Sëmundjet e zemrës janë shkaktari kryesor i vdekjeve të parakohshme në botë.

Sipas Institutit të Statistikave, në vitin 2017, vdekshmëria nga sëmundjet e zemrës u rrit me 2.4 përqind.

Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se që nga viti 2005-2016 vdekjet nga këto sëmundje u rritën me më shumë se 19 përqind.

Në vitin 2017, 11,926 persona humbën jetën nga sëmundjet e zemrës.

Këto të dhëna tregojnë se prevalencën më të lartë të vdekjeve të parakohshme nga sëmundjet e zemrës e ka Gjirokastra dhe Korça.

Ekspertët e mjekësisë kanë arritur në përfundimin se kujdesi për shëndetin e zemrës duhet të nisë që në fëmijëri.

Fëmijëria përfaqëson një mundësi të artë për informimin dhe promovimin e rëndësisë së zgjedhjeve të mençura për shëndetin.

Një studim i publikuar në revistën Cardiology rekomandon se fëmijët duhet të mësojnë për rëndësinë e shëndetit të zemrës.

Ekspertët thonë se nëse njeriu mëson për sëmundjet që i kanosen që në fëmijëri, kur të rritet do të bëjë zgjedhje më të mençura.

Rëndësia E Informimit Për Faktorët e Rrezikut

Ekspertët këshillojnë informimin e fëmijëve për faktorët e rrezikut që kontribuojnë në sëmundjet e zemrës.

Këto faktorë rreziku janë të pranishëm edhe në jetën e fëmijëve.

Ata gjithnjë e më pak po kryejnë aktivitet fizik dhe po qëndrojnë shumë kohë ulur në praninë e pajisjeve elektronike.

Ekspertët thonë se 8 përqind e fëmijëve në botë vuajnë nga kolesteroli i lartë.

20 % e gjimnazistëve në botë pijnë duhan, një prej faktorëve më të mëdhenj të rrezikut për sëmundjet e zemrës.

Specialistët në vend janë të shqetësuar për faktin se numri i adoleshentëve duhanpirës në Shqipëri po rritet frikshëm.

Duhanpirja në moshën e adoleshencës dhe të rinjve po rritet ndjeshëm.

Sipas INSTAT, duhanpirja mes adoleshentëve është rritur me mbi 50 përqind tek meshkujt, ndërsa prevalenca mes femrave mbetet më e ulët.

Nëse ky faktor rreziku nuk adresohet që në moshë të re, të rinjtë shqiptarë janë më të rrezikuar nga sëmundjet e zemrës në një periudhë të mëvonshme të jetës.

Kjo është arsyeja përse ndërhyrja që në fëmijëri për t’i informuar fëmijët mbi shëndetin është shumë e rëndësishme.

Sipas ekspertëve, fëmijëria përbën periudhën ideale për të ndaluar por edhe për të mos nisur vese të këqija.

Këto ndërhyrje do të shërbejnë për t’i dhënë brezit të ri një mundësi shëndeti më të mirë në të ardhmen./AgroWeb.org