Llojet e borzilokut janë të shumta, me një sërë aromash dhe shijesh. Ai mund të përdoret në mënyra të ndryshme në gatime edhe në pije.

Por jo vetëm! Borziloku ka gjithashtu një larmi përfitimesh shëndetësore.

Ai shpesh përdoret kur kemi ethe, për të hapur poret dhe për të lejuar trupin të ftohet vetë.

Mund të përdoret gjithashtu për problemet me tretjen, ngërçet dhe kapsllëku . Borziloku ka treguar se ka veti antibakteriale dhe se është gjithashtu një barishte e shkëlqyer për stimulimin dhe relaksimin e sistemit nervor.

AgroWeb.org liston më poshtë disa nga llojet më të njohura të borzilokut, të cilat përdoren më shumë.

Borziloku Xhenovez (Ocimum basilicum ‘Genovese’)

Ky lloj borziloku është ai që zakonisht gjendet në dyqanet e ushqimeve.

Siç shihet edhe nga emri, kjo bimë përdoret shpesh për të aromatizuar dhe zbukuruar pjatat e njohura italiane.

Borziloku I Ëmbël (O. basilicum)

Një kushëri i llojit Xhenovez, por më i ëmbël dhe më i imët.

Borziloku i ëmbël është borziloku më i njohur që përdoret për të bërë pesto, që shoqëron pjatat me makarona.

Borziloku I Ëmbël Tajlandez (O. basilicum var. Thyrsiflorum)

Borziloku i ëmbël Tajlandez, është një element i domosdoshëm në pjatat aziatike.

Ju mund ta përdorni atë për t’i dhënë gatimeve tuaja më shumë aromë, por gjithashtu edhe si një zbukurim.

Borziloku I Limonit (O. basilicum ose O. americanum)

Ky lloj borziloku mban amorën e limonit, atij të verdhë ose atij jeshil.

Këto lloje borzilokësh me shije të lehtë, mund të përdoren gjithashtu në një shumëllojshmëri pjatash për të shtuar një nuancë delikate të aromës së limonit, por edhe për të bërë çaj ose një koktej.

Borziloku i Shenjtë (O. sanctum ose O. tenuiflorum)

Borziloku i shenjtë (i quajtur edhe tulsi) është një barishte e njohur, që përdoret si çaj ose suplement barishtor.

Sipas fesë hindu, tulsi është një përfaqësim tokësor i perëndeshës Tulsi.

Për shkak të shijes dhe aromës së mprehtë, borziloku i shenjtë është gjithashtu shumë i njohur ndër çajrat bimorë.

Borziloku Djegës (O. basilicum minimum)

Nëse jeni duke kërkuar që të rrisni borzilok në shtëpi, ky borzilok është mjaf i përshtatshëm pasi ka tendencë të jetë më i vogël se llojet e tjera. Gjethet e tij janë të vogla dhe i japin gatimeve tuaja një shije pikante.