Kërkesa konsumatore e qëndrueshme, rritja e punësimit dhe e pagave, si dhe pritjet për norma inflacioni të larta po zgjerojnë bazën e presioneve inflacioniste në ekonominë shqiptare.

Raporti i politikës monetare për tremujorin e IV 2022 i Bankës së Shqipërisë nënvizon se presionet inflacioniste po bëhen edhe më komplekse. Inflacioni në ekonominë shqiptare u rrit në nivelin 7.9% në tremujorin e tretë të vitit, nga mesatarja prej 6.7% e shënuar një tremujor më parë. Çmimet e larta të ushqimeve dhe të naftës vijojnë të japin kontributin kryesor në inflacion, por rritja e çmimeve vihet re tek një gamë gjithnjë e më e gjerë produktesh dhe shërbimesh.

Kërkesa konsumatore mbetet e njejtë

Nga ana tjetër, Banka e Shqipërisë konston se kërkesa konsumatore u shfaq relativisht rezistente ndaj goditjeve. Ajo u rrit me norma të qëndrueshme edhe në tremujorin e dytë, e mbështetur nga rritja dinamike e punësimit dhe e pagave, nivelet e larta të kursimeve dhe paketat e rezistencës sociale.

Në veçanti, tregu i punës është përmirësuar me hapa të shpejtë prej fillimit të vitit 2021, duke shënuar rritje të punësimit, rënie të shkallës së papunësisë dhe rritje të pagave në sektorin privat. Këto përmirësime sigurojnë mbështetje për buxhetin e familjeve shqiptare, por ato krijojnë dhe premisa për presione inflacioniste më të qëndrueshme në vijim.

A do të ulen çmimet?

Analiza e Bankës së Shqipërisë tregon se do të duhet ende kohë që rritja e çmimeve dhe shtrëngimi i politikës monetare ta frenojë kërkesën konsumatore në një masë të mjaftueshme për të ulur presionet inflacioniste në ekonomi.

Banka e Shqipërisë parashikon se inflacioni do të mbetet i lartë deri në fillim të vitit 2023, por ai parashikohet të ulet gradualisht. Nivelet e larta të inflacionit në afatin e shkurtër do të pasqyrojnë si veprimin e faktorëve globalë, si çmimet e larta të ushqimeve dhe të naftës në tregjet botërore – ashtu dhe veprimin e faktorëve të brendshëm, ashtu edhe rritjen e kërkesës, punësimit, pagave dhe pritjet e larta inflacioniste.

Nga ana tjetër, rënia e inflacionit përgjatë vitit 2023 është një parashikim që mbështetet në rënien e pritur të inflacionit të ushqimeve dhe të naftës në tregjet botërore, si pasojë e efektit bazë dhe stabilizimit të çmimeve të lëndëve të para. Paralelisht, Banka e Shqipërisë vlerëson se normalizimi i politikës monetare në vend do të krijojë kushte më të përshtatshme monetare për kthimin e inflacionit pranë objektivit 3% në gjysmën e parë të vitit 2024.

Ndërkohë, ekonomia shqiptare pritet të vijojë rritjen në pjesën e mbetur të vitit dhe gjatë vitit 2023, por ritmet e rritjes do të vijnë në ngadalësim. Kërkesa agregate pritet të vuajë pasojat e inflacionit të lartë, dobësinë e ekonomive partnere evropiane dhe reduktimin e stimulit fiskal.

Megjithatë, Banka e Shqipërisë vlerëson se rritja ekonomike do të vazhdojë të mbështetet nga disa faktorë. Bilancet e shëndetshme financiare dhe rritja e kredisë pritet të mbështesin zgjerimin e konsumit dhe investimeve. Gjithashtu, tregu dinamik i punës pritet të mbështesë buxhetet e familjeve në përballimin e rritjes së kostove të jetesës. Turizmi pritet të ruajë trendin e tij pozitiv, duke mbështetur sektorët e ndërlidhur me të dhe rritjen ekonomike.

Burimi: Revista Monitor