Dëllinja mund të krahasohet me një thesar të çmuar vlerash për organizmin.

Kokrrat e saj janë përdorur gjërësisht për të detoksifikuar organizmin, përmirësuar tretjen, paraqitjen e lëkurës dhe jo vetëm.

Në botë gjenden disa lloje të dëllinjës, por jo të gjitha janë të ngrënshme.

Ekspertët e AgroWeb.org theksojnë se një nga kokrrat më të shëndetshme janë ato të kuqe që mbajnë emrin Juniperus Phoenicea.

Dëllinja e kuqe rritet kryesisht në rajonin e Mesdheut, përfshirë Shqipërinë, Qipron, Egjiptin, Greqinë, Italinë, Libanin, Marokun, Turqinë dhe Portugalinë.

Ajo konsiderohet si një bimë e rrezikuar nga zhdukja dhe shumë shkencëtarë kanë kërkuar hapa konkretë për mbrojtjen e saj.

Përdorimet E Dëllinjës Së Kuqe Në Mjekësinë Popullore 

Përdorimi i dëllinjës së kuqe në mjekësinë popullore është regjistruar për herë të parë në Egjipt në vitin 1500 Para Erës Sonë.

Asokohe, dëllinja e kuqe është përdorur kundër dhimbjeve muskulare dhe të stomakut.

Gjethet e dëllinjës së kuqe janë përdorur dhe vazhdojnë të përdoren kundër diabetit, diaresë, reumatizmës dhe sëmundjeve të rrugëve të frymëmarrjes.

Në vende të tjera mesdhetare dhe të Lindjes së Mesme, bronshiti dhe artriti kurohen me banja me avull duke përdorur dëllinjën e kuqe.

Për më tepër, dëllinja e kuqe përdoret me sukses edhe kundër infeksioneve urinare dhe edemës së lëkurës.

Nga ana tjetër, substancat e dëllinjës së kuqe eliminojnë gazrat dhe kurojnë dhimbjet dhe shtrëngimet e stomakut.

Dëllinja e Kuqe, Thesar Antioksidantësh

Dëllinja e kuqe është kthyer së fundmi në subjekt studimesh të ndryshme veçanërisht për praninë e lartë të antioksiantëve.

Deri më tani, shkencëtarët kanë konfirmuar se antioksidantët tek dëllinja e kuqe luajnë një rol të jashtëzakonshëm mbrojtës, kurues dhe rigjenerues për mëlçinë.

Këto antioksidantë tek dëllinja e kuqe mbrojnë organizmin nga dëmet e stresit oksidues dhe qelizat nga radikalet e lira.

Vajrat Esencialë 

Nga ana tjetër, vajrat esencialë të Juniperus phoenicea pengojnë aktivitetin e enzimave të diabetit të tipit 2 dhe mbipeshës.

Lëngu i kokrrave të kuqe dhe vaji  i gjetheve është gjithashtu i fuqishëm kundër qelizave të dëmshme.

Në Enciklopedinë Farmaceutike Të Gjermanisë, shkruhet se çaji i kokrrave të dëllinjës së kuqe është efikas jo vetëm për tretjen, oreksin por edhe për fryrjet në stomak.

Si Ta Përgatisni

Nëse dëshironi të përgatisni çaj, zieni një filxhan me ujë dhe merrni një lugë çaji me kokrra dëllinje të thërmuara dhe lërini së bashku për 5 minuta përpara se ta pini. Këtë lëng mund ta pini tre herë në ditë për një muaj.

Kujdes! Përdorimi afatgjatë i kokrrave të dëllinjës mund të shkaktojë irritime dhe dëmtime në veshka, sepse dëllinja praktikisht sforcon veshkën. Kjo është arsyeja përse dëllinja rekomandohet për 30 ditë çdo 4-5 muaj./AgroWeb.org

* Ky informacion ka për qëllim të plotësojë, të mos zëvendësojë këshilla nga mjeku juaj ose ofruesi i kujdesit shëndetësor dhe nuk ka për qëllim të mbulojë të gjitha përdorimet e mundshme, masat paraprake, ndërveprimet ose efektet negative. Ky informacion mund të mos i përshtatet rrethanave tuaja specifike shëndetësore.

Burimi: U.S. National Library of Medicine