Fillon Testimi i Vaksinës Kundër COVID-19 Në SHBA

199 0

Studiuesit në New York University Grossman School of Medicine dheUniversity of Maryland School of Medicine in Baltimore lajmëruan të martën në mbrëmje se kanë nisur testimin fillestar të vaksinës së parë nga katër syresh të ofruara nga kompanitë farmaceutike Pfizer e Amerikës dhe BioNTech i Gjermanisë.

Të dy prodhuesit konfirmuan nisjen e eksperimentit dhe thanë në një deklaratë se nëse ky testim arrin të vërtetojë sigurinë dhe efikasitetin e vaksinës kundër COVID-19, atëherë deri në fund të vitit, vaksina do të shpërndahet gjerësisht në mbarë Shtetet e Bashkuara.

Të dhënat e Wall Street Journal tregojnë se kompanitë në fjalë kanë përdorur teknologjinë ARN që mundëson një prodhim të përshpejtuar të vaksinës nëse ajo del e suksesshme.

Fazat e Vaksinës, Vullnetarët Dhe Teknologjia

Kjo teknologji bazohet tek genet. Vaksina e bërë me këtë teknologji shërben si lajmëtar dhe synon t’i japë ADN-së arsenalin për prodhimin e proteinave të caktuara që shkatërrojnë virusin.

Kjo do të ishte hera e parë në histori që një vaksinë me këtë lloj teknologjie do të aprovohej kundër sëmundjeve infektive.

Janë 360 persona të cilët do të provojnë vaksinën dhe rezultatet priten muajin e ardhshëm.

Ata janë të moshave nga 18 deri në 55 vjeç. Më vonë planifikohet angazhimi i vullnetarëve të moshës së tretë.

“Edhe nëse rezultati del i suksesshëm, vaksina sërish ka nevojë të testohet tek më shumë pacientë”, tha Kathrin Jansen,  shefe e departamentit të kërkimeve shkencore për vaksinat në kompaninë Pfizer.

“Pfizer do të ndjekë me kujdes progresin e testimit për të zgjedhur kandidatin më premtues” shtoi ajo.

Pas marrjes së dozës së parë, tre javë më vonë vullnetarët do të marrin një dozë të dytë.

Në varësi të eksperimentit, vullnetarët do tu nënshtrohen edhe disa dozave të tjera.

Një pjesë e vullnetarëve më pas do të marrin vaksinën ndërsa të tjerët do të marrin një vaksinë me efekt placebo.

Kjo vaksinë është ndër të parat që autoritetet amerikane kanë miratuar për përdorim kundër virusit COVID-19 që deri më tani ka infektuar mbi 1 milionë njerëz dhe u ka marrë jetën mbi 69,000 të tjerëve.

Shtetet e Bashkuara janë vendi me numrin më të lartë të infeksioneve dhe fataliteteve, shkruan Wall Street Journal.

Qeveria amerikane po bashkëpunon me kompaninë e  bioteknoligjisë, Moderna Inc për zhvillimin e një vaksine të ngjashme, testimi i të cilës pritet tre mujorin e ardhshëm./AgroWeb.org