Spinaqi është një nga barishtet më të shëndetshme dhe plot vlera për trupin e njeriut.

Kjo barishte mund të hahet e pagatuar duke u përfshirë në sallata të ndryshme.

Megjithatë, ka njerëz që e preferojnë spinaqin të gatuar.

Gatimi i spinaqit ka një kleçkë. Kjo barishte është e pasur në vlera por ato janë tejet të brishta dhe të shkatërrueshme nga nxehtësia.

Rrjedhimisht gjetja e metodës së duhur të gatimit, që i ruan këto vlera, është një domosdoshmëri për dashamirësit e kësaj barishteje.

Ekspertët, të cilëve u referohet AgroWeb.org thonë se kaurdisja e lehtë është metoda më e mirë dhe më e shëndetshme për njeriun.

Përse Kaurdisja Është Metoda Më e Mirë e Gatimit Të Spinaqit

Sipas ekspertëve, kaurdisja së pari do të eliminojë lëngjet e tepërta që çliron spinaqi.

Së dyti, falë kaurdisjes, spinaqi do të ruajë pjesën më të madhe të vlerave të barishtes.

Hapi i parë i gatimit të kësaj barishteje është larja dhe më pas tharja.

Sa i përket larjes, në fillim spinaqi duhet futur në një tas të madh me ujë.

Duhet lënë për disa minuta, në mënyrë që çdo papastërti të bjerë poshtë.

Më pas, spinaqi duhet larë gjethe më gjethe me ujë të ftohtë.

Pas larjes, spinaqi duhet tharë me letër kuzhine.

Për gatimin e spinaqit, zgjidhni një tigan të gjerë që është më i përshtatshmi për kavërdisje.

Sipërfaqja e madhe do të lejojë të gjitha gjethet të gatuhen në një nivel nxehtësie dhe do të përshpejtojë avullimin e ujit.

Në fillim duhet të hidhni një grusht spinaq dhe ndërkohë që ai rrudhet të shtoni pjesën tjetër me rradhë.

Spinaqi ka tendencën të zbutet shpejt duke krijuar kështu hapësirën e duhur për të gjithë tufën.

Nëse e hidhni të gjithë tufën menjëherë, një pjesë do të gatuhet shumë e një pjesë më pak.

Në momentin që të gjitha gjethet janë gatuar mund t’i kaloni ato në një napë për të shtrydhur sa më shumë lëng.

Lëngun mund ta përdorni për supë.

Nëse ju pëlqen spinaqi me lëng, atëherë ruajeni lëngun duke e pasuruar me kripë, piper e erëza./AgroWeb.org