Të ushqehemi sipas stinëve. Të njohim ushqimet që konsumojmë, do të thotë të përfitojmë më shumë prej tyre, në shije dhe vlera.

AgroWeb.org ju mëson se si të përzgjidhni perimet më të freskëta në treg dhe ofron këshilla praktike mbi mënyrat më të mira për ruajtjen e tyre.

Sot kemi përzgjedhur brokolin.

Brokoli nuk duhet të mungojë në ushqimin tuaj të përditshëm.

Koha e rritjes së tij?

Fatmirësisht është relativisht e gjatë. Gjysmën e vitit, nga muaji dhjetor në muajin maj, ju mund të zgjidhni mënyra të ndryshme për të gatuar këtë “super ushqim”.

Sipas informacioneve të AgroWeb.org, brokoli ka pak kalori dhe është tejet i pasur në vitamina e minerale si dhe shumë fibra.

Përse është i mirë brokoli?

Brokoli përmban vitaminat K, C, acid folik, kalium dhe fibra. Është gjithashtu i pasur në beta-karoten dhe sulforofan, një lëndë e cila po studiohet nga shkencëtarët për vetitë anti-kancerogjene.

Vitamina K që brokoli përmban është thelbësore për funksionimin e proteinave që ndikojnë në koagulimin e gjakut.

Vitamina C ndikon në krijimin e kolagjenit, lëndës që formon indet trupore, kockat dhe ndihmon në shërimin e shpejtë të të prerave apo plagëve.

Brokoli përban edhe fibra, të cilat ndihmojnë sistemin tretës dhe ndikojnë në uljen e sasisë së kolesterolit në gjak.

Ndërkohë që acidi folik që brokoli përmban është i nevojshëm për prodhimin e qelizave të reja në trup.

Si ta zgjidhni brokolin?

Zgjidhni brokolin, kurora e së cilës është ngushtësisht e lidhur me njëra tjetrën, pra janë të mbyllura dhe kanë një ngjyrë të gjelbërt të thellë.

Bëni kujdes të mos zgjidhni brokolin lulet e të cilit kanë ngjyrë të verdhë apo të gjelbërt të hapur.

Ndërkohë as brokoli që ështe pjekur më shumë se duhet nuk duhet përzgjedhur. Do të jetë shumë i fortë për t’u kafshuar dhe do të ndahet në copëza kur ta gatuani.

Si ta ruani?

Brokoli është një perime që prishet shumë shpejt. Për këtë arsye mbështilleni mirë dhe vendoseni në sirtarin e poshtëm të frigoriferit.

Përdoreni sa më shpejt të jetë e mundur, nëse dëshironi që brokoli që konsumoni te jetë i freskët dhe i pasur me lëndë ushqyese.

Lexoni këtu për mënyrat si ta ruani brokolin për 6 muaj/AgroWeb.org