Diagnostifikimi në kohë i shumë sëmundjeve bëhet më i lehtë nëse njeriu ‘i vë veshin’ trupit të tij.

I tillë është rasti i dhimbjeve të kyçeve ose artritit reumatoid.

Çfarë Është Artriti Reumatoid?

Kjo sëmundje ka të bëjë me inflamacionin kronik që prek kyçet dhe godet më shumë femrat se meshkujt.

Sipas të dhënave të AgroWeb.org, artriti reumatoid është sëmundje autoimunitare.

Kjo do të thotë se sistemi imunitar i njeriut del nga shinat dhe sulmon organizmin.

Një sulm i tillë kryhet nga rruazat e bardha të gjakut që në vend se të sulmojnë bakteret dhe infeksionet, godasin indet e shëndetshme rreth kyçeve.

Sëmundja është e menaxhueshme nëpërmjet medikamenteve.

Si Të Dalloni Simptomat E Artritit Reumatoid

Dhimbja e Kyçeve

Dhimbja është simptoma kryesore që karakterizon këtë sëmundje.

Dhimbja në fillim nis tek gishtat dhe më pas përhapet tek kyçet, shpatullat, ijet dhe gjunjët.

Dhimbja e kyçeve të dorës është një tregues i rëndësishëm në diagnostikimin e kësaj sëmundjeje.

Ndjesia E Ngurtësisë

Kjo sëmundje shoqërohet edhe me ndjesinë e ngurtësisë së kyçeve gjë që shfaqet që në mëngjes.

Zakonisht, njeriu ka vështirësi në lëvizjen e kyçeve.

Nëse kjo simptomë zgjat më shumë se gjashtë javë, AgroWeb.org ju rekomandon të konsultoheni me një mjek.

Enjtja

Në fillimet e saj, sëmundja shfaqet edhe me enjtjen e kyçeve dhe gishtave të dorës dhe të këmbës.

Ju mund të hasni vështirësi edhe në veshjen e këpucëve si pasojë e enjtjes.

Nxehtësi E Padurueshme

Një gjë e tillë mund të mos jetë shumë e dukshme, por kyçet e prekura nga inflamacioni ndihen shumë të nxehta në prekje.

Zakonisht kur kyçet dhe gishtat janë tepër të nxehtë ato janë edhe të ngurtë.

Mosfunksionimi I Kyçeve

Sipas të dhënave të AgroWeb.org, kjo sëmundje pengon kryerjen e aktiviteteve të përditshme.

Nëse ajo prek kryesisht gjunjtë, ju mund të keni vështirësi të ngjisni ose zbrisni shkallët.

Lodhje

Të gjithë njerëzit e prekur nga kjo sëmundje ndihen tepër të lodhur.

Lodhja është simptomë kryesore e shumë sëmundjeve autoimunitare.

Ndjesia E Të Qenit Sëmurë

Artriti reumatoid shkon përtej dhimbjes së kyçeve.

Njerëzit e prekur prej tij ndihen sikur janë të sëmurë nga diçka më e madhe sepse ndihen më të lodhur dhe në agoni.

Humbja E Masës Muskulare

Nëse vini re një rënie të masës muskulare ose forcës dhe qëndresës, duhet të konsultoheni me një mjek.

Rënia e masës muskulare zakonisht ndodh një vit pas shfaqjes së sëmundjes.

Depresioni

Studimet thonë se depresioni është nga dy deri në katër herë më i përhapur te pacientët me artritit reumatoid.

Kjo ndodh sepse inflamacioni ndikon edhe sistemin nervor.

Irritim Të Syve Dhe Gojës

Ndonjëherë, sëmundja shfaqet edhe me irritim dhe përtharje të syve dhe të gojës.

Artriti reumatoid shkakton inflamacion edhe të gjëndrave të pështymës dhe lotit.

Dëmtim Të Nervave, Lëkurës Dhe Organeve

Inflamacioni prek edhe enët e gjakut dhe shkakton edemë të lëkurës.

Kur inflamacioni ndikon tek nervat, gjymtyrët mpihen ose dobësohen.

Njerëzit që vuajnë nga dhimbjet e kyçeve janë më të rrezikuar nga sëmundjet e zemrës, mushkërive apo sistemit tretës./AgroWeb.org

* Ky informacion ka për qëllim të plotësojë, të mos zëvendësojë këshilla nga mjeku juaj ose ofruesi i kujdesit shëndetësor dhe nuk ka për qëllim të mbulojë të gjitha përdorimet e mundshme, masat paraprake, ndërveprimet ose efektet negative. Ky informacion mund të mos i përshtatet rrethanave tuaja specifike shëndetësore.

Burimi: U.S. National Library of Medicine