Zymtësisë së ditëve të stinës së shkuar i ka ardhur fundi.

Pranvera me hiret e saj ka mbërritur, e bashkë me të po lulëzojnë dhuratat më bujare të tokës.
Që nga mesi i Marsit deri në fillim të Qershorit, toka transformohet në një skenë përrallore shumëngjyrëshe dhe plot aromë. Frutat dhe perimet tona të preferuara janë gati për të na dhuruar një thesar të çmuar vlerash dhe ushqyesish.

Ato i gjejmë në forma, ngjyra dhe përmasa nga më të ndryshmet duke nisur që nga kajsitë, preshi i egër apo purqarku që i jep shije të veçantë çdo sallate. Më poshtë do të gjeni 7 super-ushqimet e pranverës sugjeruar nga AgroWeb.org që duhet t’i konsumoni patjetër në këtë stinë.

Argjinarja

Kjo bimë është pjesë e familjes së lule diellit (Compositae). Argjinarja arrin kulmin e prodhimit në mars. Majat e gjetheve dhe zemra e argjinares janë të ngrënshme. Petalet e forta të jashtme nuk duhen konsumuar asnjëherë.

Një studim i publikuar në Revistën Amerikane të Ushqimit tregon se një filxhan me argjinare përmban më shumë antioksidantë se boronicat e egra, boronicat e kuqe, lëngu i portokallit, specat e kuq apo brokoli. Argjinarja është e pasur me fibër ndërsa ekstrakti i gjetheve të saj përdoret shumë, kundër problemeve me tretjen dhe stomakun.

Kajsitë

Stina e kajsive zgjat shumë pak. Ato i gjejmë në prill deri në fillim të majit. Këto fruta me bërthamë janë të nënvlerësuara në krahasim me pjeshkat apo kumbullat. Por, kajsitë dhurojnë një shije të veçantë që kombinohet shumë mirë me gatimet e ëmbla dhe pikante.

Kajsitë janë efikase në mbrojtjen e shëndetit të syve. Ato përmbajnë shumë vitaminë A që së bashku me karotenin dhe luteinën ndihmon në parandalimin e humbjes së shikimit periferik dhe simptomat e syrit të thatë.

Luleshtrydhe

Luleshtrydhet i gjejmë në treg gjatë të gjithë vitit, por në fakt ato të mirat, të shijshmet të vërtetat e nxjerrin kokën në pranverë. Ato janë ura mes agrumeve të dimrit dhe frutave të verës. Është shumë e lehtë të zgjedhësh luleshtrydhe të mira, thjesht nuhatini ato. Aty ku do të ndjeni aromën më të mirë, aq sa të mos i rezistoni dot, aty duhet të shkoni të blini.

Shpargu


Prilli është piku i sezonit të shpargut, por këtë perime mund ta gjeni me shumicë që nga Shkurti deri në Qershor. Kërcenjtë e rinj të shpargut janë zakonisht ato që konsumohen më shpesh. Kjo ndodh sepse kur sythet në majë të kërcellit nisin të çelin, kërcelli forcohet si dru.

Një racion prej 100 gramësh ofron 20 kalori dhe përmban 2 gramë proteina, 40 përqind të dozës së rekomanduar ditore të vitaminës K dhe 16 përqind të nevojës ditore për hekur. Shpargun mund ta konsumoni si supë ose duke e shoqëruar me vezë të rrahura.

Brokoli

Mund të duket e vështirë për tu besuar, por brokoli fitoi famë vetëm pas shekullit të 20. Ishin Italianët ata që e prezantuan brokolin në vendet e tjera. Sot, brokoli rritet mirë në klimë të freskët dhe në vjeshtë. Ai është pjesë e rëndësishme e gatimeve dhe shijon shumë i zier apo i kavërdisur. Një filxhan me tufa të vogla brokoli përmban 31 kalori, por më shumë se dozën ditore të nevojshme të vitaminës C.

Sallata e ujit

Gjethet e sallatës së ujit së bashku me kërcenjtë arrijnë pikun në pranverë. Kjo barishte i jep mjaft elegancë sallatave, përpos vlerave fantastike shëndetsore. Sallata e ujit është një burim i bollshëm i vitaminës K dhe C. Ajo përmban glukonasturtin, një përbërës që parandalon rritjen e qelizave të dëmshme. Sallatën e ujit mund ta kombinoni me drithëra ose ta përdorni në gatimet me oriz./AgroWeb.org