Eurostat Për Shqipërinë – Prodhimi i Qumështit Me Shifra Rekord

313 0

Sektori i grumbullimit dhe përpunimit të qumështit ka qenë në zgjerim të vazhdueshëm prej vitit 2014.

Megjithatë një pjesë e këtij zgjerimi i atribuohet formalizimit të sektorit të grumbullimit dhe përpunimit të qumështit.

Sipas të dhënave nga Eurostat, në vitin 2018 sasia e qumështit që u përdor për t’u pirë ishte rreth 9.1 mijë tonë.

Sasia e qumështit e konsumuar për t’u pirë ka shënuar një rritje prej 11% në krahasim me vitin 2014.

Po ashtu rritje kanë njohur edhe nënproduktet e qumështit.

Kështu, sasia e përpunuar e kosit për vitin 2018 sipas të dhënave të Eurostat ishte 10.8 mijë tonë, me një rritje prej 31% në krahasim me 2014-n.

Po ashtu edhe prodhimi i gjalpit në sasi ishte 18.5 mijë tonë. Por sasinë më të lartë të prodhimit e pati djathi.

Sipas Eurostat sasia e prodhuar e djathit në 2018-n ishte 98.1 mijë tonë djathë, nga 82 mijë që ishte prodhuar në 2014-n.

Sasinë më të ulët prej nënprodukteve të qumështit e ka kremi me 2.2 mijë tonë të prodhuar.

Dy të tretat e qumështit në BE bëhet djathë

Në vitin 2018, 156.8 milionë tonë qumësht janë përpunuar në Bashkimin Europian.

Përpunuesit në BE prodhuan rreth 10.3 milionë tonë djathë, si dhe 2.4 milionë tonë gjalpë, e nënprodukte të tjera.

Së bashku, prodhimi i djathit dhe i gjalpit përbënte 2.3 (67%) të të gjithë qumështit të destinuar për prodhimin e bulmetit.

Gjithashtu në Bashkimin Europian janë prodhuar 30.1 milionë tonë qumësht (rreth 17 milionë tonë prej qumështit të plotë dhe 13 milionë tonë prej qumështit të pasterizuar).

Qumështi për t’u pirë përgjigjet për një të dhjetën (11%) të qumështit të përdorur për bulmet në 2018-n.

Gjermania prodhoi sasitë më të mëdha të djathit ndër vendet anëtare të BE-së (2.2 milionë tonë, apo rreth 22% të totalit të djathit të prodhuar në BE), e ndjekur nga Franca ( me një prodhim prej 1.9 milionë tonë apo 19% të totalit) dhe Italia me 1.3 milionë tonë dhe 13% të totalit të BE-së.

Mbretëria e Bashkuar prodhoi 6.8 milionë qumësht për konsum në 2018, apo rreth 23% të totalit të BE-së./Burimi:Monitor