Tufëza lulerradhiqesh shtrihen përgjatë gjithë rrugës për në Kishën e Laçit.

Të rritura në gjendje të egër si një dhuratë bujare e natyrës, lulerradhiqet e Kishës së Laçit janë shndërruar në një produkt të preferuar për të gjithë që i njohin apo kanë dëgjuar për to.

Gjon Nikolli një banor i rrethit të Kurbinit, prej kohësh mbledh me kujdes, e madje siç thotë ai edhe me respekt, lulerradhiqet e egra që shtrihen përgjatë rrugës për në Kishën e Laçit, duke i shitur ato në tregjet e fshatarëve.

Nikolli thotë për AgroWeb.org se ai mbledh prej disa vitesh lulerradhiqet e egra dhe tashmë njihet nga banorët e zonës, por edhe më tej si shitësi i lulerradhiqeve të Kishës së Laçit.

“Përherë kemi mbledhur lulerradhiqet që rriten gjatë rrugës së Kishës së Laçit. I përgatisnim në shtëpi jo vetëm në gatime, por edhe për t’i përdorur për efektet e tyre shëruese.

Shikoja që njerëzit që vizitojnë çdo ditë këtë vend të shenjtë, i mblidhnin para se të ktheheshin nga vinin dhe mendova t’i sjell ato për ata që besojnë te Kisha e Laçit.

Duke qenë se dal në treg dhe nxjerr produkte në sasi të vogla që kultivoj në kopshtin tim, nisa që të mblidhja edhe lulerradhiqe e më pas t’i tregtoja.

Lulerradhiqet që rriten pranë Kishës së Laçit janë të egra. E sipas gojëdhënave këtej nga zona jonë janë si të bekuara për shijen dhe efektet që kanë.

Që kur kam qenë i vogël kujtoj që në shtëpi i përdornim për kura popullore” shprehet Nikolli për AgroWeb.org.

Ai tregon se sapo u thotë blerësve se ku rriten lulerradhiqet që ai tregton ato “avullojnë” menjëherë pasi blihen sa hap e mbyll sytë.

“Tashmë, sapo dal në treg, të parat që shiten janë pikërisht lulerradhiqet. Madje shumë prej blerësve më porosisin në veçanti për to” thotë Nikolli për AgroWeb.org.

Në fakt, jo vetëm ky banor i rrethinave të Kurbinit njeh vlerat e lulerradhiqes dhe ka zgjedhur këtë mënyrë të mënçur për t’ua mundësuar të tjerëve duke i shitur.

Gjon Nikolli tregon se njeh edhe mjaft banorë të tjerë të zonës që merren herë pas here me aktivitet të tillë.

Por vetë ata që vizitojnë Kishën e Laçit në shumë raste nuk largohen pa marrë me vete tufëza lulerradhiqesh apo edhe bimësh të tjera.

Aftësitë Shëruese dhe Vlerat Ushqyese

Kjo barishte e fuqishme ka qenë dhe mbetet e preferuara ndër breza, jo vetëm për aftësitë shëruese por edhe vlerat ushqyese.

Jo më kot konsiderohet si mirëbërësja e njeriut.

Ekspertët e mjekësisë popullore e konsiderojnë lulerradhiqen si një shëronjëse të fuqishme që pastron gjakun, zgjidh problemet me tretjen dhe parandalon gurët në tëmth.

Sipas të dhënave të AgroWeb.org lulerradhiqja është burimi më i rëndësishëm bimor i vitaminës K.

Kjo vitaminë forcon kockat dhe luan një rol të rëndësishëm kundër sëmundjes së Alzheimerit, sepse kufizon dëmet që i shkaktohen neuroneve.

Të mirat e lulerradhiqes janë të pafundme.

Ajo është e pasur me fibër, një substancë që ndihmon organizmin të largojë mbetjet e akumuluara.

Kjo barishte përmban vitaminat C dhe B6, por edhe thiaminë, riboflavinë, kalcium, hekur, i domosdoshëm për rigjenerimin e qelizave të kuqe të gjakut, kalium që ndihmon në rregullimin e rrahjeve të zemrës dhe tensionit të gjakut dhe mangan

Janë të gjithë këto vlera që e shndërrojnë lulerradhiqen në një nga bimët më të bekuara nga natyra për shëndetin e mirë të njeriut./AgroWeb.org