Një recetë perfekte për t’u shijuar kurdoherë, me të afërmit tuaj.

Kërkon vetëm pak impenjim por shija është e mrekullueshme dhe ia vlen çdo minutë që kërkon përgatitja e saj.

AgroWeb.org ju premton që receta e bukës së pjekur në kos do të kthehet në të preferuarën tuaj.

Përbërësit

Për brumin:

1 gotë me ujë të vakët

1 gotë me qumësht

1 lugë gjelle sheqer

1 lugë çaji kripë

dy lugë çaji me maja të thatë

5-6 gota uji me miell në varësi të llojit të miellit

Për mbushjen:

300g djathë i bardhë

Për salcën:

1 gotë uji kos

Një filxhan çaji me vaj ulliri

2 vezë

Përgatitja

Merrni një tas të madh dhe aty përzieni një e nga një përbërësit përveç miellit.

Përzjejeni mirë dhe lëreni që majaja të veprojë.

Pasi majaja të ketë formuar një si shtresë ajke në sipërfaqen e tasit mund të filloni të hidhni ngadalë miellin.

AgroWeb.org ju këshillon që masën ta përzieni mirë në mënyrë që brumi të mos ketë kokrriza.

Në fund punojeni brumin me duar në tavolinë, kështu sipërfaqja e tij do të jetë krejtësisht e lëmuar.

Brumi duhet të jetë i butë dhe të mos ngjitet në duar, prandaj nëse e shikoni që kërkon më shumë miell shtojeni pa frikë.

Vendoseni në një tas dhe mbulojeni me qese kuzhine më pas lëreni që të pushojë rreth një orë.

Pasi koha të ketë kaluar brumi do të jetë fryrë.

Lyeni duart me pak vaj dhe filloni ta punoni mirë, në fund ndajeni brumin në katër pjesë.

Çdo kulaç hapeni në formën e një shiriti, më pas me dorë shtypeni në formën e një pete.

Mbusheni me djathë të thërrmuar petën dhe mbylleni duke puthitur me duar skajet e saj.

Tani shiritin e mbushur me djathë priteni në toptha të vegjël të barabartë.

Vendosini kulaçët e mbushur me djathë në një tavë të lyer mirë me vaj ose gjalpë të shkrirë.

AgroWeb.org ju kujton që të lini pak hapësirë mes tyre pasi brumi do të fryhet përsëri.

Të njëjtët hapa ndiqni dhe për kulaçët e tjerë dhe kur të keni mbaruar lërini për 20 minuta që të fryhen plotësisht.

Tani është koha që të përgatisni salcën.

Në një tas hidhni dy vezë, një filxhan çaji me vaj ulliri dhe një gotë me kos, përzjejeni mirë që të krijoni një salcë të plotë

Këtë salcë hidheni mbi kulaçët sa ata të jenë mbuluar.

Piqeni në furrën e parangrohur me 180 gradë për 30-40 minuta, ose derisa sipërfaqja e bukës të ketë marrë një ngjyrë të artë.

Kur të jetë pjekur hiqeni direkt nga tava që të mos krijohet lagështirë.

Buka do të jetë e butë si pambuk dhe me shije të përkryer, servireni të ngrohtë dhe për ta ruajtur mjafton që ta mbështillni me një pecetë të pastër./AgroWeb.org