Barishtet e Lulëkuqeve – Të Gjelbrat me Vlera të Rralla Shëndetësore

2.1k 0

Edhe nëse nuk dini t’i dalloni me lehtësi bimët dhe barishtet e egra, nuk do të keni asnjë problem ta njihni lulëkuqen.

Me siguri e keni mbledhur në fëmijëri si lule për dekorim ose si pjesë e kurorës së pranverës.

Kjo është koha më e mirë e vitit për të mbledhur lulëkuqet, sidomos ato që akoma nuk kanë filluar mirë të nxjerrin plotësisht lulet e tyre.

Nëse vendosni t’i mblidhni vetë thjesht ndaloni para fushave që kuqëlojnë dhe do të mblidhni aq shumë sa të mbushni qeskat tuaja sa hap e mbyll sytë.

Barishtet më të mira të lulëkuqeve për gatime sidomos si mbushje të lakrorëve apo byrekëve përgjithësisht duhen mbledhur para se të lulëzojnë plotësisht.

Kjo pasi vlerat e pjesëve të gjelbra janë edhe më të pasura me minerale dhe vitamina.

Si përdoren barishtet e lulëkuqeve?

Një mënyrë e mirë është t’i zjeni si lakrat e tjera të egra dhe i konsumoni në sallatë barishtesh të ziera në avull me vaj ulliri, limon dhe pak kripë.

Por mund t’i përfshini edhe në lakror dhe byrek, ose mund t’i përfshini tek harxhi i qofteve me mish.

Por përdorimet nuk mbarojnë këtu. Kur lulëkuqet thahen, mund të mblidhni me dorë farat e tyre pasi përmbajnë vlera shumë të mira ushqimore dhe gjithashtu përdoren për të zbukuruar kulaçët dhe byrekët që gatuani.

AgroWeb.org ju sjell një mënyrë tradicionale të përdorimit të lulëkuqeve në gatime.

Merrni gjethet e bimëve të lulëkuqeve ose majat e tyre. I lani dhe i pastroni dhe më pas grijini sa më imët.

Shtoni pak kripë, vajin e ullirit, piperin dhe i përzieni me dorë. Brumin e zini të butë dhe e lini të pushojë rreth 1 orë që të fryhet natyralisht.

Më pas e ndani masën në kuleçë dhe i hapni një nga një, rreth 1 pëllëmbë e gjysëm diametri.

Vendoseni mbushjen me lakrat, mbylleni në mes dhe shtypeni me dorë, dhe pastaj e piqni në pllakën e gizës, por mënyra më e mirë është që pjekjen ta bëni në zjarr.

Mund të vendosni pllakën mbi sobë dhe i piqni pitet nga të dyja anët. Mund të piqet edhe në saç elektrik ose në tigan të madh duke e nxehur mirë tiganin.

Dalin shumë të shijshme, pasi lëngu i barishteve të egra të lulëkuqeve mbetet në brendësi dhe ato nuk zihen shumë, mbeten jeshile brenda si rrjedhojë edhe të gjitha vlerat që ato kanë nuk shkatërrohen.

Ju mund të shtoni tek barishtet e lulëkuqeve edhe barishte të tjera të egra si disa lloje që gjeni tani, në këtë stinë si psh nëna, laboti, burdullaku, pazia, spinaqi, sallatë marule./AgroWeb.org