Evans Rroko, Profesor në Universitetin Bujqësor të Tiranës, analizon se si do të ndikohen kulturat bujqësore në të gjithë vendin nga ndryshimet klimatike dhe gjithashtu jep rekomandime për ndërhyrje në secilën nga zonat.

Sa i rrezikuar është prodhimi bujqësor nga ndryshimet klimatike?

Studimet e bëra tregojnë se Ballkani, dhe sidomos pjesa mesdhetare e tij, pritet të jetë mjaft e goditur nga ndryshimet klimatike, të cilat do të shkaktojnë rritje të temperaturave, pakësim të reshjeve totale vjetore.

Por një ndikim shumë i dëmshëm për bujqësinë është rritja e ndjeshme, që pritet të ndodhë, e fenomeneve ekstreme klimatike, si temperatura ekstreme (të larta apo të ulëta), reshje të dendura në formë shtrëngatash që shkaktojnë përmbytje, apo edhe erozion të tokave bujqësore, thatësira të tejzgjatura etj. Këto fenomene kanë ndikime të drejtpërdrejta në prodhimin bujqësor.

Përveç rënies së rendimentit, i cili në vendin tonë, për disa bimë, deri në vitin 2050 parashikohet të arrijë deri në 8-10% dhe deri në vitin 2100, deri në 18%, ka edhe pasoja të tjera që lidhen me uljen e cilësisë së prodhimit sidomos te frutat e perimet, apo edhe me humbjen e cilësive të tokës bujqësore nga rritja e kripëzimit, pakësimi i lëndës organike në tokë, apo edhe humbja e tokës nga erozioni i shtuar.

A ka evidenca për dy dekadat e fundit dhe projeksione për në vijim

Të flasësh për evidenca në Shqipëri është e vështirë për faktin se statistikat zyrtare të bujqësisë, jo detyrimisht paraqesin realitetin e prodhimit bujqësor në vend. Në këto statistika ka shumë fiktivitet dhe kryerja e analizave bazuar mbi to, jo gjithmonë do të mundësojnë nxjerrjen e konkluzioneve të sakta.

Sidoqoftë, nga kontaktet me fermerët, nuk është e vështirë të ndihen problemet që ata hasin vazhdimisht në punën e tyre të shkaktuar edhe nga fenomene. Për shembull, ky vit ishte me një pranverë të vonë dhe një verë shumë të nxehtë.

Këto fenomene patën pasoja të rënda në prodhimin bujqësor. Perimet dhe frutat dolën në treg më me vonesë, dhe thatësira dhe temperaturat e larta shkaktuan dëme të konsiderueshme në të gjitha kulturat bujqësore të sezonit të pranverës.

Cilat zona janë më të rrezikuara dhe cilat kulturat bujqësore?

Të gjitha zonat, në një mënyrë apo një tjetër, janë të rrezikuara nga ndryshimet klimatike, por sigurisht, zonat ku priten që dëmet të jenë më të mëdha janë zonat fushore, pikërisht aty ku edhe bujqësia është më intensive.

Në zonat malore, rreziku më i madh vjen nga reshjet e dendura, të cilat do të rrisin rrezikun e erozionit të tokës, ndërsa rritja e temperaturave, në njëfarë mënyre, jo vetëm nuk do të pengojë, por përkundrazi do të ndihmojë rritjen e bimëve, si të atyre të kultivuara, ashtu edhe të prodhimit të kullotave natyrore.

Në zonat fushore e kodrinore, problemet më të mëdha do të krijohen nga rritja e temperaturave gjatë verës dhe zgjatja e mëtejshme e thatësirave, sigurisht pa lënë mënjanë edhe mundësinë në rritje të përmbytjeve gjatë stinës së dimrit.

Edhe pakësimi i ditëve me temperatura minimale, gjatë periudhës së dimrit, përbën një problem tjetër që ndikon në uljen e cilësisë së disa frutave. Shkretëtirëzimi i tokave, si pasojë e thatësirave dhe pakësimit të lëndës organike në tokë, si dhe rritja e sipërfaqeve të kripëzuara janë dy pasoja të tjera të pritshme në zonat fushore, nga ndryshimet klimatike që do të pakësojnë sipërfaqen e përdorshme të tokës bujqësore.

Kulturat më të ndjeshme janë ato që mbillen gjatë pranverës, të cilat kultivohen gjatë periudhës së verës. Relativisht, më pak të prekura do të jenë kulturat dimërore. Perimet janë ndër kulturat më të ndjeshme ndaj ndryshimeve klimatike, por edhe frutat dhe bimët e tjera të arrave si misri, apo bimë të tjera që përdorin sasi të mëdha uji për zhvillimin e tyre do të pësojnë një rënie të rendimenteve.

Por nuk është vetëm sasia, pasi edhe cilësia frutave dhe perimeve, si dhe aftësia e tyre për t’u ruajtur pas vjeljes ndikohet mjaft nga ndryshimet klimatike. Fermerët nuk do të kenë humbje ekonomike vetëm nga rënia e prodhimit dhe cilësisë së produkteve të tyre, por edhe nga rritja e shpenzimeve për më shumë ujitje, apo për marrjen e masave për mbrojtjen e bimëve ndaj rritjes së përhapjes së sëmundjeve dhe dëmtuesve, apo rritjes së pranisë së barërave të këqija në parcelat e kultivuara./Burimi:Monitor