Duke u munduar që të gjejmë një recetë sa më të veçantë, rastisëm tek këto ëmbëlsira delikate me arra dhe shurup.

Origjina e saj thuhet se janë vendet e Lindjes, aty ku ka marrë dhe emrin e veçantë: biskota të fshehta. Kjo për arsye se në mesin e tyre ato fshehin arra të bluara, që surprizojnë me shije këdo që i provon.

AgroWeb.org sjell për ju mënyrën se se si t’i përgatisni fare lehtë në shtëpitë tuaja biskotat e fshehta me shurup dhe arra për t’i provuar kurdoherë.

Përgatitja e Biskotave me Shurup dhe Arra

Përbërësit  

150 g gjalpë në temperaturën e ambientit

¼ e gotës së ujit me vaj ulliri

3-4 gota uji me miell

1 lugë çaji me sodë buke

3 lugë gjelle me kos (për t’i dhënë shijen autentike AgroWeb.org ju sugjeron të përdorni kos të përgatitur në shtëpitë tuaja)

½ e gotës së ujit me arra të bluara.

Përbërësit për përgatitjen e shurupit

3 gota me ujë

2 gota e gjysmë uji me sheqer

1 lugë çaji me lëng limoni

Përgatitja 

Në një tas të madh përzjeni gjalpin, vajin e ullirit, kosin dhe sodën e bukës.

Me ndihmën e telit të kuzhinës, AgroWeb.org ju udhëzon të përzjeni përbërësit derisa soda e bukës të jetë tretur plotësisht.

Më pas shtoni miellin pak nga pak, duke e punuar masën që do të formohet si fillim me tel, dhe në fund me duar.

Brumin do ta punoni derisa ai të mos ngjisë në duar. Nëse ju nevojitet mund t’i shtoni dhe pak miell, por kujdes brumi nuk duhet të jetë i fortë.

Ndajeni brumin në 23 porcione të barabarta, punojeni derisa t’i jepni formë të rrumbullakët.

Më pas shtypni arrat derisa të jenë bluar në copëza shumë të vogla, por jo që të bëhen pluhur.

Merrni topthin e parë, hapeni me dorë sa të formoni një petë të vogël.

Shtoni në mesin e tyre një lugë çaji me arra të bluara dhe më pas mbylleni në mënyrë që arrat të mos bien.

Kështu do të veproni dhe për pjesën tjetër të mbetur të brumit.

Hapi tjetër është ai që i jep biskotave dhe formën e tyre unike.

Me ndihmën e një kulloreje metalike apo rendeje, do të kaloni lehtë biskotat pa i carë. Ushtroni aq forcë në sipërfaqen e rendes sa brumi të marri formën e vrimave të saj.

AgroWeb.org ju sugjeron dhe një mënyrë më të lehtë. Me një pirun krijoni disa vijëzime në sipërfaqen e biskotës, njëherë vertikalisht e më pas hirizontalisht.

Kështu do të formoni krejt lehtë katrorët e vegjël të biskotave.

Në një tavë të lyer me pak vaj, vendosni biskotat me radhë me distancë nga njëra tjetra.

Piqini në furrë të parangrohur me 180 gradë Celsius, derisa biskotat të kenë marrë një ngjyrë të artë në sipërfaqen e tyre.

Ndërkohë në një tenxhere të vogël hidhni sheqerin, ujin dhe lëngun e limonit, dhe vendosni në zjarr derisa të zjejë.

Lëreni të vlojë dhe për 2 minuta, kështu do të avullojë dhe uji i tepërt, duke e rritur përqëndrimin e shurupit tuaj.

Pasi t’i keni nxjerrë biskotat nga furra, lërini të ftohen përreth 20 minuta.

Më pas hidhini shurupin e ngrohtë të përgatitur sipër, dhe lërini biskotat që të përthithin sherbetin.

Biskotat do të jenë të shkrifta dhe sapo t’i provoni do të shpërthejnë në shije mahnitëse./AgroWeb.org