Bjeshkët, Thesaret e Turizmit Shqiptar

516 0

Burime uji si kristali, lëndina të gjëra me boronicë, rrethuar me kurora kreshtash, liqene si pasqyra, përrenj që rrëkëllimin e kanë muzikë, me stane mes pishash, Bjeshkët e Tropojës nuk janë asgjë tjetër veçse parajsa mbi tokë.

Kur e vizitova për herë të parë Tropojën para 15 vitesh, nuk e mendoja kurrë se, udhëtimet drejt këtij qyteti do të ishin rutina ime e pushimeve.

Sa herë udhëtoja, planifikoja ngjitje në majat e Alpeve, Bjeshkëve të Markovçës dhe Dobërdolit, por gjithmonë shtyhej për herën tjetër, pasi gjithmonë kishte një udhëtim të shkurtër po aq të bukur rreth luginës së Valbonës, liqenit të Ponarëve dhe bjeshkëve pak më të ulëta.

Por kur nisja e tregoja gjithë vrull sa bukur kisha kaluar në ato udhëtime, miqtë atje më thoshin:

“Asgjë nuk ke parë, nëse nuk ke qenë në bjeshkë”. Lugina e Valbonës është mahnitëse për këdo që e ka vizituar, por vendasit as nuk e krahasojnë me bukuritë e bjeshkës. “Po nuk ke bjeshkue e po nuk pate bapostermë në dimër nuk pse me jetue”, po na thoshte Zoja, një grua mbi të 70-at, e cila çdo vit i kalon së paku tre muaj atje.

Më në fund, erdhi dita e udhëtimit. Kisha një lloj emocioni që nuk e përjetoja as në udhëtimet e mia jashtë vendit.

U nisëm herët në mëngjes, së bashku me Kujtimin, një mikun tonë i cili banon në qytet dhe me makinën e tij, një fouristradë e përshtatshme për rrugën. Ai do të ishte guida jonë, por na këshilloi që, këtë herë, të udhëtonim me makinë për shkak se, nuk kishim shumë kohë në dispozicion, na duhej të ktheheshim brenda ditës.

Drejt Çeremit

U nisëm drejt Luginës së Valbonës, të cilën edhe e vizitoj dy-tre herë në vit, dhe çdo herë më duket ndryshe, jo nga bukuria, por nga ndërtimet kuturu në çdo shpat e korije. Diku një bujtinë si Capitol-Hills, tjetra me gur, diku beton, HEC-e dhe gurore, Valbona po pëson një urbanizim të pakontrolluar.

E ligështuar nga kjo pamje, pa vënë re, shfaqet shumë shpejt rruga për Çerem, nga ku nis ngjitja në bjeshkë.

Nga rruga e asfaltuar deri në fshat lart janë 9 kilometra që mund të përshkohen edhe nga një makinë normale. Shoqëruesi ynë na kujton se aksi ka qenë i pakalueshëm pothuajse para pak vitesh, por e rregulloi kompania që po ndërton HEC-et në Valbonë.

Në të gjithë gjatësinë e saj, rruga është një tunel mes ahishtesh, arrash, lajthish dhe mollësh të egra dhe vjen si gjarpëruese drejt kreshtave të Alpeve.

Ka kaluar pak më shumë se gjysmë ore dhe shfaqet fshati në të cilën duken tek-tuk disa bujtina, të rregulluara.

Kujtimi thotë se, se familjet që jetojnë këtu nga 10 gjithsej, po i kthejnë shtëpitë në bujtina, pasi ka shumë kërkesë për turistë. Këtë vit është pandemia, por vjet mbi 5000 turistë kanë kaluar në bjeshkë. Çeremi është një fshat i banuar gjatë gjithë vitit në bjeshkë dhe gjendet në një luginë, jo shumë e gjerë, afër kreshtave të larta e rrethuar me pishë e pyje të dendur.

Kullota për bletë e bagëti

Ata që e kanë parë filmin “Heidi”, do të mendonin se xhirimet janë bërë këtu. Kullota për bletë e bagëti këtu është e pashoqe – na thotë Kujtimi teksa vazhdojmë ngjitjen. Në çdo metër udhëtim, kreshtat sa vijnë e afrohen, duke lënë fshatin Çerem, jemi afruar në rrëzë të bjeshkës. Habitem se rruga për automjete është e mirë.

“Është bërë para 5-6 vjetësh, kur qeveria donte të bënte unazën e bjeshkëve – po na shpjegonte Kujtimi. – Më përpara këtu shkoje vetëm me mushkë e kuaj, tani makinat shkojnë deri në Sylbicë”.

Pamja sa vjen e bëhet magjike, teksa shfaqen stanet e para të Markovçës.

Nuk kanë kaluar as dy orë nga udhëtimi ynë dhe tani jemi në lartësinë 2000 metra. Është e rrallë që në këtë lartësi, ka edhe pisha, edhe burime uji pa fund. Rruga kalon përmes luginës, ku në të dy anët e saj janë ngritur stane, jo një e dy, por me dhjetëra.

Dhe jo ato stanet me drunj e gurë sa për tu mbrojtur nga shiu, por shumica shtëpi me dy-tre kate, dhe me të gjitha kushtet. Markovçja është një nga luginat në “pronësi” të një fisi të Vuthajve në Mal të Zi.

Të gjitha fiset kanë pjesën e tyre në bjeshkë, si qëmoti dhe sot e kësaj dite bjeshkojnë secili në pjesën e vet. Stanet janë në mes të luginave me boronica dhe livadheve me bar. Duket se më shumë banorë ka në bjeshkë se në fshat poshtë.

Kujtimi thotë se, se nga korriku deri në shtator, shumica rrinë në bjeshkë se, përveçse e kanë si kurë ajrin e pastër, grumbullojnë shumë boronicë dhe mbledhin bulmet. Fitojnë shumë.

Nipi i tij, i cili këtë vit ka mbaruar universitetin, i ka fituar 10 mijë lekë në ditë me boronicë.

“Me bjeshkën i ka hequr shpenzimet e shkollës. Ata në Çerem më poshtë, të gjithë ishin të shkolluar, me punë e pozita të mira, kanë çarë shumë në jetë” – na thotë Kujtimi. Doemos, në atë ajër të pastër, aftësitë nuk kanë si të mungojnë, – mendova me vete./Marrë me shkurtime nga Monitor