Vaksina Kundër Gripit – Ta Bëj, apo Mos ta Bëj?

615 0

Jemi në dimër, stinën më të ftohtë të vitit, dhe mbi të gjitha në stinën e infeksioneve virale dhe të ftohtit.

Shqipëria gjatë këtyre muajve preket nga epidemi, apo periudha me intensitet të lartë gripi.

Në faqen zyrtare të Institutit të Shëndetit Publik, jepen informacione të përditësuara ne lidhje me situatën dhe sigurisht edhe këshilla për përdorimin e vaksinës antigrip.

Kjo e fundit ofrohet falas, në Shqipëri,  për grupet me më shumë risk – punonjësit shëndetësorë, gratë shtatzëna, personat me diabet, personat me azëm apo sëmundje pulmonare, personat me sëmundje kardiake, personat me sëmundje të veshkave dhe të mëlçisë.

Ndërkaq, ka nga ata që nuk e preferojnë vaksinën për shkak të frikës nga efektet anësore, të tjerë kanë frikë nga vaksinat në përgjithësi dhe të tjerë vaksinohen rregullisht.

Por le të shohim  disa nga mitet kundër vaksinës së gripit dhe si qëndron e vërteta në lidhje me to.

“Do ta marrësh gripin nga vaksina”

Eshtë krejtësisht e pamundur. Virusi i paaktivizuar në vaksinë nuk mund të transmetojë infeksionin.

Ata individë që sëmuren pas një vaksine gripi e kanë pasur, ndërkohë në sistemin e tyre virusin një, apo dy javë para vaksinimit.

Lajmi i mirë është që simptomat e gripit pas vaksinës do të jenë më të lehta se zakonisht.

“Nëse je i shëndetshëm nuk ke nevojë për vaksinë” 

Sigurisht që të qenët i shëndetshëm nxit aftësinë e trupit për të luftuar efektet e gripit, por nuk mund ta mundësh virusin thjesht duke gëzuar shëndet të mirë.

“Nëse e bën vaksinën nuk ke arsye për t’u shqetësuar”

Edhe nëse vaksinohesh, duhet të bësh ç’është e mundur që të shmangësh marrjen e virusit të gripit. Duhet t’i lani duart shpesh, të shmangni personat me grip, të ushqeheni shëndetshëm.

Me fjalë të tjera duhet të merrni të gjitha masat e zakonshme, dhe nëse e keni  bërë vaksinën.

“Gripi është thjesht një e ftohur e zakonshme” 

Disa simptoma të gripit janë të ngjashme me ato të një ftohjeje, por virusi duhet marrë  shumë më seriozisht.

Çdo vit në botë humbasin jetën mijëra vetë vetëm nga gripi.

“Nëse ndihesh mirë nuk do ta përhapësh gripin”

20% – 30% e personave që kanë virusin e gripit nuk kanë simptoma, por ata e përhapin njësoj virusin te të tjerët.

“Nëse je vaksinuar dimrin që shkoi, nuk rrezikon këtë dimër”

Lloje të ndryshme gripi qarkullojnë çdo vit dhe vetë virusi mund të pësojë mutacion nga një vit në tjetrin.

Kjo është arsyeja që prodhuesit e ilaçeve e ndryshojnë çdo vit vaksinën.

Pra, nëse nuk e keni bërë vaksinën këtë vit nuk jeni i gatshëm për të përballuar gripin e këtij viti.

Dimri 2018- 2019, sipas Institutit të Shëndetit Publik, u karakterizua nga  gripi sezonal  AH1N1.