Ushqimet dhe gatimi sigurisht e kanë vendin në kuzhinë.

Në çdo shtëpi ka një mjedis të posaçëm për ruajtjen e tyre, në raftet  e bufesë apo brenda në frigorifer.

Konservimi i duhur i ushqimeve është pjesë e vlerave dhe shijes që ato i dhurojnë më pas trupit.

Ndonëse mund të keni njohuri të përgjithshme mbi këtë temë, ekspertët e sigurisë ushqimore tregojnë disa truke të vogla që ju ndihmojnë në ruajtjen më të mirë të ushqimeve.

Kur flasim për ushqimet, frutat dhe perimet janë gjithnjë më delikatet dhe ato që prishen më shpejt.

Prandaj në këtë artikull AgroWeb.org ju shpjegon mënyrën më të mirë të ruajtjes së disa nga frutave dhe perimeve që përdorni çdo ditë.

Sekreti qëndron që të mos t’i ruani ato kurrë bashkë me njëra tjetrën në një vend.

Kjo pasi një gaz i veçantë që disa perime dhe fruta lëshojnë mund t’i prishë ato para kohe.

Zbulojini cilat janë këto ushqime duke ndjekur këshillat e AgroWeb.org si më poshtë.

Çfarë i prish perimet

Etileni është një gaz që frutat dhe perimet lëshojnë zakonisht pasi janë këputur nga pema ose kërcelli ku rriten.

Megjithëse konsiderohet si gaz, etileni është tërësisht natyral dhe vetëprodhohet nga bimët.

Prandaj deri këtu nuk ka asgjë për t’u shqetësuar, pasi nuk shkakton asnjë efekt anësor në organizëm.

Ajo çfarë prek janë vetëm perimet apo frutat, të cilat fillojnë e humbasin shijen e tyre të freskët kur ky gaz lëshohet nga perime të tjera.

Jo të gjithë perimet apo frutat e përmbajnë me shumicë këtë gaz, por disa prej tyre janë shumë të pasura me të.

Në këtë artikull AgroWeb.org ju tregon se cilat janë këto ushqime në mënyrë që të mos t’i ruani asnjëherë afër.

Mollët

Ndër frutat më të pasura me këtë lloj gazi, mollët duhet të ruhen gjithnjë larg fruta perimeve të tjera.

Nëse nuk doni që ato të prishen dhe zbuten, mundohuni t’i ruani në një vend të veçantë.

Qoftë në frigorifer apo në një enë të bukur në qendër të tavolinës tuaj.

Bananet

Etileni tek bananet çlirohet nga bishti, pjesa kafe dhe e fortë ku bashkohen bananet.

Prandaj nëse keni vendosur që t’i ruani afër ushqimeve të tjera, sigurohuni që ta mbështillni me një letër këtë pjesë.

Pjepri jeshil

Tek pjepri i ëmbël jeshil gazi etilen lëshohet pasi e keni prerë atë ndaj sa herë që të jetë i hapur mbështilleni dhe ruajeni veçmas.

Pjeshkat dhe kumbullat

Tek këto dy fruta prodhimi i etilenit është shumë i pakët kur janë me lëkurë dhe mund t’i ruani kudo.

Ndërsa kur janë të qëruara bëni kujdes gjatë konservimit, pasi niveli i këtij gazi do të rritet duke prishur ushqimet.

Domatet

Domatet janë ndër më të pasurat me etilen, prandaj rekomandohet që të ruhen në një kosh veçmas në frigorifer që të mos ndikojnë perimet dhe frutat e tjera.

Qepët

Megjithëse zakonisht mbahen veç për shkak të aromës së fortë që kanë, qepët lëshojnë sasi gazi që mund të ndikojë shijen e perimeve apo frutave të tjera.

Kështu që gjithnjë sigurohuni t’i mbani në një vend të izoluar veçmas.

Këshillat e ekspertëve janë që edhe nëse do të përgatisni sallatë apo përzierje të ndryshme frutash të jenë gjithnjë sa më të freskëta.

Kështu shija nuk do t’ju zhgënjejë dhe vlerat e tyre do të ruhen të paprekura, gati për t’i futur në organizmin tuaj./AgroWeb.org