Grupi ProCredit arrin rritjen dyshifrore të portofolit (10.2%) gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2018

232 0
  • Rritje e madhe gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2018: portofoli bruto i kredive u rrit me 398 milion euro ose me 10.2% (gjatë nëntë muajve të parë vitit 2017: 5.6%) në 4.3 miliard euro
  • Në vlerën 40.9 milion euro, rezultati i konsoliduar nga operacionet e vazhdueshme të biznesit gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2018 është dukshëm mjaft mbi rezultatet e arritura gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2017 (36.5 milion euro)
  • Rritja e qëndrueshme e të ardhurave neto nga interesi në vitin 2018: Tremujori I – 46.6 milion euro, Tremujori II – 47.1 milion euro, Tremujori III – 48.0 milion euro
  • Rritja e të ardhurave neto nga komisionet me 12.1% në 37.3 milion euro (gjatë nëntë mujorit në 2017: 33.3 milion) në fushën e klientëve privatë dhe klientëve të biznesit
  • Konfirmohen parashikimet për vitin 2018: Rritja bruto e portofolit të kredisë nga 12 deri në 15% dhe norma e kthimit të kapitalit nga 7.5 deri në 8.5%

Frankfurt am Main, 14 nëntor 2018 – ProCredit Holding AG & Co. KGaA (ProCredit Holding, ProCredit) raporton një rritje dinamike gjatë nëntë muajve të parë të vitit për Bankat ProCredit, të cilat janë kryesisht aktive në Europën Juglindore dhe Lindore.

E pozicionuar në tregjet e saj si “Hausbank” për SME-të, Grupi ProCredit ka arritur një rritje prej 10.2%, konkretisht prej 398 milionë euro, në portofolin bruto të kredive gjatë kësaj periudhe, në 4.3 miliard euro (31 dhjetor 2017: 3.9 miliardë euro).

Rrjedhimisht Grupi ProCredit ishte në gjendje të përshpejtojë zhvillimin e tij pozitiv në krahasim me tre tremujorët e parë të vitit 2017 (nëntë muajt e parë të vitit 2017: 5.6% ose 204 milionë euro) dhe gjatë gjithë vitit ushtrimor 2017 (8.0% ose 281 milionë euro).

Rritja e madhe e portofolit që është regjistruar gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2018 tregon mënyrën se si të gjitha bankat ProCredit janë pozicionuar në mënyrë efektive si “Hausbank” për bizneset dinamike SME.

Gjatë vitit të kaluar financiar, zhvillimi i portofolit në grupin ProCredit ishte akoma kryesisht nën ndikimin e rënies së kredive me volum të ulët për bizneset shumë të vogla.

Zgjerimi i vazhdueshëm i aktivitetit kredidhënës për bizneset SME ka dhënë efekte pozitive në rritjen e të ardhurave neto nga interesat: rritje të vazhdueshme janë regjistruar gjatë gjithë vitit, nga 46.6 milionë euro në tremujorin e parë dhe 47.1 milionë euro në tremujorin e dytë, në 48.0 milionë euro në tremujorin e tretë të vitit 2018.

Portofoli ynë i kredive të gjelbra, të cilin bankat ProCredit e përdorin për të mbështetur investimet e përgjegjshme mjedisore, demonstruan një rritje prej 28.6%, duke tejkaluar rritjen e portofolit total të kredive.

Deri më 30 shtator 2018, kreditë e gjelbra përbënin 14.7% të totalit të portofolit të kredisë (në 31 dhjetor 2017: 12.6%). Për më tepër, kreditë e gjelbra përfaqësojnë 18.0% të të gjitha kredive të investimit në banka që nga 30 shtatori 2018.

Rezultati i konsoliduar i Grupit ProCredit nga operacionet e vazhdueshme të biznesit për nëntë muajt e parë të vitit 2018 arriti në vlerën prej 40.9 milionë euro, e cila është më e lartë se 36.5 milionë euro që u regjistruan për të njëjtën periudhë një vit më parë.

Masat që u implementuan në vitin e mëparshëm financiar për rritjen e efiçencës reflektohen qartë në shpenzimet operative më të ulëta.

Në krahasime me të njëjtën periudhë të një viti më parë, shpenzimet për punonjësit dhe ato administrative u zvogëluan me 10.0%, ose 14.0 milionë euro, në 126.1 milionë euro.

Për më tepër, të ardhurat neto nga komisionet u rritën si në segmentin e klientëve privatë ashtu edhe në segmentin e klientëve biznes me 12.1% në 37.3 milionë euro gjithsej.

Shpenzimet për provigjionimin e rrezikut mbetën të ulëta, të cilat gjithashtu dhanë një efekt pozitiv në rezultatin e konsoliduar. Ky zhvillim bazohet në përmirësime të vazhdueshme të cilësisë së portofolit.

Gjatë nëntë muajve të parë të vitit, pjesa e kredive me probleme u zvogëlua nga 4.8% më 31 dhjetor 2017 në 3.5% më 30 shtator 2018. Niveli i mbulimit të rrezikut për kreditë me probleme u rrit në 92% (31 dhjetor 2017: 83.3%).

Optimizimi i kostos gjatë vitit rezultoi në përmirësimin e raportit të kostos ndaj të ardhurave. Ky raport u zvogëlua gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2018 në 70.1%, krahasuar me një raport prej 73.1% për të njëjtën periudhë të vitit 2017.

Gjatë gjysmës së parë të vitit, raporti i kostove ndaj të ardhurave ishte 71.3%. Ky përmirësim prej më shumë se 1.2 pikë përqindjeje u bazua në rritjen e rezultatit operativ, veçanërisht nga interesat dhe komisionet më të larta si dhe nga rritja e të ardhurave të tjera.

Në vlerën prej 40.9 milionë euro, rezultati i konsoliduar i Grupit ProCredit për nëntë muajt e parë të vitit 2018 rezultoi mbi nivelin e regjistruar gjatë të njëjtës periudhë në vitin 2017 (35.8 milionë euro).

Norma e kthimit të kapitalit (RoE) rezultoi 7.7% më 30 shtator 2018. Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, norma e kthimit të kapitalit u përmirësua me 0.6 pikë përqindjeje (gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2017: 7.1%), pavarësisht zmadhimit të bazës së kapitalit.

Depozitat e klientëve, të cilat përbëjnë burimin më të rëndësishëm i financimit për bankat ProCredit, ishin 3,7 miliardë euro më 30 shtator 2018; ky ishte niveli i njëjtë i raportuar në fund të vitit ushtrimor 2017 (në 31 dhjetor 2017: 3.6 miliardë euro).

Borislav Kostadinov, anëtar i Këshillit Drejtues të ProCredit General Partner AG (i vetmi subjekt përgjegjës për ProCredit Holding AG & Co. KGaA) theksoi se:

Rezultatet e nëntë muajve të parë të vitit 2018 tregojnë suksesin e pozicionimit tonë si “Hausbank” për bizneset SME, duke patur në fokus tregjet në zhvillim në Europën Lindore dhe Juglindore. Rritja e madhe e portofolit në kategorinë e SME-ve në vitin 2018 solli në rritje të qëndrueshme të të ardhurave nga interesi neto nga tremujori në tremujor.

Përmirësimi i raportit kosto/ të ardhura, që prej tremujorit të dytë është ndikuar qartë nga të ardhurat. Rritja e depozitave të klientëve gjatë vitit me rreth 100 milionë euro ishte si rezultat i depozitave të klientëve të biznesit.

Kjo kompensoi më tej zvogëlimin e volumeve të depozitave më të vogla nga klientët privatë që rezultojnë nga reduktimi i numrit të Agjencive, si rezultat i zbatimit të strategjisë sonë të zhvillimit të aktivitet bankar në mënyrë të drejtpërdrejtë (direct banking) “.

Raporti i Kapitalit (The Common Equity Tier 1)  (CET1 fully loaded) është rritur nga 13.7% në fund të vitit 2017 në 14.5% më 30 shtator 2018, duke evidentuar kapitalizimin solid të grupit ProCredit. Zmadhimi i kapitalit me 10% që u realizua në muajin shkurt 2018 pati një ndikim të rëndësishëm në këtë raport.

Në tërësi për vitin 2018, ProCredit Holding konfirmon parashikimet e paraqitura në Raportin Vjetor 2017: rritja e portofolit të kredisë bruto nga 12 deri në 15% parashikohet përsëri.

Në varësi nga zhvillimi i marzhit neto të interesave dhe rritjes së portofolit të kredisë, norma e kthimit të kapitalit (RoE) parashikohet të jetë midis 7.5 dhe 8.5% për vitin financiar 2018.

Raporti gjashtëmujor i grupit është publikuar në gjuhën gjermane dhe angleze në faqen zyrtare të internetit të ProCredit Holding në seksionin Marrëdhëniet e Investitorëve në linkun e mëposhtëm https://www.procredit-holding.com/investor-relations/reports-and-publications/financial-reports/?noredirect=en_US.

 Personi i kontaktit: 

Andrea Kaufmann, Njësia e Komunikimit të Grupit ProCredit Holding, Tel.: +49 69 951 437 138, E-mail: Andrea.Kaufmann@procredit-group.com

Rreth ProCredit Holding AG & Co. KGaA

ProCredit Holding AG & Co. KGaA, me seli në Frankfurt am Main, Gjermani, është kompania mëmë e grupit ProCredit i cili është një grup i orientuar drejt zhvillimit, i përbërë nga banka të fokusuara në SME. Krahas fokusit të saj për ushtrimin e aktivitetit në Europën juglindore dhe Europën lindore, grupi ProCredit është gjithashtu aktiv në Amerikën Jugore dhe në Gjermani. Aksionet e kompanisë tregtohen në segmentin Prime Standard të bursës së Frankfurtit. Aksionaret themelues të ProCredit Holding AG & Co. KGaA përfshijnë investitorët strategjikë Zeitinger Invest dhe ProCredit Staff Invest (që përbëjnë mjetet e investimit për stafin e punonjësve të ProCredit), DutchDOEN Participaties BV, KfW Development Bank dhe IFC (pjesë e Grupit të Bankës Botërore). Si kompani e varur e Grupit, sipas Aktit Normativ Gjerman për Bankat, ProCredit Holding AG & Co. KGaA mbikëqyret në një nivel të konsoliduar nga Autoriteti Federal i Mbikëqyrjes Financiare (Bundesanstalt fürFinanzdienstleistungsaufsicht, BaFin) dhe Banka Qendrore Gjermane (Bundesbank). Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni www.procredit-holding.com

Deklaratat për të ardhmen

Ky raport përmban deklarata për të ardhmen. Deklaratat për të ardhmen janë deklarata që nuk përshkruajnë ngjarje të kaluara; Ato përfshijnë deklarata mbi supozimet dhe pritshmërinë e ProCredit Holding si dhe supozimet bazë. Këto deklarata bazohen në planet, supozimet, vlerësimet dhe parashikimet që aktualisht janë në dispozicion të drejtuesve të ProCredit Holding. Prandaj, deklaratat për të ardhmen mbajnë vetëm datën në të cilën ato janë përgatitur dhe hartuar. ProCredit Holding nuk ka asnjë detyrim për të përditësuar këto deklarata në rast se ka informacione ose ngjarje të reja në të ardhmen. Deklaratat për të ardhmen përfshijnë padyshim rreziqe dhe pasiguri. Një numër faktorësh të rëndësishëm mund të kontribuojnë në faktin se rezultatet aktuale mund të ndryshojnë materialisht nga pasqyrat për të ardhmen. Këta faktorë mund të përfshijnë probleme të mëdha në Eurozonë, një ndryshim domethënës në politikën e tregtisë së jashtme ose në politikën monetare, një përkeqësim të marzhit të normës së interesit ose luhatje të theksuara të kursit të këmbimit. Në rast se do të ndodhin ndonjë nga këta faktorë, ndikimi mund të demonstrohet në uljen e rritjes së portofolit të kredisë dhe në rritjen e numrit të kredive në vonesë, duke sjellë kështu uljen e nivelit të përfitueshmërisë.