Rreth 20.4% e të rriturve në të gjithë botën u prekën nga ndonjë lloj i dhimbjes kronike vetëm përgjatë vitit 2019, sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në Amerikë.

Ndryshe nga dhimbjet akute të cilat shfaqen dhe zbehen në momente të caktuara, dhimbjet kronike janë një problem serioz që ndikon jetën e shumë njerëzve, ku pjesa më e madhe e të prekurve janë gra.

Kjo dhimbje shfaqet në çdo moment dhe të prekë çdo pjesë të trupit tuaj, duke u bërë kështu një nga arsyet kryesore që ul edhe cilësinë e jetesës.

Cilat janë shkaqet kryesore të dhimbjes kronike?

Ekspertët në të gjithë botën shprehen se jetesa me një dhimbje kronike është e vështirë dhe ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien e të gjithë organizmit.

“Dhimbja kronike është ajo formë e dhimbjes e cila është e vazhdueshme dhe e përsëritur për një periudhë kohe më shumë se 3 muaj” – Xhesika Gjonaj, Fizioterapiste.

Tri shkaqet kryesore sipas ekspertes së fizioterapisë mund të jenë dëmtimet e nervave, mosfunksionimet dhe dhimbjet idipopatike ose dhimbjet e shkaktuara pa shkak.

“Këto dhimbje shqërohen me sëmundje me origjinë reumatologjike, onologjike, neurologjike, muskuloskeletore siç janë fibromialgjia, artriti reumatoid, osteoporoza etj.”, shprehet Gjonaj.

Mund të shkaktojnë problematika të shumta në përqëndrim, në zhvillimin e aktiviteteve të përditshme, pagjumësi, stres, depresion apo humbje të peshës.

Si mund të trajtohen dhimbjet kronike?

Sipas të dhënave nga WebMD, medikamentet arrijnë të kurojnë vetëm 58% të sëmundjeve të këtij lloji.

Ndërsa për pjesën tjetër shpesh dhimbjet kronike mund të mbeten të pa trajtuara për periudha shumë të gjata.

Duke krijuar më pas një lidhje të drejpërdrejtë me sëmundje të tjera si depresioni.

Një nga metodat më efikase për trajtimin në mënyrë graduale këtë problem është stili i jetesës, lëvzija dhe riaftësimi i zonës ku shfaqet dhimbja, përmes fizioterapisë.

Me anë të ushtrimeve dhe seancave të programeve të veçanta ushtrimore mund të arrihet rritja e rezistencës në zonën me dhimbje duke rritur edhe lëvizshmërinë në të.

Sipas ekspertes, rehabilitimi përfshin terapinë manuale që ndihmon me reduktimin e dhimbjeve kronike.

“Qëllimi kryesor i fizioterapisë është të riedukojë pacientët me një stil jetese të shëndetshëm e aktiv.”, thotë Gjonaj për AgroWeb.

Në këtë mënyrë një pacient me dhimbje kronike mund të arrijë të menaxhojë me lehtë episodet e dhimbjes duke i’u rikthyer jetesës së përditshme./AgroWeb.org