COVID-19: Paketat Për Mbështetje Financiare me Fokus Punonjësin

244 0

Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj në një intervistë dhënë pasditen e së martës u shpreh se të dyja paketat e solidaritetit kanë në fokus të drejtpërdrejtë qytetarin, ku vetëm në paketën e parë përfitues janë 66 mijë qytetarë që përfitojnë pagesën e luftës dhe kësaj liste u shtohen edhe 100 mijë të tjerë me paketën e dytë.

“Dua të theksoj se çdo paketë ka në fokus të drejtpërdrejtë qytetarët në nevojë, por patjetër që në një dimension e lehtëson në momentin aktual por sigurisht e furnizon, ndihmon për nevojat bazike. Këto janë paketa sociale, dhe po ta shikoni edhe paketa 1, edhe 2, fokusin e ka tek punonjësi në radhë të parë, tek qytetarët, individët dhe familjet që u goditën më rëndë nga koronavirusi. Paketa e parë u fokusua tek sipërmarrja e vogël e mbyllur me urdhër të Ministrisë së Shëndetësisë dhe janë duke përfituar, procesi vazhdon. Sot kemi 31 mijë që kanë përfituar pagesën e luftës, 26 mijë lekëshin e parë që do të vazhdojë në 2 muajt e tjerë. Në total janë 60 422 qytetarë, familje, që do të përfitojnë nga kjo paketë”.

Sipas tij, pjesë e kësaj pakete është edhe shtyrja e tatimfitimit për sipërmarrjet e vogla.

“Pjesë e kësaj pakete ishte shtyrja e tatim-fitimit për sipërmarrjen e vogël, shtyrjen e pagesave të kësteve përtej shtatorit ndërkohë që u përmirësua si masë duke e future në paketën e dytë një shtyrje  përtej 31 dhjetorit të këtij viti. Në të njëjtën kohë, pjesë e paketës së parë është edhe instrumenti i garancisë sovrane për të ndihmuar kompanitë e vogla apo të mëdha, për të paguar të gjitha detyrimet që kanë punonjësit e vet për pagat. Instrumenti shkon në 100 milionë dollarë dhe kryeministri ka bërë propozimin që sot materializohet dhe ligjërisht dhe procedurialisht dhe nesër bëhet i gatshëm që dhe interesi që do të duhej t’ia paguanin kompanitë, dhe indirekt qytetarët dhe të punësuarit, është marrë përsipër nga buxheti i shtetit. Kjo ishte paketa e parë”.

Më tej, Ahmetaj tha se “paketa e dytë, të cilën Kryeministri e prezantoi dje në orën 7 pasdite, sërish është e fokusuar tek qytetarët në nevojë, është e fokusuar jo vetëm tek biznesi i vogël, por edhe tek biznesi i madh. Ka në fizionomi të saj, kjo paketë e zgjeruar solidarizimi me qytetarë në nevojë dhe vështirësi.

Qeveria ka avancuar gati 7 miliardë ose 70 milionë dollarë të tjerë të rialokuara nga buxheti, në funksion të pagesave të këtyre kategorive.

Kategoria e parë janë qytetarë, janë të punësuarit, të cilët janë gjendur të papunë brenda akoma të borderosë ose jashtë borderosë për shkak të urdhrit të Ministrisë së Shëndetësisë për karantinim apo mbylljen e aktivitetit ekonomik.

Brenda së njëjtës kategori hyjnë të gjithë ata që janë pushuar nga puna, kanë dalë nga puna për shkak të ngadalësimit ekonomik në fashën kohore nga fillimi marsit deri në 10 prill. Kjo kategori janë 66 mijë qytetarë, 66 mijë familje të cilët marrin 400 mijë lekë të vjetra si pagesë e drejtpërdrejtë neto. Kjo është kategoria e parë.

Kategoria e dytë që është akoma më e madhe dhe më e fokusuar tek qytetarët në nevojë, është kategoria për 100 mijë qytetarësh, familjesh që praktikisht janë duke kaluar një situatë të vështirë ekonomike. I përkasin të punësuarve dhe të vetëpunësuarve të biznesit të vogël.

Me këtë zgjerim social, solidar që është bërë nëpërmjet kësaj pakete përfshin të gjithë ata punonjës dhe familje që janë të punësuar dhe të vetëpunësuar brenda biznesit të vogël që ekonomia e tyre, sipërmarrja e tyre apo sipërmarrja ku janë të punësuar ka humbur komplet ose një pjesë të konsiderueshme volumin ekonomik të punës dhe nuk janë pak por 100 mijë familje të punësuarish. Këta marrin pagën e drejtpërdrejtë 400 mijë lekë.

Më tej, Ahmetaj shtoi se “ në vazhdim të paketës kemi edhe 10 mijë të punësuar, familje në sektorin e turizmit. Nuk ka rëndësi nëse janë ose nuk janë sot në liste pagesë por që kanë qene në listë pagesë ne momentin kur është shpallur gjendja e jashtëzakonshme për shkak të COVID-19 dhe këta, edhe kjo kategori punonjësish përfiton pagesën e drejtpërdrejtë prej 400 mijë lekësh. Me këtë numër, bëhen 176 mijë qytetarë që përfitojnë nga paketa Rama 2.

Paketa vazhdohet me marrjen përsipër të kostos së interest për instrumentin e parë për 100 milionë dollarë që do të vazhdojë të shërbejë për të furnizuar kompanitë me kredi, tashmë me interes 0, për të bërë të mundur që këto kompani të kenë likuiditete të fokusuar vetëm tek paga”.

Ministri sqaroi se “kemi fasonët, turizmin, call center dhe i gjithë biznesi i vogël që i shtyhet pagesa e tatimfitimit pas 31 dhjetorit të këtij viti, proporcionalisht në vitin 2020-21″./Burimi:Atsh