Iku koha e artë e të mbjellave në ballkon. Tani me uljen e temperaturave, duhet ndryshuar strategji në të mbjellat, pra është analogji me shprehjen ‘sipas vendit dhe kuvendi’.

Aktualisht në ballkonin tim kam mbjellë domate qershi, qepë të njoma, hudhra, rreth 8 rrënjë bizele, majdanoz dhe kopër.

Edhe pse kujdesem për të ulur tendën sa herë ka erëra të forta, s’ia kam dalë t’i shpëtoj domatet qershi, nga të cilat kanë mbetur vetëm gjysmat.

Në fakt, ato kanë bërë kokrra plot por procesi i pjekjes së tyre do një kohë të gjatë, ose s’mund të skuqen fare si pasojë e mungesës së diellit.

Prova e ballkonit tim më çoi në sugjerimet e teknologëve ushqimorë, të cilët i mëshojnë gjithnjë faktit që ne duhet të konsumojmë vetëm prodhimet e stinës.

Tani është koha për të mbjellë jeshillëqe, spinaq, hudhra e qepë të njoma, sallatë, bizele, pse jo dhe lakër e presh edhe pse jemi paksa me vonese, sepse janë perimet më rezistente ndaj të ftohtit.

Përsa i përket erëzave, bashkë me të ngrohtin iku edhe koha e tyre. Borziloku dhe nenexhiku mbillet me farë në dalje të dimrit e lulëzon shumë shpejt.

Specat djegës po ashtu duan ambient të ngrohtë dhe ujë në të rrallë. Majdanozi e koperi, sa delikatë janë në shije, ashtu janë edhe në përbërje.

Për momentin vazot e mbjella me erëza i kam ende në ballkon pasi i kam sistemuar në një vend që nuk i kap era, megjithatë mendoj se me uljen e parashikuar të temperaturave duhet t’i gjej një vend brenda, ku i sheh dielli dhe larg ajrit të kondisionuar.

 

Ruajtja e erëzave

Në fakt kam provuar disa mënyra, tharjen e tyre dhe ruajtjen në frigorifer në zonën e akullit, por si përfundim jam më shumë për ngrirjen e tyre pasi aroma që ruajnë është më e fortë.

Variantet e ruajtjes në akull janë të shumta si; Mbushja e kubikëve të akullit me erëza dhe më pas me ujë, me erëza e vaj ulliri, erëza e lëng mishi apo pule.

Unë në fakt preferoj një mënyrë që e kam zgjedhur vetë e që është më e thjeshta. Marr nga 10 tufa majdanoz, koper, selino i laj mirë me ujë dhe i lë të kullojnë.

Kur uji i tepërt i ka ikur, sic janë në tufa, pa i prerë, i fus në kavanoz qelqi të ndarë sipas llojit ose thjesht i mbështjell me qese të cilave i nxjerr ajrin dhe më pas i vendos në akull.

Ndryshe veproj me borzilokun dhe nenexhikun, dy-tri gjethe të së cilave i vendos tek kubikët e akullit dhe i mbush me ujë, pasi gjethja ruhet e paprishur.

Gjithsesi, këto janë vetëm rezervat pasi askujt nga ne s’duhet ti mungojnë në shtëpi dy-tri vazo me erëza të freskëta. Dhe mos harroni, ashtu si ne, tani në dimër edhe ato duan mjedis të ngrohtë. /AgroWeb.org

 

*Rezarta Delisula është zëvendës-kryeredaktore e Gazetës Shqiptare dhe punon si gazetare që prej vitit 1998. Përgjatë karrierës profesionale 17 vjeçare, shkrimet e saj kanë prekur më së shumti çështjet sociale dhe problematikat mjedisore. E apasionuar pas produkteve organike dhe kultivimit të tyre, Rezarta është veçanërisht e interesuar për jetesën e gjelbër. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për agroweb.org.