Blerjet në Dyqane – Si të Kurseni më Shumë Para Këtë Vit

678 0

Blerjet janë shumë herë më të lira se psikiatri, thotë një prej shprehjeve më argëtuese që lexon në internet, duke theksuar kështu efektin terapeutik të këtij aktiviteti të preferuar prej gjithë botës.

Megjithatë, po të lëmë aspektin terapeutik mënjanë, e të merremi vetëm me anën financiare, do të kuptojmë se shumë prej blerjeve që bëjmë janë të kota.

Si Të Mos Bëni Blerje Të Kota Në 2020-ën?

Ekspertët e AgroWeb.org kanë përpiluar udhërrëfyesin e duhur për të mos bërë blerje të kota e të panevojshme këtë vit.

Vendosni Buxhet Mujor Dhe Mbi Të Gjitha…Rregulla!

Vendosni një buxhet mujor për blerje ku përfshihet edhe zëvendësimi i sendeve dhe produkteve që ju kanë mbaruar.

Mos bëni blerje spontate,

Mos blini kremëra dhe shampo pa ju mbaruar ato që keni,

Mos merrni hua,

Mos ndryshoni rregullat,

Mund të pranoni dhurata,

Mund të shpenzoni për udhëtime, eksperienca, ushqim,

Mund të shpenzoni për dhurata për të tjerët.

Buxheti mujor duhet të përfshijë blerje të: produkteve të lëkurës, flokëve, makiazhit, rroba, pajisje elektronike, bizhuteri, libra dhe artikuj shtëpiakë.

Mos Blini Ushqime Që Nuk Do T’i Hani Gjatë Javës

Nëse njeriu futet në një dyqan ushqimor, ose market, është e pamundur të mos dalë me një qese në dorë.

Ky është një shembull tipik i blerjes impulsive.  Mund të blesh një pako makarona kur në dollap ke të paktën 5 pako të tjera.

Mund të blesh një tufë sallatë, ndërkohë që ke akoma dy të tjera në shtëpi e të tjera si këto.

Rregulli i artë i kujdesjes në blerjen e ushqimeve është që të mos blini asgjë që nuk do ta hani gjatë javës.

E këtij rregulli i paraprin këshilla e përpilimi të një plani javor ushqimor me të cilin do të vendosni shumë gjëra në vijë.

Sa Më Pak Porosi Në Restorante

Nëse dëshironi të kurseni në 2020-ën, atëherë duhet të hiqni dorë patjetër nga të paktën një zakon i përditshëm.

Nëse hani jashtë dhe porosisni gjithmonë një vakt me një pije, hiqni dorë nga kjo e fundit.

Në vend të porosisni nga restorantet, bindeni veten që të hani më shumë në shtëpi.

Nëse porosisni rëndom dy pica në javë, përpiquni të porosisni një në dy javë.

Nëse marrim tarifën mesatare të një pice që është 500 Lekë, do të kurseni të paktën 3000 Lekë në muaj.

Ka shumë mënyra kursimi pa e sforcuar veten.

Mos U Gënjeni Nga Uljet e Sezonit

Uljet e sezonit kanë tendencën të joshin konsumatorin, por po të vësh re, shumë ulje sezonale kanë të bëjnë thjesht me përsëritjen e të njëjtëve artikuj, pra nuk ka gjëra të veçanta, me të vërtetë me ulje.

Mos u gënjeni nga ‘ulja’ dhe kurseni për gjëra me vlerë dhe mbi të gjitha të nevojshme me të vërtetë.

Prova e Dëshirës

Nëse dëshironi të blini diçka që ju pëlqen me të vërtetë shumë, bëni pak rezistencë dhe më pas provën e dëshirës.

Sfidojeni veten që të prisni një javë a një muaj që të kuptoni nëse e dëshironi me të vërtetë atë gjë apo është thjesht një akt impulsiv.

Blerjet Online

Cilado qoftë faqja juaj e preferuar për blerje në internet, dhurojini vetes pak pushim.

Edhe në këtë rast mund të bëni provën e dëshirës por tu rezistoni uljeve dhe dëshirës për të blerë një gjë që nuk ju duhet.

Ndahuni prej kësaj faqeje për të paktën një muaj dhe më pas përshtatini rregullat sipas nevojës për të kursyer.

Nëse përdorni 4 faqe për blerje, mbylleni llogarinë në të paktën njërën prej tyre. Një blerje e panevojshme më pak.

Blerjet online janë më të rrezikshmet sepse paguan me kartë bankare dhe nuk jeni të ndërgjegjshëm për paratë e shpenzuara deri sa të vijë pasqyra e përdorimit të kartës dhe detyrimi ndaj bankës./AgroWeb.org