derisa volumi qepëve të bjerë.

Shtoni më pas, 26 thelpinjtë e hudhrave të pjekura dhe 26 thelpinjtë e hudhrave të qëruara. Kaurdisini të gjitha bashkë duke i lënë të gatuhen përreth 3 minuta.

Në vijim, shtoni ujin ose lëngun e perimeve dhe lërini të ziejnë të gjitha bashkë derisa hudhrat e qëruara që shtuam të zbuten tërësisht përreth 20 minuta.

Pasi të jetë gati, kalojeni supën në mikser derisa masa të bëhet homogjene. Pasi ta keni kaluar në mikser vendoseni sërish tenxheren në zjarr dhe shtoni masën e qumështit, kripë dhe piper sipas dëshirës, lëreni të ziejë për pak minuta dhe është gati.

Kur ta servirni, shtrydhni një nga katër pjesët e limonit të ndarë në secilën nga katër pjatat. Personat të cilët vuajnë nga tensioni i ulët duhet të tregojnë kujdes pasi sasia e hudhrës që është përdorur në recetë mund të ndikojë në uljen e presionit të gjakut./AgroWeb.org

Kura me Kanellë Kundër Diabetit – Si e Mban nën Kontroll Sheqerin në Gjak

Kanella është një erëz e shkëlqyer për shëndetin e njeriut dhe veçanërisht për diabetikët.

Ajo ndihmon në uljen e nivelit të sheqerit në gjak, përmirësimin e ndjeshmërisë ndaj insulinës (sa më e madhe të jetë ndjeshmëria ndaj insulinës, aq më pak sasi insulinë kërkon trupi), pengon luhatjet e glukozës në gjak.

Kanella bëhet kështu një erëz e domosdoshme për njerëzit e prekur nga diabeti i tipit 2.

Kjo sëmundje kompromenton mënyrën se si organizmi i kundërpërgjigjet hormonit të insulinës.

Për pasojë, metabolizimi i karbohidrateve bëhet anormal ndërkohë që nivelet e glukozës në gjak rriten.

Sipas ekspertëve, të cilëve u referohet AgroWeb.org kanella mund të imitojë insulinën dhe të përmirësojë ndjeshmërinë ndaj këtij hormoni.

Qelizat i përgjigjen më mirë insulinës dhe transporti i glukozës është më i lehtë.

Kësisoj, kanella është një kurë natyrale jo vetëm për diabetikët por edhe për njerëzit e prekur nga faza fillestare e sëmundjes.

Shkencëtarët shpjegojnë se pas ngrënies së ushqimit, sidomos të karbohidrateve, nivelet e sheqerit në gjak rriten ndjeshëm.

Luhatjet në nivelin e sheqerit në gjak rrisin rrezikun e diabetit dhe stresit oksidues.

Sipas të dhënave të AgroWeb.org, konsumi i kanellës bashkë me ushqimet e pasura me karbohidrate mund të ngadalësojë ritmin e zbrazjes së stomakut nga ushqimi.

Ata besojnë se kanella bllokon enzimat tretëse që shpërbëjnë karbohidratet duke ulur sheqerin në gjak pas ngrënies së ushqimit.

Kanella është e dobishme në luftimin e inflamacionit, një nxitës i diabetit.

Antioksidantët që përmban kjo erëz luftojnë radikalet e lira që shkaktojnë stress oksidues  dhe përbëjnë pikënisjen e inflamacionit.

Përpos diabetit, kanella pengon edhe shfaqjen e sëmundjeve të tjera që kanë lidhje me diabetin siç janë sëmundjet e zemrës, tensioni i lartë i gjakut dhe sëmundja e Alzheimerit.

Sasia E Këshillueshme E Kanellës Për Diabetikët

Shumë studime, të cilave u referohet AgroWeb.org rekomandojnë konsumin e një sasie prej 1 deri në 6 gramë kanellë pluhur në ditë.

Kanellën e gjejmë në dy varietete: Cassia dhe Ceylon .

Cassia është kanella kineze dhe gjendet lehtë kudo ndërsa kanella Ceylon është ajo e vërteta me vlera.

Shiritat e saj të mbështjellë janë të butë dhe të brishtë. Shkopinjtë e kanellës Cassia janë të fortë e të trashë.

Përpara përdorimit të kanellës, diabetikët duhet të konsultohen me mjekun sepse ajo mund të ndërveprojë negativisht me disa ilaçe./AgroWeb.org

* Ky informacion ka për qëllim të plotësojë, të mos zëvendësojë këshilla nga mjeku juaj ose ofruesi i kujdesit shëndetësor dhe nuk ka për qëllim të mbulojë të gjitha përdorimet e mundshme, masat paraprake, ndërveprimet ose efektet negative. Ky informacion mund të mos i përshtatet rrethanave tuaja specifike shëndetësore.

Burimi: U.S. National Library of Medicine

Sekreti i Jetëgjatësisë: Një Lugë Vaj Çdo Mëngjes

Një lugë Vaj Ulliri çdo mëngjes zgjon shëndetin në organizëm, i dhuron trupit energji ndërsa forcon imunitetin dhe sigurisht mirëqenien.  

Është padyshim një nga dhuratat mrekullibërëse të natyrës dhe kjo është kura me vaj ulliri. I pasur në vlera kurative, vaji i ullirit mbetet mbreti i shëndetit të mirë dhe kuzhinës së shijshme.

Ai i shton shije të padiskutueshme gatimeve e recetave të ndryshme anë e mbanë botës. Por krahas kësaj, vlerat që çliron vaji i ullirit në çdo gatim janë përjashtimisht mirëbërëse për organizmin.

Sipas të studimeve të siguruara nga AgroWeb.org konsumimi i një luge me vaj ulliri esëll në mëngjes ofron benefite të qënësishme për një organizëm të fuqishëm përgjatë gjithë ditës.

Studime të shumta kanë treguar se njerëzit që konsumojnë rregullisht vaj ulliri janë më pak të prirur për të vuajtur nga sëmundjet kardiovaskolare, duke përfshirë tensionin e lartë të gjakut, atakun kardiak dhe nivelin e lartë të kolesterolit në gjak.

Vlerat ushqyese brenda një luge të vetme me vaj ulliri

Një lugë gjelle vaji ulliri përmban 120 kalori, 14 gramë yndyrë dhe aspak kolesterol.

Rreth 77% e yndyrës së vajit të ullirit është (mono) e pangopur dhe 9% është (poli) e pangopur.

Ndërsa 14% është vaj i ngopur me prejardhje nga perimet. Vaji i ullirit i virgjër përmban antioksidantë beta-karroten dhe vitaminë E.

Gjithashtu përmban edhe përbërës fenolik si tyrosol dhe hidroksityrosol.

Por çfarë e bën vajin e ullirit më të mirë se vajrat e tjerë?

Vaji i ullirit lidhet me numrin e ulët të vdekjeve nga sëmundjet kardiovaskolare në vendet që e konsumojnë krahasuar me ato që nuk e përdorin.

Studiuesit kanë zbuluar se vaji i ullirit i virgjër e mbron trupin ndaj zhvillimit të qelizave të dëmshme.

Ata kanë arritur në përfundimin se vaji ul aktivitetin e p21Ras, një onkogjeni që parandalon dëmtimin e ADN-së.

Studimi tregon se ndryshe nga vaji i misrit, i cili rrit agresivitetin e tumorit, vaji i ullirit i virgjër kishte një efekt krejt të kundërt, duke pasur një ndikim më të lartë sidomos tek tumoret e gjirit.

Një nga përbërësit e vajit të ullirit është dhe oleo-canthal. Një lloj fenoli natyral që mendohet se nxjerr jashtë proteinat abnormale të Alzheimer nga truri.

Për ta mbështetur këtë informacion, studiuesit kanë shpjeguar se sëmundja e Alzheimer është më e vogël në vendet e Mesdheut, ku konsumimi i vajit të ullirit është më i larti në botë.

Organizëm i fuqishëm dhe energjik

Të mirat e vajit të ullirit në aparatin tretës, janë zbuluar fillimisht pas studimeve që janë bërë në lidhjen mes të ushqyerit dhe radikaleve të lira.

Studime të shumta kanë treguar për nivele të ulëta të problemeve në aparatin tretës, përfshirë stomakun dhe zorrën e trashë.

Kjo më së shumti i atribuohet polifenoleve të vajit dhe antioksidantëve të tij anti-inflamatorë.

Vaji ekstra i virgjër është i pasur me acid oleik dhe xitirosol. Ai ndikon në shmangien e problematikave të pankreatitit akut, që është inflamacioni i menjëhershëm i pankreasit.

Ndaj dhe nisja e ditës me konsumimin e një luge me vaj ulliri është veprimi më ideal për të fuqizuar organizmin dhe për t’i dhënë atij energji përgjatë gjithë ditës.

Sigurohuni të konsumoni vaj ekstra të virgjër vaj ulliri dhe kujdesuni të siguroni jetëgjatësinë e tij./AgroWeb.org

Perimet e Pasura me Kalium – Mburoja e Organizmit në Dimër

Për fat të mirë, perimet e pasura me kalium janë të larmishme dhe të shumta.

Nëse jeni në kërkim të një ushqimi të pasur me kalium, me siguri banania është zgjedhja juaj e parë, e ndoshta e vetmja.

Përse kemi nevojë për kalium

Kaliumi është një elektrolit që na ndihmon të qëndrojmë të hidratuar. Kaliumi kontrollon tensionin e gjakut, mbron zemrën, shëndetin e nervave dhe të trurit.

Studimet mbi femrat pas menopauzës treguan se, ushqimet e pasura me kalium parandalojnë atakun në tru.

Kaliumi është i domosdoshëm për kocka të forta sepse ndihmon organizmin të ruajë kalciumin e akumuluar. AgroWeb.org ju rekomandon ushqimet e mëposhtme të pasura me kalium që ia kalojnë bananes.

Krahasimi i përmbajtjes së kaliumit tek ushqimet

Disa ushqime siç janë arrorët dhe farat kanë më shumë kalium për filxhan se një banane, por nëse marrim filxhanin për njësi matëse, atëherë na duhet të pranojmë se racioni që konsumohet është i tepruar.

Një filxhan me kikirikë plotëson 27 përqind të nevojës ditore për kalium, por askush nuk ulet të hajë një filxhan me kikirikë çdo ditë.

Një banane mesatare të plotëson 12% të nevojës ditore për kalium. Të gjitha ushqimet e përmendura më poshtë, kanë më shumë kalium për racion se një banane mesatare:

Patatja e pjekur: 26%

Një patate mesatare e pjekur me gjithë lëkurë plotëson 26% të nevojës ditore për kalium, që do të thotë dyfishin e asaj që ofron bananja.

Patatja e ëmbël: 25%

Një patate mesatare e pjekur me lëkurë ka 25% më shumë kalium se një banane mesatare.

Gjethet e panxharit: 19%

Barishtet e panxharit janë të pasura me kalcium por edhe me kalium. Një gjysmë filxhani me gjethe të ziera të panxharit plotëson 19 përqind të nevojës për kalium në ditë.

Pazia: 14%

Pazia është e pasur me kalium. Një gjysmë filxhani me këto gjethe ofron më shumë kalium se banania dhe ka 18 kalori.

Fasulet e bardha: 34%

Një filxhan me fasule të bardha plotëson 34% të nevojës ditore me kalium, ose trefishin e asaj që ofron bananja.

Fasulet e zeza: 17%

Edhe të zezat janë të pasura me kalium. Një filxhan me fasule të zeza jep 5% më shumë kalium/racion se një banane.

Misri: 14%

Misri është gjithashtu i pasur me kalium. Një filxhan me misra plotëson 14% të nevojës ditore për kalium.

Fasulet e kuqe: 20%

Një filxhan me fasule të kuqe plotëson 1/5 e nevojës ditore për kalium.

Kjo listë ushqimesh do t’ju japë jo vetëm kalium por edhe vitamina dhe minerale të domosdoshme./AgroWeb.org

Studimi: Rrjetet Sociale Mund t’ju Ulin Vetbesimin

E keni menduar ndonjëherë se si do të ishte shëndeti juja mendor në një botë pa rrjete sociale? Është pothuajse e paimagjinueshme, por do të ishtë shumë e shëndetshme.

Si Ndikojnë Rrjetet Sociale Tek Shëndeti Mendor

Studimet të cilave u referohet AgroWeb sugjerojnë disa efektet anësore si dhe përfitime që vijnë nga përdorimi i tyre.

Qëndrimi në rrjete sociale për orë të zgjatura rrit ndjeshëm probabilitetin për t’u prekur nga problemet si depresioni, vetmia, lumturia, mungesa e vetbesimit dhe ankthi.

Përdorimi i rrjeteve sociale për të mbajtur kontakte me të afërmit apo shoqërinë nga ana tjetër ka treguar një përmirësim të ndjeshëm të shëndetit mendor deri në një pikë. Në të njëjtat raste kur qëndrimi në rrjete sociale zgjat për shumë kohë efektet negative të lartpërmëndura janë rikthyer.

Një vëzhgim pilot i bërë mbi 63 studentë tregoi se shumica e tyre patën përmirësime të ndjeshme të humorit, ankthit dhe gjumit menjëherë pas largimit nga rrjetet sociale.

Burimi: Libyan Journal of Medicine

Përfundimi është mjaft i qartë, nëse nuk doni të përjetoni mungesë vetbesimi, ankth, depresion, vetmi dhe pagjumësi, është e rëndësishme të reduktoni ndjeshëm përdorimin e rrjeteve sociale.

Çfarë Të Bëni Në Vend Të Rrjeteve Sociale

Nëse i Përdorni Rrjetet Sociale Për T’u Shplodhur:

  • Ecni përreth vendbanimit ose lagjes suaj
  • Dëgjoni pak muzikë
  • Ngrini humorin duke ndezur disa qirinj aromatic
  • Lexoni një libër
  • Provoni të bëni krijime me dorë
  • Piqni diçka të shijshme
  • Luani me kafshët shtëpiake (nëse keni)
  • Provoni joga ose meditim
  • Pini lëngje të ngrohta si çaji apo çokollata e ngrohtë
  • Shihni fotot tuaja të vjetra dhe reflektoni

Nëse i Përdorni Rrjetet Sociale Për Të Mbajtur Kontakte

  • Bëjini një telefonatë me video të dashurve tuaj
  • Ftoni dikë për darkë ose për një pije
  • Gatuani diçka të shijshme dhe ndajeni me fqinjët tuaj
  • Organizoni një udhëtim në natyrë ose për pazar me miqtë ose mikeshat
  • Përfshihuni në grupe që kryejnë aktivitete fizike apo punë në komunitet

Nëse i Përdorni Rrjetet Sociale Për Argëtim

  • Shkoni në një koncert me muzikë live
  • Shkoni të shikoni një ndeshje
  • Pikturoni
  • Mësoni të luani një instrument
  • Shkoni në klasa kërcimi ose artesh marciale
  • Bëni një ngjitje në mal
  • Shkoni në një muze
  • Provoni të mbillni bimë
  • Dëgjoni një emission në radio
  • Lexoni një libër
  • Mblidhuni me miqtë dhe luani lojëra tavoline

Përfundimi

Për shumë nga ne, rrjetet sociale janë një pjesë e pandashme e jetës, me të mirat dhe të këqiat që sjell. Zgjedhja e duhur është që t’i përdorni ato në të mirën tuaj dhe të mos shpenzoni shumë kohë për të mirën tuaj.

Qëndroni të vetëdijshëm, merrni kohën tuaj dhe minimizoni përdorimin e rrjeteve sociale online me aktivitete reale në përditshmërinë tuaj. /AgroWeb.org

A Duhet ta Shmangni Mëngjesin Nëse Sheqeri Në Gjak Është i Lartë?

Nivelet e larta të glukozës në gjak, me kalimin e kohës mund të dëmtojnë arteriet e vogla dhe nervat e syve, veshkave, zemrën, trurin dhe këmbët tuaja.

Prandaj menaxhimi i niveleve të glukozës në gjak është çelësi i një jetese të shëndetshme për personat që janë me diabet.

Ndonjëherë në përpjekje për të ulur nivelin e shqereit, ju mund të shmangni vaktet. Por a është kjo një mënyrë e sigurtë për shëndetin tuaj?

AgroWeb.org ju njeh më poshtë me përgjigjen, si edhe me mënyrat më të mira të kontrollit të sheqerit.

A është e dëmshme shmangia e vakteve?

Në fakt, shmangia e vakteve mund të rrisë nivelet e glukozës në gjak. Nëse trupi juaj nuk furnizohet rregullisht me energji nga ushqimi, mëlëia juaj mund të fillojë të lëshojë glukozë në qarkullimin e gjakut.

Pra shmangia e një vakti mund të rrisë nivelet e glukozës në gjak, kështu që mos e anashkaloni atë në përpjekje për të ulur sheqerin e lartë në gjak.

Cfarë mund të bëni për të menaxhuar nivelet e sheqerit në gjak?

Zbuloni shkakun

Nëse nivelet e glukozës në gjak janë më të larta se sa duhet, filloni duke përcaktuar se çfarë e shkaktoi këtë rritje.

Një nga shkaqet janë karbohidratet që gjenden në drithëra, patate dhe sheqeri. A keni ngrënë më shumë karbohidrate se zakonisht?

A jeni të stresuar apo ndiheni të sëmurë? Sepse duhet të sini se tresi dhe sëmundja rrisin nivelet e sheqerit në gjak.

A e shmangët shëtitjen e zakonshme? A ke harruar të marrësh medikamentet? Si aktiviteti fizik ashtu edhe medikamentet e përshkruara nga mjeku ulin nivelin e sheqerit në gjak.

Konsumoni një vakt të shëndetshëm

Në vend që të shmangni vaktet, konsumoni vakte të ekuilibruara në vlera ushqyese dhe me proteina.

Proteinat mund të stimulojnë pankreasin për të prodhuar insulinë, hormoni i nevojshëm për të ulur nivelet e glukozës në gjak.

Shmangni ushqimet me shumë karbohidrate, si makaronat, orizin, bukën dhe ëmbëlsirat, të cilat mund të rrisin më tej glukozën në gjak.

Ushtrohuni rregullisht

Kjo është strategjia më e mirë që ju ndihmon të menaxhoni nivelet e larta të glukozës në gjak.

Sa herë që ecni, bëni një xhiro me biçikletë ose kryeni aktivitete të tjera fizike. Muskujt e trupit tuaj përdorin një pjesë të glukozës shtesë që qarkullon në gjakun tuaj për të funksionuar.

Ecja me një ritëm të moderuar është ushtrimi më i mirë për shumicën e njerëzve. Qëndroni të hidratuar siç duhet dhe kontrolloni hepë pas here nivelet e sheqerit në gjak. /AgroWeb.org

Çfarë është Osteopatia – Trajtimi që Sistemon Kockat dhe Muskujt

Osteopatia është një lloj terapie e zhvilluar gjatë shekullit të 19. Ajo i jep rëndësi shëndetit të sistemimit kockor dhe muskulor të trupit.

Parimi në të cilin bazohet është se mirëqenia e një individi varet nga funksionimi në harmoni i kockave, muskujve, ligamenteve dhe indeve lidhëse.

Dhe nëse harmonia midis tyre prishet për shkaqe të ndryshme, funksionimi i sistemit të qarkullimit të gjakut, limfatik ose nervor preken duke zvogëluar aftësinë e trupit për t’u vetë shëruar.

Çdo dëmtim i kyçeve ose i muskujve duhet të trajtohet, përndryshe do të preken edhe pjesë të tjera të tij.

Për shembull, një dëmtim i kyçit të këmbës mund të bëjë që pacienti të çalojë dhe të mundojë më tepër këmbën tjetër.

Me kalimin e kohës, ky çekuilibër mund të çojë në lëndime të tjera, të tilla si dhimbje në kyçin e këmbës, gjurit ose ijeve, por edhe në dhimbje shpine.

Osteopatët përdorin punimin fizik të muskujve, shtriqjen dhe masazhimin e tyre me qëllim :

Rritjen e lëvizshmërisë së kyçeve.

Lehtësimin e tensionit në muskuj.

Për të reduktuar dhimbjen.

Për të rritur furnizimin me gjak të indeve.

Për të ndihmuar trupin të shërohet.

Ata përdorin një sërë teknikash, por jo ilaçe apo kirurgji.

Cilat janë rastet kur mund të përdoret kjo lloj mënyrë trajtimi?

Shumica e njerëzve që vizitohen tek një osteopat e bëjnë këtë për të marrë ndihmë për shqetësimet që prekin muskujt, kockat dhe nyjet, të tilla si:

dhimbjet në pjesën e poshtme të shpinës

dhimbjen e qafës

dhimbje në shpatull ose në bërryl

për artritin

probleme me legenin, ijet dhe këmbët

lëndimet sportive

dhimbje të muskujve dhe kyçeve, për shkaqe që lidhen me punën ose shtatzëninë

Nëse jeni shtatzënë, përpara se të shihni një osteopat, kërkoni fillimisht këshilla nga një mjek i përgjithshëm ose mami në lidhje me simptomat tuaja.

Gjithashtu osteopati duhet të jetë i specializuar për dhimbjet e muskujve ose kyçeve gjatë shtatzënisë. /AgroWeb.org

Sekreti i Përgatitjes së Llokumeve të Shtëpisë

Llokumet janë një ëmbëlsirë delikate, ato vijnë në një larmi ngjyrash dhe shijesh. Zakonisht forma e tyre është në kubik, megjithatë mund të bëhen në formë role e priten në feta, ose mund të përgatiten në formë topthash të vegjël.

Në mënyrë tipike, llokumet përgatiten duke bashkuar niseshtenë e misrit, ujin, sheqerin dhe lëngun e limonit në një tenxhere dhe duke i lënë në valë, derisa përzierja të trashet.

Më pas, përzierja pasurohet me aromatizues si uji i trëndafilit ose lëngu i frutave, ngjyrues ushqimorë dhe përbërës si arrat apo fistëkët. Zgjedhjet janë në varësi të dëshirës tuaj.

Por sot AgroWeb.org ju njeh me kjo recetën klasike të përgatitjes së llokumeve me përbërës si niseshte misri, sheqer, lëng limoni dhe ujë trëndafili, ndërsa përdorimi i xhelatinës është një shtesë moderne.

Përbërësit

25 g sheqerpluhur

100 g niseshte misri (e ndarë në: 25 g + 75 g)

700 gr sheqer

lëngui i 1 limoni

500 ml ujë (i ndarë: 400 ml + 100 ml)

3 lugë gjelle xhelatinë pluhur

Ngjyrues ushqimi i kuq ose rozë, sipas dëshirës

2 lugë gjelle ujë trëndafili

Përgatitja

Filloni duke veshur një tavë me madhësi rreth 20×20 me qese plastike.

Pas kësaj bashkoni në një tas të vogël duke në sitë 25g niseshte misri dhe sheqerin pluhur. Përziejini mirë përbërësit sa të bashkohen.

Përdorni pak nga kjo përzierje për të spërkatur bazën dhe anët e tepsisë së pjekjes.

Ngrohni 700 gsheqer, lëngun e limonit dhe 400ml ujië në një tigan të madh në zjarr të ulët, por mos i lini të ziejnë.

Në një tas të veçantë, bashkoni 100 ml ujë të ftohtë me 75 g niseshte misri. Shtoni këtë përzierje në tiganin me shurupin e sheqerit që përgatitët më parë.

Shtoni gradualisht edhe xhelatinën pluhur dhe përziejeni derisa të përftoni një masë të njëtrajtshme dhe pa gunga.

Vendoseni tiganin në zjarr të lartë derisa të vlojë. Kur të vlojë uleni nxehtësinë në mesatare dhe gatuajeni për 20 minuta të tjera, duke e përzier vazhdimisht, derisa masa të trashet dhe të marrë ngjyrë të verdhë të zbehtë.

Lëreni mënjanë përzierjen e lokumeve. Nëse dëshironi të shtoni ngjyrë, shtoni disa pika ngjyrues ushqimesh dhe lëreni masën të pushojë për 5 minuta. Në fund shtoni ujë trëndafili.

Hidheni masën në tavë dhe lëreni të qëndrojë gjatë gjithë natës në një vend të freskët.

Të nesërmen, pudrosni sipërfaqen e punës me miell misri dhe sheqer pluhur.

Hiqni masën nga tava, priteni në kubikë dhe e spërkateni me miell misri dhe përzierjen e sheqerit pluhur. /AgroWeb.org

A e Dini Pse Britanikët e Shoqërojë Çajin me Qumësht?

Kur moti bëhet më i freskët, shumica e njerëzve i drejtohen pijeve të nxehta për të marrë më tepër ngrohtësi.

Ndër pijet e preferuara padyshim është edhe çaji, për shkak të shumllojshmërisë së shijes dhe vlerave që fal për shëndetin.

Një nga vendet që njihen për konsumin e lartë të çajit në botë është edhe Britania, ku kjo pije është rrënjosur thellë në traditë dhe mënyrën e jetesës.

AgroWeb.org ju fton të mësoni më poshtë arsyen se përse Britanikët e përgatisin çajin me qumësht.

Pse britanikët e pinë çajin me qumësht?

Zakoni i tyre për të shtuar qumësht në çaj ka filluar që në shekullin e 18-të.

Në atë periudhë çaji ishte një pije e kushtueshme dhe duke qenë se gotat e disponueshme shpesh plaseshin nga nxehtësia e çajit, ata gjetën një zgjidhje!

Fillimisht hidhnin qumështin në një filxhan dhe më pas shtonin çaj.

Qumështi i ftohtë e ftoh çajin aq sa të mos thyhet gota dhe njëkohësisht pakëson hidhtësinë e tij.

Duke qenë tepër i vlefshëm, familjet që nuk mund të përballonin sasi të mëdha të çajit shtonin një sasi më të madhe qumështi, ndërsa familjet e pasura prireshin të bënin të kundërtën.

Nëse po mendoni të provoni këtë variant të çajit, duhet të dini se fillimisht hidhet qumështi në gotë e më pas çaji. Kështu shija do të jetë me e mirë për shkak se qumështi duke arritur temperaturën e çajit, shpërndan shijen në mënyrë të barabartë.

Dhe nëse i shtoni çajit qumësht, ju do të ftohni çajin dhe mund ai të mos ketë shije aq të mirë./AgroWeb.org

4 Kurat më të Mira Natyrale me Dafinë

Shqiptarët kanë një histori të gjatë të mbjelljes së dafinës në kopshte dhe tarraca dhe kanë gjetur 1001 mundësi për ta përdorur atë.

Ajo besohet se sjell fat në familje dhe sipas gojëdhënave thuhet se mbjellja e bimëve të dafinës afër shtëpive, mënjanon goditjet e rrufeve.

Gjethet e dafinës vijnë nga familja Laurus Nobilis vendlindja e të cilës është Mesdheu.

Kjo bimë hyjnore është e pasur me vitaminë C, vitaminë B dhe A.

Kjo e fundit është një antioksidant natyral që njihet për vetitë në mbrojtjen e shikimit, por edhe mbrojtjen nga kanceri i mushkërive.

Dafina ka në përmbajtjen e saj një nivel të lartë të mineraleve si bakri, kaliumi, kalcium, mangani, hekuri, zinku dhe magnezi. Kaliumi ndihmon në mbajtjen nën kontroll të rrahjeve të zemrës dhe tensionit të gjakut.

Hekuri është thelbësor në prodhimin e qelizave të kuqe.

Dafina Për Terapi Aromatike

Aroma karakteristike e dafinës ka veti qetësuese për mendjen dhe trurin.

Ajo gjithashtu hap rrugët e frymëmarrjes.

Vendosni 3-5 gjethe dafine në një enë dhe digjini.

Aroma e dafinës do të mbushë ambientet tuaja me erë të mirë e qetësuese.

Dafina Për Flokë Të Shëndetshëm

Dafina është shumë e mirë për flokë të thatë e të dëmtuar.

Për të rikthyer shëndetin e flokëve ju nevojiten: 

24 kokrra karafili,

5-6 gjethe dafine

Ujë

Mbusheni një tenxhere të vogël me ujë dhe vendoseni në zjarr.

Kur uji të jetë nxehur mjaftueshëm hidhni karafilin dhe lërini të valojnë për mbi 10 minuta, deri sa uji të bëhet i verdhë.

Shtoni gjethet e dafinës dhe përziejini herë pas here për pesë minuta dhe lëreni të ziejnë për 10 minuta të tjera.

Hiqeni tenxheren nga zjarri, prisni të ftohet pak uji dhe më pas kullojeni.

Lëngun aplikojeni në rrënjët e flokëve, masazhojeni, mbështilleni me një peshqir dhe mbajini gjatë gjithë natës.

Të nesërmen lajeni flokun normalisht.

Për Lëkurën Dhe Dhëmbët

Dafina është një gjethe e pasur me vitamina, minerale dhe antioksidantë.

Ajo ka efekt shtrëngues për lëkurën.

Ekspertët thonë se dafinën mund ta përdorni si maskë në lëkurë duke e bluar në formë pluhuri.

Për këtë maskë ju nevojiten: 

Gjysëm luge gjelle dafinë pluhur,

Një lugë gjelle ujë.

Përziejini së bashku dhe vendoseni në lëkurë, sidomos nëse keni njolla dhe nxirje.

Ju mund të përdorni pak nga ky pluhur duke e vendosur në pastën e dhëmbëve për një pastrim më rrënjësor të tyre.

Kundër Gjakderdhjes 

Nëse keni gjakderdhje të shpeshta nga hundët, duhet të përdorni dafinën.

Hidhni tre gjethe të grira trashë të dafinës në një tenxhere të vogël ku keni hedhur dy gota ujë.

Ziejini për 10 minuta, kullojeni lëngun dhe pijeni.

Të njëjtin lëng mund ta përdorni edhe gatime për tu dhënë aromën e ndezur dhe karakteristike./AgroWeb.org

Reçel me Feta Hurme – Si të Përgatisni Këtë Ëmbëlsi Unike Vetë në Shtëpi

Sezoni i hurmave ka trokitur tashmë dhe është koha të provojmë edhe reçelin e tyre.

Nëse ka një shije që nuk mund t’i rezistosh dot, ai është reçeli i hurmës. Vërtet shumë pak i dëgjuar por një mrekulli me shije e pazakontë kur gatuhet në një recetë unike reçeli.

Hurmat mund të shijohen në formën e tyre të plotë, por kur bëhen reçel përballesh një ëmbëlsi befasuese krejt ndryshe nga të tjerat.

Reçeli i hurmës është ekzotik dhe i shijshëm saqë është kthyer në një traditë të mirëfilltë për amvisat shqiptare.

Hurma është një frut bujar dhe i pasur në vlera. Ajo përmban shumë antioksidantë, ndihmon në rënien në peshë, përmban shumë fibër, mban nën fre dëshirën e tepruar për të ëmbla, mbron sytë dhe sistemin tretës.

Ndiqni më poshtë recetën e sugjeruar nga AgroWeb.org, për të përgatitur krejt lehtë në shtëpi reçelin kremoz të hurmave.

Si të përgatisim reçelin e hurmave 

Përbërësit

1.5 kilogramë hurma të pjekura ( jo të qullëta)
1 kilogramë sheqer
1 limon i ndarë në gjysmë

Ndiqni me përpikmëri udhëzimet

Qëroni hurmat nga lëkura dhe pritini në feta. Merrni një tenxhere dhe përzieni sheqerin me fetat e hurmave.

Shtrydhni lëngun e një limoni dhe shtojeni tek hurmat e sheqeri në tenxhere.

Përziejini të gjitha mirë dhe më pas mbulojeni enën. Lërini hurmat të marinohen për disa orë.

Më pas, merrni tenxheren ku janë marinuar hurmat dhe vendoseni në zjarr.

Pasi masa të ketë marrë valë, lereni të ziejë për 15 minuta duke e përzierë vazhdimisht me një lugë druri.

AgroWeb.org ju këshillon që të tregoni kujdes pasi duhet ruajtur forma e fetave të hurmës.

Kur reçeli të jetë bërë do të ngjitet në mënyrë të njëtrajtshme në lugë.

Reçeli do të trashet gjatë ftohjes. Mos harroni të hiqni prej tij copat e limonit.

Mbushni kavanozët dhe sigurohuni të lini pak hapësirë bosh nga gryka e kavanozit. Pastroni grykën e kavanozit përpara se ta mbyllini fort me kapak.

Më pas, AgroWeb.org ju sugjeron që të vendosini kavanozët në ujë dhe ziejeni për 10 minuta.

Kështu do të largohet ajri i tepërt dhe reçeli mund të ruhet për më gjatë. Më pas hiqini nga uji dhe vendosini në banak të ftohen.

Nëse hapet njëri prej kavanozëve, reçeli duhet ruajtur në frigorifer dhe duhet konsumuar brenda dy javësh./AgroWeb.org

Hipertensioni i Natës – Faktori i Fshehur që Dëmton Zemrën

Ekspertët të cilëve u referohet AgroWeb.org thonë se matja e tensionit të gjakut në mbrëmje apo edhe në gjumë ofron tregues më të saktë të shëndetit.

Sipas tyre, ka shumë raste kur tensioni i gjakut pëson rritje të shpejtë kur njeriu është në gjumë, madje mund të ketë pasoja fatale.

Hipertensioni i natës është i rrezikshëm dhe mund të shkaktojë pushim të zemrës por edhe problem të tjera kardiovaskulare

Hipertensioni i natës mund të ndodhë edhe tek njerëzit të cilët kanë tregues normalë gjatë matjeve që bëjnë ditën.

Ky problem i rrezikshëm nuk kapet dot lehtë sepse në çdo matje gjatë ditës, të dhënat janë normale.

Shkaku i Rritjes së Tensionit Të Gjakut Gjatë Natës

Sipas ekspertëve, tensioni i gjakut rritet natyralisht për të nxjerrë jashtë veshkave kripën e tepërt.

Kur njeriu konsumon kripë me tepri, tensioni rritet disa herë gjatë ditës dhe natës.

Bëhet fjalë për një mekanizëm kompensues dhe pastrues por ama shumë të dëmshëm për zemrën.

Sipas ekspertëve, kur njeriu është në gjumë, përbën kohën ideale për matjen më të saktë të tensionit.

Gjatë gjumit, ofrohet një panoramë shumë e qartë se si punon sistemi kardiovaskular dhe kjo është shumë e rëndësishme për parandalimin e problemeve.

Sa i përket ilaçeve, ekspertët thonë se marrja e ilaçeve në mbrëmje është efikase në menaxhimin e tensionit të gjakut.

Megjithatë, sipas tyre, një person që vuan nga tensioni nuk duhet të ndryshojë regjimin me kokën e tij por vetëm duke u konsultuar me mjekun

5 Ushqime Dhe Pije që Rrisin Tensionin e Gjakut

Më poshtë, do të gjeni listën e ushqimeve që kanë tendencën të rrisin tensionin e gjakut.

Mishi i kuq

Mishi i kuq është i shijshëm por përmban shumë kolesterol dhe dëmton zemrën dhe enët e gjakut.

Sipas të dhënave ku bazohet AgroWeb.org, një sasi prej 400 gramësh mish i gatuar përmban 254 miligramë kripë dhe 308 miligramë kolesterol.

Turshitë e gatshme

Një filxhan me lakër turshi jo të përgatitur vetë përmban 939 miligramë kripë.

Turshitë e tjera përveç lakrës, si domatet apo kastravecat janë të zhytura në lëng me kripë.

Njerëzit që vuajnë nga tensioni i lartë nuk duhet të hanë turshi të tilla.

Alkoli

Një sasi e vogël alkoli nuk shkakton dëme, por nëse e teproni me pirjen e alkolit atëherë ju do të rrisni tensionin e gjakut.

Alkoli mundet të ndërhyjë kundër medikamenteve të tensionit të gjakut dhe të ulë efikasitetin e tyre.

Ëmbëlsirat e paketuara

Ëmbëlsirat, biskotat me mbushje shumëngjyrëshe që shiten në paketime të bukura janë të mbushura me sheqerna, yndyrna të ngopura dhe kripëra.

Ushqime të tilla rrisin tensionin e gjakut, sheqerin në gjak dhe gjasat e mbipeshës.

Pijet energjike

Konsumi i pijeve energjike e rrit tensionin sistolik me 6.2 përqind dhe atë diastolik me 6.8 përqind.

Tensioni mesatar i gjakut rritet me 6.4 përqind pas pirjes së një pije energjike.

Klikoni këtu për të mësuar mbi ushqimet që ulin tensionin e gjakut./AgroWeb.org

Kunguj me Domate dhe Vezë – Receta me Shije dhe Shëndet të Mirë

Një recetë e thjeshtë, me shije fantastike dhe të lehtë e cila shoqërohet në mënyrë shkëlqyer me gatime të tjera por edhe vetëm me pak bukë të thekur gruri apo misri.

 Përbërësit:

1 qepë

pak vaj ulliri

4-5 kunguj mesatarë

4 thelpinj hudhër

3 domate mesatare

kripë dhe piper të zi

4 vezë

Përgatitja:

Në një tigan ngrohim vajin dhe kaurdisim qepëntë grirë hollë, shtojmë kungujt të prerë në shiritë të trashë 1 cm gjerësi dhe 2-3 cm gjatësi.

Kaurdisim mirë kungujt me qepën. Shtojmë domatet të prera në kubikë (pa lëkurë dhe lëng) si dhe hudhrat të prera hollë, i përziejmë më kujdes ulim temperaturën e sobës dhe i lëmë të ziejnë për 10 minuta në temperaturë mesatare të mbuluara me kapak.

Rregullojmë shijen me kripë dhe piper, rrahim 4 kokrra vezë dhe i shpërndajmë sipër mbi kungull dhe domate i vendosim kapakun për 5 minuta.

Në fund largojmë kapakun grijmë hollë kopër ose majdanoz e spërkasim sipër dhe shërbejmë të ngrohtë.

Hiperinsulina – Nga se Shkaktohet dhe si të Ruani Nivelin e Sheqerit në Gjak

Hiperinsulina lidhet me faktin se sasia e insulinës në gjak është më e lartë se nivelet normale.

Edhe pse shpesh shoqërohet me diabetin e tipit 2, ajo në vetvete nuk është një formë e diabetit.

Insulina është një hormon që prodhohet nga pankreasi, i cili ndihmon në rregullimin e sheqerit në gjak.

Hiperinsulina është një shenjë e një problemi më të thellë.

Ajo shpesh herë shkaktohet nga rezistenca ndaj insulinës, një gjendje në të cilën trupi juaj nuk reagon mirë ndaj efekteve të këtij hormoni.

Rezistenca ndaj saj përfundimisht mund të çojë në zhvillimin e diabetit të tipit 2.

Kjo ndodh kur pankreasi nuk është më në gjendje të kompensojë duke sekretuar sasi të mëdha të insulinës që kërkohen për të mbajtur sheqerin në gjak normal.

Nga se shkaktohet Hiperinsulina

Të dhëna kanë tregaur se faktor mund të jetë një tumor i rrallë i qelizave prodhuese të insulinës në pankreas (insulinoma).

Por nga ana tjetër edhe rritja e qelizave prodhuese të insulinës në pankreas (nesidioblastosis) ndikon në shfaqjen e këtij problemi shëndetësor.

AgroWeb.org sugjeron disa ushqime që ndihmojnë në ruajtjen e nivelit të sheqerit në gjak :

Mustaqet e misrit

Mustaqet e misrit,sipas të dhënave të AgroWeb.org,ndihmojnë organizmin në uljen e nivelit të sheqerit në gjak. Ai mund të përdoret si çaj,por gjithmonë duhet të konsultoheni me mjekun tuaj para përdorimit.

Kanella

Kanella është një erëz e shkëlqyer për shëndetin e njeriut dhe veçanërisht për diabetikët.

Ajo ndihmon në uljen e nivelit të sheqerit në gjak,përmirësimin e ndjeshmërisë ndaj insulinës (sa më e madhe të jetë ndjeshmëria ndaj insulinës,aq më pak sasi insulinë kërkon trupi),pengon luhatjet e glukozës në gjak.

Sipas ekspertëve,të cilëve AgroWeb.org iu referohet,kanella mund të imitojë insulinën dhe të përmirësojë ndjeshmërinë ndaj këtij hormoni.

Hudhra

Hudhra ndihmon në uljen e nivelit të sheqerit në gjak dhe përmirëson ndjeshmërinë ndaj insulinës dhe sekretimin e saj. Ajo rekomandohet të hahet e freskët sepse ushqyesit e saj janë më të dobishëm.

Arrorët

Arrorët janë gjithashtu të pasur me proteina me bazë bimore,acide yndyrore mono-të-pangopura,antioksidantë, vitamina e minerale si magnezi dhe kaliumi. Ato duhen konsumuar pa e tepruar dhe në variantin e papërpunuar të tyre.

Arrorët më efikasë për uljen e sheqerit në gjak janë bajamet, arrat, kikirikët, fistikët dhe shqemet.

Për të Humbur në Peshë Gjatë Dimrit ju Duhet Kjo Vitaminë

Mes Vitaminave, disa janë më të rëndësishmet në kohë të caktuara të vitit.

Gjatë stinës së dimrit sidomos, vitaminat janë veçanërisht të rëndësishme pasi virozat e ndryshme dhe mirëmbajtja e organizmit kërkojnë një kujdes të shtuar.

Studime të reja tregojnë se konsumimi i ushqimeve dhe vitaminave të duhura në të gjithë stinët e ftohta, përveç shëndetit të mirë ju ndihmon edhe të humbisni në peshë.

Po flasim për vitaminën A e cila konsiderohet si një factor kyç në mbrojtjen e organizmit dhe rënien në peshë.

Në këtë artikull ju tregojmë çdo gje që duhet të dini mbi këtë temë si dhe ushqimet ku ta merrni me shumicë këtë vitaminë.

Si të humbisni në peshë

Vitamina A njihet si një superhero mes ushqyesve të tjerë, ajo përmban retinol dhe luan një rol kundra plakjes gjithashtu forcon sistemin imunitar.

Ndër të tjera për vlerat e kësaj vitamine, një studim i kohëve të fundit publikuar në gazetën shkencore Molecular Metabolism, tregoi se vitamina A stimulon djegien e dhjamit të tepërt në trup.

Ky proces i djegies së dhjamit të keq duke e kthyer atë në një burim energjie për trupin është i njohur për mjekët.

Kështu vitamina A, e kthen dhjamin që mbërthen barkun, kofshët apo krahët tuaj në burim energjie dhe force për të përballuar aktivitetet tuaja të përditëshme.

Vitamina A dhe i ftohti

Drejtuesi shkencor i këtij studimi Dr, Florian Kiefernga Universiteti i Mjeksisë në Vienë, tregoi se ka një lidhje mes ekspozimit ndaj të ftohtit dhe veprimit të shtuar të kësaj vitamine.

Mungesa e vitaminës A në përgjithësi lidhet me shtim në peshë ndërsa në këtë rast fokusi është tek efikasiteti i shtuar i saj kur është ftohtë.

Gjetjet e këtij studimit pritet të jenë pikënisja ndaj terapive dhe kurave të reja në luftën kundër obezitetit, një sëmundje që prek 395 të të rriturve në të gjithë botën.

Në këtë pikë ekspertët këshillojnë që këtë vitaminë ta konsumoni shumë gjatë dimrit, si për të humbur në peshë ashtu edhe për shëndet më të mirë e organizmën më rezistent.

Ushqimet e pasura me vitaminë A

Ndër burimet më të pasura me këtë vitamin është mëlçija e viçit, pureja e kungullit, patatet e ëmbla, karotat, spinaqi, qumështi, brokoli apo pjepri gjatë verës.

Mundohuni që këto ushqime t’i përfshini sa më shumë në dietën tuaj të përditëshme për të parë rezulate të jashtëme dhe të brendëshme në trupin tuaj./AgroWeb.org

Makarona të Pjekura me Pulë, Presh dhe Brokoli

Makaronat e përgatitura në këtë mënyrë janë një nga gatimet më të mira me perimet e freskëta të stinës.

Edhe pse do t’ju duhet të kaloni pak kohë në kuzhinë, është e sigurt që kjo pjatë nuk do t’ju zhgënjejë.

Gjithashtu, në rast se ju ka tepruar pak pulë nga dita e mëparshme, kjo recetë është një zgjidhje e përkryer për të mos çuar asgjë dëm!

AgroWeb.org ju këshillon të provoni të gatuani në shtëpi këtë recetë, duke ndjekur më poshtë mënyrën e përgatitjes së saj.

Përbërësit:

2 gjokse pule

450 g makarona

2 presh

1 karotë

1 filxhan me brokoli

vaj ulliri

kripë dhe piper për shije

3-4 thelpinj hudhër

Për beshamelin:

2 gota qumësht

2 lugë miell

3 lugë gjalpë

1 filxhan djathë kaçkavall i grirë

pak kripë dhe piper i zi

Përgatitja:

Së pari filloni duke skuqur ose pjekur gjokset e pulës. Për këtë do t’ju nevojitet pak vaj ulliri, dy hudhra të shtypura dhe erëza sipas dëshirës.

Kur të jenë gati, lërini të ftohen, e më pas priteni mishin e tyre në copa të vogla dhe lërini mënjanë.

Ndërkohë, vazhdoni me përgatitjen e brokolit, duke e vendosur në një tenxhere me ujë të valuar dhe lëreni mënjanë.

Pastroni mirë dhe prisni, preshin dhe karotat në copëza të vogla. Skuqini ato në nxhetësi mesatare, me vajin e mbetur të ullirit dhe hudhra për shije.

Pasi të jenë zbutur, hiqini nga zjarri dhe shtoni lulet e brokolit dhe pulën e prerë në copa.

Shtoni gjitashtu edhe kripë, piper, erëza sipas shijes dhe përziejini butësisht.

Ndërkohë filloni me përgatitjen e makaronave sipas udhëzimeve të paketimit, kullojini dhe lërini mënjanë.

Për përgatitjen e beshamelit, shkrini në një tenxhere të vogël gjalpin, shtoni miellin dhe përziejini përbërësit me një ritëm të shpejtë.

Vazhdoni të trazoni dhe të skuqni miellin në nxehtësi mesatare për 2-3 minuta, shtoni qumështin dhe vazhdoni të trazoni përsëri.

Spërkasini përsipër djathin e grirë, pak kripë dhe pirper për shije dhe lëreni në nxehtësi derisa djathit të shkrihet plotësisht.

Kështu do të përftoni një salcë të mrekullueshme beshameli.

Në fund, në një enë pjekjeje të lyer me vaj, shtroni makaronat, më pas perimet me pulën dhe salcën beshamel, trazojini butësisht.

Spërkasni djathin e mbetur dhe lërini të piqen në tmperaturë maksimale, për rreth 20-25 minuta.

Të njëjtën recetë ju mund ta përdorni edhe për patatet, thjesht në vend të makaronave vendosni patate të ziera e të prera në feta./AgroWeb.org

Ushqimet Që Ju Duhen Kur Merrni Antibiotikë

Antibiotikët janë ilaçe të forta që përpos luftimit të baktereve shkaktojnë edhe shumë efekte anësore në organizëm, kryesisht në stomak.

Përdorimi i antibiotikëve shkakton të përziera, diare, fryrje, probleme me tretjen, dhimbje të stomakut dhe humbje të oreksit.

Efektet anësore mund të zbuten me ushqimet e duhura, të cilat nga ana tjetër mund të përshpejtojnë shërimin.

Në këtë artikull të AgroWeb.org do të mësoni për ushqimet që duhet të hani dhe të shmangni kur merrni antibiotikë.

Probiotikët

Përdorimi i antibiotikëve mund të prishë ekuilibrat e baktereve të nevojshme në stomak.

Probiotikët janë të domosdoshëm sepse zbusin shumë prej efekteve anësore të antibiotikëve.

Nëse merrni probiotikë, rekomandohet që ato të merren në një diferencë kohore prej 2 orësh nga antibiotiku.

Probiotikët duhen marrë edhe pas mbarimit të kurës me antibiotikë për të kthyer ekuilibrat e baktereve në stomak.

Ushqimet e pasura me probiotikë janë kosi, kefiri, ushqimet e fermentuara, si turshitë, djathi i napës, etj.

Prebiotikët

Prebiotikët konsiderohen si ushqim për bakteret e mira në stomak.

Ushqimet më të pasura me prebiotikë janë; qepa, hudhra, banania, çikorja, kosi e të tjerë.

Me prebiotikët duhet të tregoni kujdes dhe të mos merrni sasi të mëdha sepse për shkak të fibrës mund të përjetoni gazra dhe fryrje.

Vitamina K

Antibiotikët shkatërrojnë shumë baktere në organizëm, përfshirë ato që prodhojnë vitaminën K, për të cilën trupi ka nevojë të sigurojë mpiksjen e gjakut.

Kurat e antibiotikëve duhet t’i shoqëroni me shumë barishte si spinaqi, barishtet e egra, majdanozi, lakrat e vogla e të tjerë.

Fibra

Ekspertët paralajmërojnë se kur marrin një kurë me antibiotikë, njerëzit duhet të shmangin ushqimet me sasi të mëdha fibre sepse kjo e fundit ndikon në përthithjen e barnave.

Por me të mbaruar kurën, fibra është e domosdoshme dhe ajo gjendet tek: bananet, frutat e pyllit, bishtajore, brokoli, arrorët dhe drithërat e plota.

Çfarë Duhet Shmangur Gjatë Një Kure Me Antibiotikë

Një nga këshillat më të forta që jep një mjek krahas recetës me antibiotikë është shmangia e alkolit.

Pirja e alkolit mund të përkeqësojë simptomat por edhe të nxisë rrahjet e shpejta të zemrës, marramendje e dhimbje koke.

Alkol mund të pini në sasitë e lejuara, 48-72 orë pas mbarimit të kurës me antibiotikë./AgroWeb.org

Trahaniku i Ngrohtë – Si të Përgatisni një Ndër Recetat më të Vjetra Shqiptare

Një recetë shumë e vjetër autentike por shije plotë dhe unike në mënyrën e përgatitjes dhe përbërësve të saj.

Ky është Trahaniku!

Sekreti i shijes fantastike të kësaj recete është përbërësi kryesor i tij, Bollguri, i cili është një drithë që prodhohet nga disa lloje gruri.

Bollgurin mund ta gjeni lehtësisht edhe në supermarketet e vendit tonë duke qenë se ky drithë ka qenë gjithnjë pjesë e gastronomisë shqiptare dhe kosovare.

AgroWeb.org sjell më poshtë recetën autentike të grave dhe nënave të zonave jugore të vendit, një recetë fantastike që zona si Përmeti, Erseka, Skrapari, Lunxhëria, Pogradeci, Korça etj vijojnë ta ruajnë si traditë edhe sot.

Kjo është mënyra që përdoret më zakonisht në krahinën e Lunxhërisë, ndërkohë në zonën e Përmetit, Ersekës dhe Skraparit bollguri ose gruri i shtypur me të cilin mbushet peta përgatitet edhe me mish të grirë dhe qepë të thata, ndërsa në zonën e Pogradecit dhe Korçës gjatë përgatitjes së mbushjes shtohet dhe djathë i bardhë i thërrmuar.

Përgatitja e Lakrorit të Lunxhërisë

Përbërësit

Për një tavë mesatare duhen:

3-4 gota uji me miell gruri (për petët) ose petë që mund t’i gjeni në supermarkete

2 gota uji me bollgur ose me grurë i shtypur

3 lugë gjelle gjalpë

2 kokrra vezë

3 lugë gjelle djathë i thërrmuar

Kripë

Përgatitja 

Pasi përgatitet brumi (si për byrek) hapet në petë të holla.

Bollguri (e gjeni në supermarkete) futet në një tenxhere me ujë të ngrohtë (30 minuta), që të bymehet.

Më pas vendoset që të ziejë. Përzihet vazhdimisht me lugë druri që të mos ngjitet. I shtohet qumësht dhe lihet të ziejë edhe 2-3 minuta të tjera.

Hiqet nga zjarri dhe pasi ftohet, i hidhen vezë, djathë i thërrmuar dhe gjalpë.

Në një tavë të lyer me gjalpë shtrohet gjysma e petëve, të cilat spërkaten me disa pika gjalpë të shkrirë ose vaj ulliri.

Hidhet bollguri i përgatitur dhe sipër tij vendosen petët e tjera, spërkatet me gjalpë dhe futet të piqet në furrë.

Ndërkohë, bollgurin mund ta përgatisni edhe ndryshe.

Në këtë rast, përgatiten më pak petë.

Shtrohen petët dhe lihen me anët e varura jashtë tavës.

Pasi hidhet bollguri, petët anash mblidhen në rrudha, duke e lënë mesin e tavës të hapur.

Spërkatet me gjalpë edhe piqet./AgroWeb.org