Byrek me Djathë Kaçkavall – Receta Mahnitëse e Shijes

2.6k 0

Padyshim, tradita shqiptare e përgatitjes së byrekut është e mrekullueshme në shijen që të ofron.

Por një recetë fantastike me prejardhjen nga kuzhina orientale, e cila të përfshin tërësisht me shijen e saj sigurisht do të bëhet pjesë e gatimeve të preferuara të amvisave shqiptare.

Ky gatim special është ideal për një vakt të plotë dreke por edhe për tryeza festash e rastesh familjare gjithashtu.

Ndaj në doni të kënaqni shijen dhe nepsin e më të dashurve në familje apo edhe miqve, përgatitja e kësaj recete sigurisht që do t’i lërë të gjithë pa fjalë.

Ndiqni më poshtë nga AgroWeb.org mënyrën për të përgatitur në shtëpi këtë recetë të mrekullueshme e cila do t’ju tundojë menjëherë me shijen e saj.

Byreku me djathë kaçkavall shoqërohet në mënyrë fantastike me supa të ndryshme apo edhe sallata të freskëta të stinës si dhe turshi të ndryshme gjithashtu.

Përgatitja e Byrekut me Kaçkavall

Përbërësit

Petë
6 vezë
3 gota uji qumësht
Dy lugë gjelle gjalpë i freskët
4-5 lugë vaj ulliri
100 gr djathë kaçkavall ose djathë i verdhë i butë i grirë që përdoret për pica
1 paketë pluhur pjekjeje (e gjeni në supermarkete)

Për mbushjen

200 gr djathë të bardhë ose gjizë
1 tufë majdanoz (Sipas preferencës)

Përgatitja

Në një tas hidhen vezët, qumështi dhe margarina ose gjalpi i shkrirë, vaji ullirit dhe pluhuri i pjekjes dhe i përziejmë.

Në një tepsi të lyer me gjalpin apo margarinën vendosim petën e parë.

Me ndihmën e një furçe kuzhine lyejmë petën me përzierjen e mësipërme (vezë, qumësht, gjalpë, vaj, pluhurin e pjekjes).

Në të njëjtën mënyrë vazhdojmë edhe me petët e tjera.

Djathin e thërrmuar ose gjizën e përziejmë me majdanozin e grirë imët.

E hedhim në gjithë sipërfaqen e tepsisë.

Më pas vendosim edhe petët e tjera të mbetura me të njëjtën mënyrë që vepruam më sipër.

Në fund e presim në katrorë byrekun dhe midis hapësirave të prera të byrekut i hedhim djathin e grirë kaçkavall ose djathin e picës.

Ngroheni furrën në 220°C dhe më pas vendosni byrekun për ta pjekur./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.