Lakra italiane është një nga lakërishtet më të përhapura dhe më të famshme të të gjelbërave të Mesdheut.

Lakra italiane, ose siç edhe njihet si lakra e savojës, është një lloj lakre, gjethet e së cilës janë në të gjelbër të thellë.

Kjo lakër ka nevojë për tokë të kulluar mirë dhe një klimë të freskët. Lakra e savojës, me emrin botanik Brassica oleracea, është pjesë e të njëjtës familje botanike të brokolit, kales, lulelakrës dhe lakrës.

Kjo lakër ka prodhimtari shumë të mirë dhe si pasojë e kërkesave të tregut kryesisht të Tiranës, të restoranteve, por edhe kërkesave për eksport,

Lakrën e Savojës e gjemë së fundmi edhe në parcelat shqiptare të Lushnjës e Fierit.

Ndonëse me shtrirje të kufizuar në rradhët e perimeve të mbjella në vend, lakra italiane e savojës mund të jetë nje kulturë interesante për fermerët shqiptarë që duan të rrisin gamën e prodhimeve të tyre.

Kjo lakër është pjesë e shumë recetave ushqimore. Ajo kombinohet mirë me verën e kuqe, gështenjat, erëzat, mollët, sherebelën, qepët, mishin, rrepën, koprën, dëllinjën etj.

Me të mund të gatuhet supë, pjatë me perime ose thjesht të konsumohet me vaj ulliri.

Lakra e savojës është një perime që rritet deri në 20-60 centimetra. Të dhënat e AgroWeb.org thonë se lakra që ka gjethe me nuanca të errëta të të gjelbrës peshon deri në 1.8 kilogramë.

Përveç gjetheve të puthitura mirë njëra pas tjetrës, gjatë stinës së verës, bima vetë çel edhe disa lule me petale me ngjyrë të verdhë.

Vlerat ushqimore

Nëse konsumoni 70 gramë lakër të freskët të savojës do të përfitoni vetëm 19 kalori, por edhe 1.4 gramë proteina, 0.07 gramë yndyrë, 4.27 gramë karbohidrate, 2.2 gramë fibër dietike dhe 1.59 gramë sheqerna të plota.

Në të njëjtën sasi mund të përfitoni 40.17% të vitaminës K, 24.11 përqind të vitaminës C, 14% të vitaminës B9 dhe 10.23% të vitaminës B6.

Për më tepër, në këtë sasi përfitoni edhe 24 mg kalcium, 0.28 mg hekur, 20 mg magnez, 29 mg fosfor, 161 mg kalium, 20 mg natrium, 0.19 mg zink, 0.043 mg bakër, 0.126 mg mangan dhe 0.6 mg selen.

Vlerat shëndetësore të lakrës së savojës

Siç mund ta keni kuptuar edhe më lart, lakra e savojës nuk ka yndyrna apo kolesterol. Ajo është e pasur me vitaminat A, K, C dhe B6.

Për ta përmbledhur, ajo përmban proteina, fibra, hekur, mangan, folat, thiaminë, kalium, kalcium dhe magnez.

Fitoushqyesit që gjenden tek lakra e savojës shërbejnë si antioksidantë që ulin rrezikun e shfaqjes së radikaleve të lira.

Shëndeti dentar

Nëse ushqimet që ju konsumoni nuk janë të pasura me vitaminë C, A, D dhe K atëherë gjasat që të vuani nga një shëndet i dobët dentar janë të mëdha.

Konsumimi i ushqimeve të pasura me këto vitamina ndihmon në ushqyerjen e kockave dhe dhëmbëve me substancat e nevojshme për fortësinë dhe dendësinë e tyre.

Shëndeti mendor

Vitamina K është e përfshirë në metabolizmin e molekulës që formohet natyralisht në membranën e qelizës.

Studimet kanë treguar se vitamina K lufton inflamacionet dhe parandalon stresin oksidues të shkaktuar nga radikalet e lira.

Sëmundjet e kyçeve

Vitamina C ndihmon në uljen e gjasave të shfaqjes së sëmundjes së kyçeve si pasojë e inflamacionit.

Kjo sëmundje shfaqet kur acidi urik përhapet me tepricë në inde në formën e kristaleve të mprehta dhe shkakton dhimbje të mëdha.

Lufton radikalet e lira

Vitamina C është një antioksidant që parandalon dëmet e shkaktuara nga radikalet e lira, ndotësit e ndryshëm dhe kimikatet toksike.

Radikalet e lira shkaktojnë një sërë problemesh me shëndetin siç janë sëmundjet e zemrës, tumoret dhe artriti.

Shëndeti i zemrës

Vitamina B ndihmon në uljen e niveleve të homocisteinës në gjak. Ajo është shkaktare e atakut në zemër dhe goditjeve në tru.

Si ta konsumoni lakrën e savojës: 

Kjo lakër mund të gatuhet me avull dhe të shërbehet me peshk. Lakra mund të kavërdiset së bashku me patatet, qepët dhe hudhrat.

Gjethet e lakrës së savojës mund të përdoren edhe për mbushje, për supë, turshi, e shumë të tjera./AgroWeb.org