Projekti i financuar nga BE-ja “çon” fondet IPARD në Dibër të Madhe. Fermeri nga Maqedonia e Veriut përfiton financim për agrobiznesin e tij

426 0

Fermeri Mustafa Mashkulli çel “dritaren e parë” të bashkëpunimit mes IPARD dhe Dibrës së Madhe në Maqedoninë e Veriut.

Programi IPARD, përmes të cilit Bashkimit Europian mundëson asistencë në implementimin e projekteve për zhvillim të qëndrueshëm të sektorit bujqësor dhe zonave rurale, ka përzgjedhur për herë të parë një fitues nga Dibra e Madhe.

Plani i biznesit që nxorri fitues Mustafa Mashkullin, u mundësua nga projekti për “Standardet Bujqësore dhe Çertifikimet, Ndërtimin e Kapaciteteve për Përthithjen e Financimit dhe Strategjitë e Marketingut në Mbështetjen e Zhvillimit Ekonomik dhe Tregtise”.

Ky projekt 2 vjeçar, i financuar nga BE dhe implementuar nga Creative Business Solutions (CBS), në partneritet me Komunën e Dibrës dhe Fondin Shqiptar të Zhvillimit, ka për qëllim forcimin e sektorit të bujqësisë, kapacitetin prodhues të Ndërmarrjeve të Vogla e të Mesme (NMV) dhe aftësitë për të përthithur fonde të BE-së për investime të reja.

Kultivimi i Grurit është një nga aktivitetet më të lashta në historinë e njerëzimit, që mbart dije të formuara ndër shekuj me rradhë. Gruri është bimë shumë bujare, sidomos kur e do dhe kujdesesh shumë per të” – thotë Mustafa Mashkulli, i cili prej më shumë se 20 vitesh kultivon dhe përpunon grurë në zonën e Dibrës së Madhe.

Çdo investim ka ardhur si rezultat i punës së palodhur, përkushtimit dhe të ardhurave të vetë biznesit. Por sot ai na tregon një histori ndryshe. Historinë e një fermeri që përmes fondeve të BE-së, institucioneve shtetërore dhe ekspertizës së partnerëve në implementim, “vulosi” më 25 Tetor 2019 zhvillimin e mëtejshëm të biznesit të tij.

Fondet e përfituara përmes kësaj kontrate do të shkojnë për investime që pritet të kenë impakt rritës në të ardhura, përmirësim të cilësisë së produktit dhe shfrytëzim më të mirë të kohës, të gjitha pjesë thelbësore të projektit të biznesit, asistuar nga Creative Business Solutions.

Çfarë është dhe ku konsiton Programi IPARD

Programi IPARD është pjesë e Instrumentit për Asistencë Para-Aderimit (IPA), mjeti kryesor përmes së cilit Bashkimi Europian i siguron vendeve aspirante mbështetje financiare dhe teknike.

Komponenti për Zhvillimin Rural (IPARD) i mundëson vendeve kandidate asistencë në implementimin e programeve shumëvjeçare, duke kontribuar kështu në zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit bujqësor dhe zonave rurale.

Objektivat kryesorë të Programit IPARD janë:

  • Mbështetja e investimeve në sektorin agro-ushqimor, me synim përmirësimin e konkurrencës, përmbushjen e standardeve të BE-së dhe respektimin e standardeve të mbrojtjes së natyrës dhe mjedisit.
  • Mbështetja e investimeve në zonat rurale, me synim diversifikimin e ekonomisë rurale dhe krijimin e bizneseve që çojnë në përmirësim të mundësive të punësimit dhe të përfshirjes sociale.