Prodhuesit e produkteve të bulmetit vijojnë të jenë në vështirësi për gjendjen e qumështit të lopës.

Rënia e prodhimit të qumështit të lopës nga fermat aktualisht ka shtuar në tregje mungesën e djathit të lopës. Fabrikat pohojnë se me vështirësi po plotësojnë kërkesën me qumësht importi. Kërkesa nga konsumatori shfaqet me rënie për shkak të rritjes së çmimeve.

30% më shtrenjtë në Mars

Përpunuesit e qumështit parashikojnë edhe rritje tjetër të çmimeve të qumështit të deles dhe të dhisë deri 30% më shtrenjtë nga mars 2023 për shkak të kërkesës së lartë dhe ofertës së ulët. Shtrenjtimi i çmimit të qumështit pritet të rrisë sërish çmimet e bulmetit.

Donjaldo Hoxha drejtori i shoqatës Industria e Përpunuesve së Qumështit pohoi për Monitor se aktualisht në frigoriferët e produkteve të stazhinuara të fabrikave prodhuese ka më pak sasi të djathit të lopës krahasuar me vitin e kaluar. “Kjo ka ardhur si pasojë e sasisë së ulët të qumështit të grumbulluar në muajt e verës, por gjithashtu edhe për shkak se prodhuesit në këtë periudhë iu përgjigjën kërkesës më lartë për produkte në periudhën e sezonit turistik. Vështirësitë janë paralajmëruar prej muajsh nga fabrikat e përpunimit të qumështit dhe gjendja e tanishme është si rezultat i mosmarrjes së masave nga institucionet përgjegjëse”.

Fabrikat e qumështit thanë për Monitor se aktualisht gjenden në vështirësi për gjetjen e qumështit të lopës edhe pse çmimi i tij është rritur 30 deri 40% . Nga fermat e vogla çmimi i qumështit të lopës shitet 70 lekë për litër, ndërsa nga fermat më të mëdha 80 lekë për litër.

“Tashmë u bë 1 vit që në treg qumështi i lopës gjendet me vështirësi. Në muajt korrik -gusht kemi qenë me mungesë të djathit të stazhinuar. Kjo ka ardhur për shkak të rënies së numrit të fermave të vogla. Edhe pse fermat e mëdha të mbajtjes së lopëve janë rritur në raport me reduktimin e fermave të vogla zgjerimi i tyre nuk ka efekt te prodhimi. Rënia e fermave të vogla ka ardhur për shkak të emigrimit të rinjve. Kërkesa për djathë lope po plotësohet me vështirësi me qumësht nga jashtë, pasi edhe qumështi i importit po gjendet me vështirësi”, pohoi një nga fabrikat prodhuese në vend.

Raporti me vitin 2020 dhe 2021

Sasia e qumështit të lopës së grumbulluar në 2021 në raport me 2020 ishte 7% më pak sipas të dhënave të INSTAT. Vitin e kaluar rënia e qumështit të grumbulluar krahasuar me periudhën para pandemisë, vitin 2019 ishte 25%.

Përveç rënies së prodhimit të qumështit të lopës që gjendet në çdo sezon, përpunuesit parashikojnë vështirësi edhe në gjetjen e qumështit të deles dhe dhisë me prodhimin e ri të pranverës. Kërkesa e lartë për qumësht sipas parashikimeve të bizneseve mund të sjellë një tjetër rritje të çmimit të qumështit të deles dhe dhisë deri 30%. Nëse çmimi do të rritet kjo do të detyrojë përpunuesit të shtrenjtojnë çmimit e bulmetit, çka sipas tyre riskon uljen e konsumit. /D.Azo

Burimi: Revista Monitor