Bishtajoret kanë qenë prej vitesh pjesë e dietës ushqimore në mbarë botën për mijëra vite, duke shërbyer si burim proteinash.

Pjesë e bishtajoreve janë  bizelet, llojet e ndryshme të fasuleve, qiqra dhe thjerrëza.

Bishtajoret shërbejnë si një burim i rëndësishëm i proteinave dhe të tjera vlerave ushqyese, të cilat mund të zëvendësojnë produktet e mishit apo të bulmetit.

Gjithashtu kultivimi i tyre redukton përdorimin e plehrave kimike dhe bën pasurimin e tokës.

Të Dhënat Konkrete Për Kultivimin e Fasuleve Ndër Vite

Në Shqipëri prodhimi i tyre në vitin 2018 arriti në 24.5 mijë tonë, duke u rritur me 15% në krahasim me një vit më parë, pas tre vitesh që shënoi rënie të njëpasnjëshme, referuar të dhënave të Eurostat.

Për nga sasia e prodhimit, Shqipëria prodhon sa dyfishi i vendeve të rajonit si Serbia apo Maqedonia.

Prej vitit 2010 prodhimi më i lartë u arrit në vitin 2014 me 30 mijë tonë, ndërsa prej atëherë ka shënuar rënie.

Prodhimi i bishtajoreve në Serbi ishte 12.9 mijë tonë në vitin 2018, ndjekur nga Maqedonia e Veriut me 12.4 mijë tonë, Bosnje dhe Hercegovina me 11.8 mijë tonë dhe Kosova me 6.1 mijë tonë.

Fasulja Kacavjerrëse e Lekbibaj

Në të gjithë krahinën e Nikaj-Merturit, Tropojë. Kultivohet për më se 70-80 vjet.

Aktualisht zë rreth 30% të sipërfaqes që mbillet me fasule në zonë.

Kushtet e kultivimit:

Mbillet në ngastra të sheshta, toka të thella e të pasura dhe me mundësi ujitjeje.

Mbillet në bashkëshoqërim me misrin gjatë peridhave 10 -15 maj dhe vilet në fillim të shtatorit.

Fasulja përfiton nga shërbimet që i bëhen misrit; prodhon edhe në kushte me pak shërbime, pa përdorur plehra kimike dhe spërkatje.

Formon bimë kacavjerrëse; kokërr të bardhë në formë veshke.

Ka qëndrueshmëri të mirë ndaj sëmundjeve, temperaturave të ulëta dhe të larta.

Jep prodhim të mirë e të qëndrueshëm.

Zien shpejt dhe është e pëlqyeshme për shijen e saj./AgroWeb.org