Regjimet ushqimore me bazë bimore po ndiqen me devotshmëri dhe fanatizëm nga shumë njerëz në botë, për shkak të vlerave të mëdha për shëndetin dhe organizëm.

Studimet mbi rëndësinë e ushqyerjes me bazë bimësh vazhdojnë të konfirmojnë se ushqimet natyrale të tokës janë më të mira për organizmin se mishi.

Një studim i fundit të cilit i referohet AgroWeb.org, analizoi të dhënat mjekësore të 11,576 personave të cilët u ushqyen me produkte me bazë bimore por edhe mish.

Në kategorinë e njerëzve që u ushqyen rregullisht me mish, studiuesit zbuluan disa fakte të rëndësishme.

Analizat e gjakut të tyre treguan se falë mishit dhe nënprodukteve të tij, sasia a amino acideve sulfur në gjak ishte mbi 2 herë më e lartë se rekomandimet e ekspertëve.

Sasitë e larta të këtyre amino acideve rrisin ndjeshëm rrezikun e sëmundjeve të zemrës dhe diabetit.

Më Shumë Bimë, Më Pak Mish Për Një Shëndet Afatgjatë

Një regjim ushqimor me bazë bimore është alternativa më e mirë për një jetë të shëndetshme e të gjatë.

Një regjim i tillë përfshin: fruta, perime, drithëra të plota, barishte, zarzavate, bishtajore, fara, arrorë.

Të kuptohemi drejt, një regjim i tillë nuk konsiderohet vegjetarian por synon që të krijojë një balancë ushqimore në favor të bimëve dhe jo të proteinave të mishit.

Shembulli më i mirë i një regjimi të tillë është ai Mesdhetar i cili është pranuar shkencërisht që të ulë rrezikun e shëndetit të zemrës por edhe diabetin, të cilat rrezikojnë ndjeshëm jetëgjatësinë.

Avantazhet e një regjimi të tillë qëndrojnë në thesaret e vitaminave, proteinave, yndyrnave, karbohidrateve dhe mineraleve që ofrojnë ato.

Përveç mineraleve dhe vitaminave, ushqimet me bazë bimore ofrojnë edhe shumë fibër, e cila është e nevojshme për shëndetin e sistemit tretës.

Këto ushqyes ndihmojnë edhe në uljen e rrezikut të shumë llojeve të sëmundjes së kancerit, por edhe shmangin shfaqjen e depresionit tek të rinjtë dhe mosha e tretë./AgroWeb.org

Tags: