Një dietë e pasur me perime është gjithnjë një zgjedhje e mirë dhe shumë e rekomandueshme.

Studime të reja i japin forcë këtij pohimi duke treguar se dietat e pasura me perime ulin rrezikun e prekjes nga sëmundjet e zemrës me 40%.

Nga ana tjetër një dietë e pasur me yndyrë, karbohidrate, sheqer apo ushqime të konservuara mund ta shtojë rrezikun për zemrën tuaj.

Ataku në zemër ndodh kur zemra nuk është në gjendje të pompojë mjaftueshëm gjak për trupin.

Rreth 26 milion njerëz në të gjithë botën vuajnë nga simptoma të sëmundjeve kardiovaskulare.

Sipas të dhënave të ISHP vdekjet nga sëmundjet kardiovaskulare në vendin tonë zënë rreth 55% të vdekjeve nga sëmundjet kronike.

Shumë ekspertë shprehen se sëmundjet kardiovaskulare do të rriten gjatë viteve duke u kthyer në një “epidemi globale”.

Të tjerë shprehen se kanë gjetur një zgjidhje parandaluese tek një dietë e shëndetshme ushqimore.

Efekti i Ushqimeve Tek Ataku në Zemër

Studimi i fundit publikuar nga Journal of the American College of Cardiology, tregoi se ka një lidhje mes të ngrënit shëndetshëm dhe sëmundjeve të zemrës.

Ekspertët morën në studim 16,068 persona mbi moshën 45 vjeç.

Ata iu përgjigjën një testi me 150 pyetje në lidhje me ushqimet që konsumonin gjatë një dite.

Këta persona u monitoruan për rreth 9 vite ku 72% e të intervistuarve që patën probleme me zemrën nuk ushqeheshin shëndetshëm.

Ekspertët vunë re se tek personat që kishin ndjekur një regjim ushqimor me bazë perimesh rreziku ishte ulur me 40%.

Në këto dieta përfshiheshin shumë perime, bishtajorë, fruta dhe peshk.

Ushqimet që Duhet të Konsumoni

Bishtajorët

Fasulet, bizelet, qiqrat apo thjerrëzat janë të njohura për uljen e kolesterolit dhe ndihmës së madhe që i japin zemrës.

Duke qenë të pasura me antioksidantë dhe proteina do t’ju mbrojnë nga problemet kardiovaskulare.

Perimet

Perimet nuk përmbajnë yndyrna dhe kalori, por janë të pasura në fibra, minerale dhe vitamina.

Kështu një sasi perimesh në ditë ju ndihmon në mbajtjen e zemrës dhe yndyrës në gjak në nivelet e duhura.

Spinaqi

Spinaqi ndihmon në mbajtjen e pulsit të zemrës në parametrat e lejuar për shkak se përmban magnez.

Domatet

Domatet kanë shumë nutrientë që mund të mbajnë zemrën të shëndetshme.

Janë të pasura me fibra, kalium, vitamina C dhe folate të cilat kanë shumë vlera për muskujt e zemrës.

Omega -3

Peshku është një ndër burimet më të mëdha të Omega-3 dhe proteinave të cilat parandalojnë atakun në zemër.

Kjo sepse ato ulin riskun e rrahjeve të shpeshta të zemrës./AgroWeb.org