Amvisat shqiptare janë duarartat e gatimeve të brumit, të cilat kërkojnë mund, energji por edhe mjeshtëri.

Gatimet e brumit janë të thjeshta në përgjithësi por në shumë zona të vendit ato transformohen në art më vete.

Loading...

I tillë është rasti i flisë së përvëluar që gatuhet gjërësisht në fshatrat e Kukësit në kufi me Kosovën.

Ky gatim përgatitet kryesisht në raste gëzimesh e mbledhjesh familjare sepse për nga shija, një tepsi me fli të përvëluar mbledh rreth tavolinës të gjithë familjen.

Përbërësit

1 litër ujë

1 kg miell të bardhë,

Gjysëm luge gjelle kripë

250 gr gjalpë

Loading...

1 gotë uji vaj

Përgatitja

Hidheni ujin në një tenxhere dhe vendoseni në zjarr.

Ndizeni furrën në 170 gradë.

Merrni një enë të madhe dhe hidhni miellin.

Hapni një gropëz në mes dhe kur uji të ketë marrë valë hidheni ngadalë në mesin e miellit duke e përzier me lugë druri.

Përzierja duhet të jetë e ngadaltë dhe hedhja e ujit gjithashtu.

Duke qenë se uji është tepër i nxehtë rekomandohet përdorimi i lugës së drurit deri sa mielli ta përthithë atë dhe të formohet një masë e trashë.

Më pas shtoni pak miell dhe punojeni masën tashmë të ftohur me duar deri sa të formohet një brumë i njëjtë me atë të byrekut.

Lëreni të pushojë për 10 minuta dhe e mbështilleni me një napë të pastër.

Më pas brumin ndajeni në kuleçë,

Lyejeni dorën me vaj dhe hapini kuleçët me dorë duke i vendosur një nga një në tepsi.

Secila prej petëve gjysmë të hapura duhet lyer me vaj.

Më pas duhet t’i shtypni fort me dorë dhe në mënyrë të njëtrajtshme deri sa të gjithë kuleçët të shtrihen e të përhapen në të gjithë tepsinë.

Futeni tepsinë në furrë për t’u pjekur.

Pjekja zakonisht duhet të zgjasë 1 orë.

Gjatë kësaj periudhe petët do të piqen por edhe do të ndahen nga njëra tjetra, gjë që mund ta kontrolloni edhe gjysmë ore pasi e keni futur tepsinë në furrë.

Pasi petët janë pjekur plotësisht, hiqeni tepsinë dhe  vendoseni përmbys në  një mbulesë të pastër tavoline.

Ndërkohë vendosni tiganin në zjarr për shkrirjen e gjalpit.

Petën e parë dhe të fundit të tepsisë që janë më të pjekura dhe krokante  copëtojini të parat dhe hidhini sërish në tepsi.

Spërkatini me dy lugë gjelle me gjalpë.

Më pas merrni petët e tjera, ndajini në copa të vogla dhe renditini sipër njëra tjetrës  duke i spërkatur  me gjalpin e shkrirë.

Tepsia do të mbushet plot dhe gjalpin e mbetur mund ta hidhni sipër petëve.

Flija e përvluar zakonisht serviret në tepsi dhe shoqërohet me lakër turshi, kos apo dhallë. /AgroWeb.org

Loading...