Mund të keni provuar apo gatuar bakllavanë tradicionale për raste festash.

Me shijen e saj të veçantë që e merr falë petëve të shkrifta dhe mbushjes me arra të mbuara.

Ajo mbetet një nga ëmbëlsirat më të preferuara të shqiptarëve.

Por AgroWeb.org sot ju sjell një recetë të re të përgatitjes së bakllavasë: asaj të mbushur me bajame.

Një shtresë bajamesh e mbuluar me petë të holla që më pas zhytet në shërbet, që i jep një ëmbëlsi karakteristike.

Përbërësit për shërbetin

350 ml ujë

350 g sheqer

Përbërësit për brumin e petëve

500 g miell i ashpër (në supermarket e gjeni me emrin semolina)

500 g miell 00

1/2 luge çaji me kripë

2 vezë të rrahura lehtë

60 ml gjalpë i shkrirë

1/4 gotë me ujë të ngrohtë

Për mbushjen me bajame

500 g bajame të plota

350 g sheqer

1 deri në 3  lugë çaji me kanellë (sipas dëshirës)

Gjysmë gote uji nga shërbeti i parapërgatitur

Për hapjen e petëve do t’iu nevojitet 150 g gjalpë i shkrirë

Përgatitja e Shërbetit

Në një tenxhere të vogël, kombinoni ujin dhe sheqerin. Vendoseni në zjarr mesatar, dhe përzjejeni derisa sheqeri të jetë shkrirë plotësisht. Lëreni në zjarr derisa të ketë kthyer valë. Uleni përsëri zjarrin dhe lejojeni që të zjejë përreth 12 deri në 15 minuta sat ë jetë mpiksur. Më pas largojeni nga zjarri.

Përgatitja e brumit të petëve

Ndërkohë që sherbeti zien, përgatisni brumin për petët. Bashkoni miellin e ashpër (semolina), miellin 00 dhe kripën në një tas të madh. Shtoni vezët, gjalpin e shkrirë, dhe ujin e vakët. AgroWeb.org ju këshillon që të mos ta teproni me ujin, pasi brumi mund t’iu bëhet i ngjitshëm.

Punojeni me duar derisa sipërfaqja të jetë e lëmuar. Mbulojeni me një pecetë kuzhine dhe lëreni përreth 30-40 minuta.

Përgatitja e mbushjes me bajame

Për të arritur një shije sa më të mirë, AgroWeb.org ju sugjeron që t’i piqni në sobë të parangrohur me 200 gradë Celsius përreth 5-7 minuta.

Më pas bluajini bajamet e pjekura derisa të bluhen plotësisht, më pas bashkojini me sheqerin dhe shërbetin e përgatitur.

Si të përgatisni bakllavanë

Ndani brumin në 24 kulaçka të vogla, dhe mbulojini me një pecetë kuzhine gjatë kohës që do hapni petët.

Spërkateni tavolinën me niseshte dhe hapni petët në formë drejtkëndore, derisa të jenë pak më të mëdha se tava.

Lyeni tavën me gjalpin e shkrirë, dhe vendosni petën e sapo hapur. Lyejeni çdo petë me pak gjalpë të shkrirë gjithashtu.

Vazhdoni kështu derisa të keni shtruar 12 petë.

Shtoni përbërjen me bajame dhe me ndihmën e një luge përhapeni në mënyrë të barabartë në të gjithë sipërfaqen e petës.

Spërkateni me gjalpë, dhe më pas hapni dhe shtroni dhe 12 petët e tjera.

Pasi të keni vënë petën e fundit lyeni mirë me gjalpin e shkrirë.

Me një thikë priteni bakllavanë në katrorë të vegjël, por AgroWeb.org ju sugjeron që të siguroheni që t’i keni prerë të gjtiha shtresat e saj.

Nëse dëshironi mund ta zbukuroni bakllavanë tuaj duke vendosur një bajame të plotë në çdo katror të prerë.

Piqeni bakllavanë në furrë të parangrohur me 180 gradë përreth 25 minuta, ose derisa ajo të ketë marrë një ngjyrë të artë.

Nxirreni nga furra, lëreni të ftohet dhe më pas me ndihmën e një garuzhdeje hidhni shërbetin e nxehtë, duke pasur kujdes që ai të depërtojë në të gjithë shtresat e ëmbëlsirës.

Lëreni bakllavanë përgjatë gjithë natës që të përthithi shërbetin dhe petët të zbuten tërësisht.

Bakllavaja mund të qëndrojë përreth dy javë nëse ruhet në temperaturë ambjenti dhe e mbuluar. Por rreth 3 javë nëse e vendosni në frigorifer./AgroWeb.org