Çaji i malit është një nga bimët që rrallë herë mungon në shtëpitë shqiptare.

Shumë prej nesh e pijmë atë rregullisht çdo ditë, pa vrarë mendjen për ndryshimet në cilësinë e tij si pasojë e mënyrës së gabuar të ruajtjes.

A është i gabuar supozimi se çaji i malit e ruan cilësinë pafundësisht?

Këtë do ta zbuloni duke lexuar këtë artikull të AgroWeb.org që hedh dritë mbi jetëgjatësinë e çajit dhe aspektet e sigurisë së konsumit të tij.

Jetëgjatësia e Çajit

Çaji i papërpunuar dhe i papaketuar që është në gjendje natyrale humbet cilësinë e tij shumë më shpejt se çaji në bustinë.

Kur është i papaketuar, gjethet e çajit përthithin lagështinë dhe aromat shumë më shpejt se çaji në bustinë.

Kjo ndodh si pasojë e mënyrës së gabuar të ruajtjes.

Megjithatë, çdo lloj çaji ka karakteristikat dhe jetëgjatësi të ndryshme të cilat ndikojnë në cilësinë e tij.

Vlerat sigurisht janë më të madhe në çajrat e papërpunuar, por duhet pasur kujdes me ruajtjen.

Çaji i Zi

Çaji i zi i nënshtrohet oksidimit dhe fermentimit të plotë që ka si qëllim të zgjasë jetëgjatësinë e tij.

Nëse e ruani siç duhet, çaji i zi i papaketuar është i konsumueshëm për 18 muaj ndërsa në bustinë ai mund të konsumohet brenda 2 viteve.

Çaji i Malit, Çajrat Bimorë dhe Çaji Jeshil

Në rast se nuk përpunohen dhe paketohen, jetëgjatësia e këtyre çajrave është disi më e shkurtër.

Ndonëse substancat mirëbërëse të çajrave mbeten të paprekur, ekspertët, sipas të dhënave të AgroWeb.org, këshillojnë që këto çajra të konsumohen brenda një viti nga data e mbledhjes.

Megjithatë, disa prej tyre e ruajnë aromën dhe shijen edhe 18 muaj nga data e mbledhjes.

 Si Të Dalloni Nëse Çaji Është i Prishur

Çajrat përmbajnë vajra esencialë të cilët nëse ekspozohen ndaj lagështisë, thartohen.

Përtharja e vajrave esencialë të bimës dallohet kur gjethet bëhen tepër të thata.

AgroWeb.org ju këshillon mënyrat e mëposhtme për të kuptuar nëse çaji është tejet i vjetëruar.

Nuhatini Gjethet

Nëse vini re që çaji ka humbur aromën e tij karakteristike e të ndezur, atëherë me siguri vajrat esencialë kanë avulluar.

Kjo nënkupton se çajit i mungon shija dhe aroma e mirë.

Ziejeni

Nëse e zieni çajin për rreth 3 deri në 5 minuta dhe sërish aroma është tepër e zbehtë për të zgjuar shqisat tuaja, atëherë gjethet janë të vjetëruara.

Nëse gjethet e çajit janë të lagështa ose janë ndotur me substanca të tjera, atëherë ato do të ngjajnë të pluhurosura.

Aroma e gjetheve mund të jetë si ajo e mykut. Kjo është një këmbanë alarmi që çaji duhet hedhur.

A Shkakton Probleme Shëndetësore Çaji i Vjetëruar?

Çaji i vjetëruar nuk e sëmur njeriun por shija dhe aroma e tij nuk janë aspak të këndshme për t’u konsumuar.

Nëse çajrat nuk ruhen në një enë të mbyllur fort, ato do të përthithin aromat e tjera në dollapet e kuzhinës.

Si Të Ruani Çajin

Çaji duhet mbajtur në një enë të mbyllur fort me kapak.

Ena duhet mbajtur në një ambient të freskët dhe jo të ndriçuar shumë.

Temperatura ideale e ambientit duhet të jetë 15-25 gradë Celcius.

Nëse keni një larmi çajrash, secilin prej tyre duhet ta ruani veçmas.

Kjo vlen edhe për çajrat me bustinë dhe ato me gjethe të freskëta./AgroWeb.org