Kur frutat dhe perimet e kalojnë pikun e pjekjes natyrale, shumë njerëz i kategorizojnë ato si jo shumë të ngrënshme dhe në shumicën e rasteve përfundojnë në plehra.

Megjithatë, nuk ka përse të jetë kështu, sidomos në këto kohë të vështira kur nuk duhet të shpërdorojmë ushqimin.

Në këtë artikull të AgroWeb.org do të mësoni disa këshilla praktike se çfarë mund të bëni me frutat dhe perimet të cilat janë pjekur natyralisht më shumë se duhet.

Supat

Nëse keni perime që janë pjekur shumë, mund t’i gatuani në supë, duke i kombinuar me lëng mishi, erëza dhe barishte. Nëse ju gjenden karrota, lulelakër apo patate të tejpjekura, mund t’i zieni, t’i përzieni me qumësht e t’i bëni pure.

Salcat

Domatet e tejpjekura mund të qërohen dhe të zihen duke krijuar kështu një salcë shumë të shijshme dhe aromatike që mund ta përdorni jo vetëm për makaronat e shtëpise por edhe për pica e gjellëra të ndryshme.

Turshitë

Përveç kastravecit, të gjitha perimet e tejpjekura mund të përgatiten si turshi.

Veçanërisht domatet e kuqe të tejpjekura kanë një shije shumë të mirë kur janë turshi.

Lëngje Frutash Dhe Perimesh

Frutat dhe perimet e tejpjekura mund të kalohen në mikser dhe të kombinohen me qumësht, kos, apo lëng portokalli.

Me frutat e buta dhe të tejpjekura mund të krijoni nga e para reçel dhe marmalatë.

Në rastin e bananeve, kur ato janë të tejpjekura mund të përgatisni bukë bananeje ose ëmbëlsira të ndryshme.

Nëse ju gjenden pjeshkë, mund të bëni marmalatë dhe reçel por jo vetëm.

Pjeshkët mund t’i përzieni me qumësht, mjaltë dhe kos dhe të bëni ëmbëlsirë të ngrirë që të shkrihet në gojë.

Luleshtrydhet mund t’i kaloni në mikser me gjalpë në temperaturë ambienti dhe të bëni gjalpë luleshtrydheje.

Luleshtrydhet mund t’i përzieni me uthull balsamike dhe vaj ulliri për të krijuar një salcë të shijshme për sallata.

Mënyrat për t’i sjellë në tryezë frutat dhe perimet e tejpjekura janë të larmishme, mjafton të keni dëshirë për të mos shpërdoruar ushqim./AgroWeb.org