Një Përvojë Shqiptare Në Bronx – Restoranti që Zgjon Traditën

92 0

Këtë herë ArgoWeb.org ka menduar të sjellë në vëmendjen tuaj një eksperiencë me shije tërësisht tradicionale nga restoranti “Çka Ka Qëllu” në Bronx, New York.

Ky vend padyshim që do t’ju kthejë pas në kohë.

Rrota tjerrëse e cila të tërheq vëmenjden teksa futesh në restorant, instrumentet me tela, makina manuale e shkrimit, pjata prej metali dhe kostumet e qëndisura janë vetëm një pjesë e koleksionit të mjeteve antike që do të zbuloni tek “Çka Ka Qëllu”.

Pronari Ramiz Kukaj, tregon se disa objekte datojnë që në shekullin e 18-të.

Dyshemetë dhe muret duket se janë transferuar këtu nga një shtëpi tipike shqiptare dhe në restorant luhet vetëm melodi popullore nga instrumentet tradicionale të vendit.

Në Arthur Avenue, pranë së cilës gjendet edhe “Çka Ka Qëllu”, ka shumë shqiptarë që punojnë në kuzhinë duke përgatitur ushqime tradicionale.

Shijet e vjetra të traditës

Ata kanë sjellë pak nga kuzhina shqiptare në bizneset italiane, ku në disa restorante, byreku është i preferuari.

Tek “Çka Ka Qëllu” kuzhina përqendrohet në prodhimet e zonës së veriut, ku kosi dhe kremi i kosit janë kudo, së bashku me gjizën e djathit të freskët e të butë dhe sigurisht edhe djathin.

Të përfshira në menu, pothuajse të detyrueshme kur bëni porosinë tuaj janë: taratori; krem kosi me copa suxhuku dhe kajmaku, të cilin mund ta shoqëroni me një fetë buke të thekur, e përgatitur posaçërisht në furrën e picës.

Menuja përmban shumë gatime të njohura tradicioanale si kaçamaku, flija, leçeniku, të cilat vijnë në tryezë me një lugë kajmak ose kos.

Gjithashtu, kuzhina veriore eshtë e njohur edhe për gatimet me mish.

Kamarierët nuk harrojnë të sugjerojnë Mantian, petët e së cilës janë të pjekura e të mbushura me mish viçi dhe qepë, sigurisht ju mund të provoni edhe mantian e gatuar me kos.

Mishi i viçit është përbërësi kryesor i qofteve në këtë restorant, i bluar dhe i përzier me qepë dhe piper të kuq.

E ndërkohë pjata e njohur, e emërtuar Skënderbe, vjen e mbushur me djathëra dhe mish viçi të tymosur, të pjekur dhe të skuqur.

Por sigurisht, që kjo si një pjatë e rëndë nuk mund të konsumohet pa sallatën e njohur të “Çka Ka Qëllu” e cila përbëhet nga tranguj, domate, qepë të kuqe dhe djathë. Ndërsa shumllojshmëria e ullinjve ofron më tepër larmishmëri.

Për ta çuar këtë eksperiencë deri në fund ju duhet të provoni edhe ëmblësirat si bakllavaja,shqerparja dhe haxhimaku, të cilat piqen në vend njëlloj si bukët e thekura.

Të shoqëruara me një kafe të zier në sobë, në një shtambë prej bronzi me doreza të gjata dhe e shërbyer në një tabaka të gdhendur me dizajne të lashta gjeometrike, kjo përvojë merr plotësisht një shije tradicionale shqiptare.