Keqpërdorimi i antibiotikëve si nga njerëzit ashtu edhe tek kafshët mund të shkaktojë shpërthimin dhe shpërndarjen e një lloji të ri bakteresh rezistente ndaj këtyre ilaçeve.

Si rrjedhojë, këto baktere mund të kthehen në burimin e infeksioneve që trajtohen me vështirësi ose nuk mund të trajtohen.

Çfarë Janë Antibiotikët?

Antibiotikët janë medikamente shumë të fuqishme të projektuara për të shkatërruar bakteret ose ndaluar rritjen e tyre. Ato janë përdorur që në vitin 1940.

Rastet kur antibiotikët mund të shkaktojnë shumë dëm në organizëm kanë të bëjnë me përdorimin e tepruar ose keqpërdorimin.

Antibiotikët janë ilaçe që përdoren më shumë te kafshët se sa te njeriu.

Në mjaft vende të botës, 80% e të gjithë antibiotikëve të prodhuar u jepen kafshëve.

Kjo do të thotë se në këtë vend, vetëm 20 përqind e antibiotikëve që janë prodhuar për të mbrojtur shëndetin e njeriut, përdoren për një gjë të tillë.

Mishi i importuar në Shqipëri është më i rrezikuar nga keqpërdorimi i antibiotikëve.

Rritja e kafshëve për mish në vend ende përqendrohet në tufa të vogla krerësh.

Faktor tjetër është edhe çmimi i lartë i antibiotikëve dhe mungesa e praktikave industriale në prodhimin e krerëve për mish në Shqipëri.

Ndaj konsumatorët parapëlqejnë zgjedhjen e produktit vendas, por sasia e këtij të fundit është e kufizuar.

Bakteret Nga Ferma Në Kuzhinë

Në rastin e bagëtive, mishi i të cilëve përdoret nga njerëzit për ushqim, dhënia pa kriter e antibiotikëve shkakton shumimin e baktereve rezistente ndaj ilaçeve.

Në këtë mënyrë, shëndeti i njeriut është jashtëzakonisht i rrezikuar nga bakteret që janë rezistente ndaj antibiotikëve.

Për më shumë se 20 vjet studime, shkencëtarët kanë arritur në konkluzionin se ka një lidhje mes përdorimit të tepruar të antibiotikëve tek kafshët dhe humbjes së efikasitetit të antibiotikëve tek njeriu.

Rreziku i Infeksioneve

Njerëzit mund të marrin një infeksion të rëndë nga bakteret që u rezistojnë infeksioneve.

Specifikisht në rastin e kafshëve që rriten për ushqim për njerëzit, kërkohet trajtimi i rregullt dhe i kujdesshëm me antibiotikë.

Ato nuk duhet të përdoren për të stimuluar rritjen e kafshëve.

Shkeljet shkaktojnë një efekt domino në shëndetin e njeriut.

Ligje Të Reja Për Përdorimin e Antibiotikëve

Në vitin 2016, në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës është ndaluar me ligj përdorimi i antibiotikëve për rritjen e shpejtë të shtazëve.

Kjo ndodhi sepse përdorimi pa kriter i këtyre antibiotikëve për rritjen e shpejtë të kafshëve , është i rrezikshëm për shëndetin e njeriut.

Deri në këtë vit, veterinerët në vende të ndryshme të botës kanë dhënë antibiotikë të tillë pa kriter duke shkaktuar mjaft shqetësim.

Administrata Amerikane Për Ushqimin dhe Medikamentet rekomandon përdorimin e kufizuar të antibiotikëve.

Sipas saj antibiotikët duhen përdorur vetëm në rastet kur ato janë të nevojshme për shëndetin e kafshëve./AgroWeb.org

* Ky informacion ka për qëllim të plotësojë, të mos zëvendësojë këshilla nga mjeku juaj ose ofruesi i kujdesit shëndetësor dhe nuk ka për qëllim të mbulojë të gjitha përdorimet e mundshme, masat paraprake, ndërveprimet ose efektet negative. Ky informacion mund të mos i përshtatet rrethanave tuaja specifike shëndetësore.

Burimi: U.S. National Library of Medicine