Pranojeni ose jo, farat e lulediellit janë mënyra më perfekte për të kaluar kohën. E kush nuk ka përtypur fara vjedhurazi në orën e mësimit poshtë bankës apo në shtëpi teksa shihnit televizor?

Shqipëria para viteve ’90 shquhej si prodhuese e farave dhe vajit të lulediellit.

Kodrina të tëra verdhonin në vend. Por me rënien e komunizmit dhe shkatërrimin e industrisë, ne prodhojmë vetëm fara për konsum.

Sipas INSTAT, vendi prodhon rreth 2.000 ton fara luledielli në vit nga 1.000 ha tokë të mbjellë, kryesisht të përqëndruar në zonën e Lushnjës dhe Beratit.

Në total Shqipëria eksporton 38 ton fara dhe importon 92 ton, siç tregojnë dhe të dhënat zyrtare. Asnjë kokërr farë nuk shkon për prodhim, por konsumohet e gjitha e paketuar në vend.

Eshtë e pamohueshme që farat janë një produkt i dashur për shqiptarët, por përveçse për të vrarë kohën, farat e lulediellit janë tejet të shëndetshme dhe me shumë vlera ushqyese.

Lexoni listën e përgatitur nga AgroWeb se çfarë mund të bëjnë farat për ju:

Kontrollojnë dëmtimin e qelizave

Farat ndihmojnë parandalimin e qelizave të dëmshme. Kjo pasi farat e lulediellit janë një burim i mirë me selenium, që është provuar si armik i zhvillimit të qelizave vrasëse në organizëm.

Përmbajnë minerale për shëndetin e kockave

Përveç kalciumit, kockat kanë nevojë edhe për magnez dhe bakër për të qenë të forta. Farat e lulediellit i kanë të dyja këto minerale. Si bonus kanë dhe Vitaminë E, që ndihmon në lehtësimin e dhimbjeve të artritit.

Ju mbajnë të qetë

Po! Magnezi tek farat e lulediellit ka reputacionin që qetëson nervat, duke liruar në këtë mënyrë stresin, migrenën dhe ndihmon për t’u relaksuar.

Japin shkëlqim  për fytyrën

Dhe këtë ia dedikojmë rolit të Vitaminës E, e cila lufton rrezet UV dhe e mban lëkurën të re.

Lehtësojnë problemet inflamatore

Si dhembja e kyçeve, gastriti, ulçera, skuqja e lëkurës, azma. Kjo sepse farat e lulediellit kanë shumë antioksidantë.

Vetëm një gjysëm filxhan kafeje me fara luledielli mban larg sëmundjet kardiake.

Këto fara të vogla pengojnë kolesterolin e “keq” që të mos ngjitet në muret e arterieve, duke parandaluar në këtë mënyrë ataket e zemrës.

Përmbajnë shumë proteina

Një filxhan i vogël me fara përmban 7 gram proteina. Kjo proteinë i jep trupit energji përgjatë të gjithë ditës, duke e bërë një ushqim shumë të shëndetshëm.

Me shijen e tyre unike, farat e lulediellit mund të jenë një produkt i shkëlqyer për t’u shtuar në ushqimin tuaj. Hidhini në sallatë, në kos, në sanduiç, oriz, makarona. Mundësitë janë aq të shumta sa dhe të mirat e këtyre farave të adhuruara nga dielli.

Bëni kujdes! Edhe pse konsumi i farave të lulediellit ka shumë të mira, sërish duhet të bëni kujdes kur i konsumoni, pasi ato mund të jo pak kalori.

Ndonjëherë ato mund të jenë dhe të kripura, gjë që dëmton shëndetin tuaj.

Gjithashtu është e rëndësishme të mos e konsumoni lëvozhgën e farës, pasi mund të shkaktojë probleme me tretjen. /AgroWeb.org