BE Kërkon Prodhimet Shqiptare – Fieri Kryeson me Varietetet e Shalqirit

364 0

Prodhimet bujqësore shqiptare po ndjekin trendin e rritjes pozitive të eksportit, por produkti që po kryeson në këtë sezon është shalqiri.

Rreth 80% e prodhimit të përgjithëm të shalqirit që prodhohet në qarkun e Fierit eksportohet në vendet e BE-së.

Statistikat nga Drejtoria e eksporteve me qendër në Vlorë, bëjnë të ditur se mbi 4 mijë tonë shalqi u eksportuan në 3-mujorin e dytë të vitit, shifër kjo dy herë më e lartë se në të njëjtën kohë vitin e kaluar.

Ndërsa piku i prodhimit të këtij fruti vijon deri në muajin gusht çka do të thotë se edhe eksporti do të vijojë treguesit e rritjes progresive.

Investimi për kultivimin e shalqirit në serra, një risi në bujqësinë shqiptare, duket po jep rezultate në prodhimin e bollshëm dhe ofertën e përmbushur  për tregun e huaj.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bën të ditur se, “statistikat e 6-mujorit të parë 2020 shënojnë rritje të eksportit të specit, domates, kastravecit, lakrës dhe shumë perimeve të tjera. Rritja mesatarisht që shkon deri në 20%. Ndërsa kemi rritje në vlerë dhe në çmim krahasuar me vitin 2019”./Burimi:ATSH