1.8k 0

Vezë Fshati apo Fabrike? Kjo është Çështja

Tregojnë një histori sipas të cilës, Dante Alighieri teksa vëzhgonte ndërtimet e Duomos, katedrales në Firence, dikush e pyeti: ‘Cili është ushqimi më i mirë në botë?’. ‘Veza, u përgjigj poeti.

Një vit më vonë, të dy u takuan sërish dhe i panjohuri e pyeti me humor: ‘Me çfarë?’. ‘Me kripë’, u përgjigj Dante, i famshëm për memorien e tij të jashtëzakonshme.

Veza renditet ndër ushqimet më të mira të planetit, e madje quhet ‘Multivitamina e Natyrës”. Shqipëria është ndër vendet me prodhim e konsum të madh të vezëve.

Vezë fshati, vezë fabrike, të bardha, bezhë, ngjyrë kafe, konsumatorët shpesh mbeten konfuzë përballë alternativave. AgroWeb do të përpiqet t’u japë përgjgje disa prej pyetjeve më të shpeshta.

Vezë fshati apo fabrike?

Përgjigjia duket e thjeshtë, por dilema është e madhe, veçanërisht për ata që kanë fëmijë.

Edhe pse referuar çmimit, veza e fshatit është më e shtrenjtë pasi edhe prodhimi është i pakët, specialistët rekomandojnë të tregoni vëmendje.

Pulat e fabrikës janë lindur e rritur brenda dhe janë ushqyer me një dietë me bazë misri. Ato nuk kanë asnjë aktivitet jashtë gjatë gjithë jetës së tyre.

Pulat e fermave të fshatit rriten në habitatin e tyre natyror, vrapojnë, kullosin në natyrë dhe marrin ushqimin e tyre natyral si edhe ajër të freskët, që ndikon në cilësinë e vezëve.

Zoti Sabah Sena, specialist zooteknik, i pyetur nga AgroWeb, zoti Sena thotë se duhet treguar vëmendje për të kuptuar nëse vezët e fshatit janë prodhuar në kushtet e duhura higjeno-sanitare.

Pra ku kullot pula, ku e bën vezën, sa ditë ka veza që është bërë dhe ku është ruajtur.

Sigurisht, nëse ke një fshatar të besuar apo më mirë akoma nëse pulat i ke vetë, mund të jesh më i sigurt për kushtet e nevojshme.

Pra ushqimi i pulave dhe vendi ku rriten përbën diferencën.

Pulat e fabrikës ushqehen me një përzjerje misri dhe soje, ndërkohë që pulat e fshatit kullosin e hanë më së shumti barishte.

Në ndryshim nga ato të fabrikës, pulat e fshatit ushqehen me ato që ofron natyra dhe jo ushqim të përpunuar.

Të lahen apo jo vezët e fshatit

‘Vezët e fshatit, përpara se të ruhen në frigorifer apo magazinohen, nuk duhet të lahen’ thotë për AgroWeb, Zamira Bizhuta, specialiste zooteknike.

‘Vezët e fshatit duhet të lahen vetëm në momentin përpara përdorimit, ose të fshihen me një leckë të lagur. Në të kundërt prishen indet natyrale të lëvores, që ruajnë vezën.

Larja bën që poret të hapen dhe gjatë qëndrimit në frigorifer, mikrobet të depërtojnë brenda duke prishur vezën.’

Të bardha apo kafe?

Përgjithësisht ngjyra e vezëve përcaktohet nga ngjyra dhe genet e pulave.

Përveç çështjes gjenetike, vezëve të fabrikës u mungon drita natyrale e klorofili, ndaj janë edhe më të hapura në ngjyrë se ato të fshatit si nga jashtë edhe nga brenda.

Veç kësaj, ajo thotë se pulave të fabrikës për t’i shtuar rendimentin i lënë gjatë 24 orëve me ndriçim, për të evituar efektin ‘psikologjik’ të ditë-natës.

Kështu pula do të prodhojë më shumë se një vezë në 24 orë, siç ndodh zakonisht, pasi nata e vërtetë nuk ekziston.

Vlerat e vezës janë të mëdha. Departamenti i Bujqësisë në SHBA, USDA, e rendit vezën në kategorinë e mishit në piramidën ushqimore. AgroWeb ka përgatitur një listë me vlerat shëndetësore dhe disa njohur për vezët:

Multivitaminë

Ka vetëm 70 kalori dhe plot 14 ushqyes esencialë dhe përveç kësaj, konsumi i vezës është si të merrni një tabletë multivitaminike natyrale.

Përmirëson përqendrimin

Ushqyerja e mirë ndikon drejtpërdrejtë në aftësinë e fëmijës suaj për të mësuar. Kërkimet kanë treguar se konsumi i një mëngjesi të mirë dhe të ekuilibruar përmirëson përqendrimin dhe vëmendjen e fëmijës, aftësitë e tij në matematikë dhe rezultatet në provime. Nisja e ditës me një mëngjes të shëndetshëm që përfshin dhe vezët, i jep organizmit tuaj dhe të familjes suaj pikërisht vaktin e balancuar. Kjo sepse pothuajse të gjithë substancat ushqyese themelore që i duhen trupit tuaj gjendet te veza.

Zhvillon trurin

Veza i jep energji trurit. Kolina, substancë që gjendet tek e verdha e vezës, nxit zhvillimin dhe funksionin e trurit. Kolina njihet si një nga ushqyesit themelorë të organizmit tonë, por nuk prodhohet dot nga trupi ynë në sasitë e duhura. Ndaj është e nevojshme marrja e saj nëpërmjet ushqimit. Mjaftojnë dy vezë për të marrë sasinë e nevojshme ditore të kolinës për organizmin tonë.

Jep energji

Përfshirja e vezëve në ushqimin tuaj, ndihmon në furnizimin me energji dhe ngopjen tuaj duke evituar kështu urinë dhe ngrënien pa orar. Proteina është substance më ngopëse dhe kontrollon vlerën me të cilën trupi thith kaloritë. Një vezë përmban 6 gram të proteinës më cilësore dhe ndodhet si tek e bardha edhe tek e verdha, por që të përfitoni plotësisht duhet ti konsumoni të dyja.

Përbërja

Një e bardhë veze përbëhet nga gati 90% ujë dhe 10% proteina. Këto të fundit janë të përbëra nga aminoacidet, të cilat formojnë zinxhirë të gjatë. Kur veza nxehet, ato humbasin mbajtjen te njëra-tjetra, E bardha e lëngshme e vezës forcohet, pasi arrin rreth 85 gradë celsius. E verdha e vezës përbëhet prej ujit, yndyrës, kolesterolit, mineraleve, vitaminave dhe proteinave.

Dhe së fundmi; veza pulën apo pula vezën?

Është një pyetje që përdoret historikisht në diskutimet shkak-pasojë.

Por sipas ekspertëve, veza është një mënyrë riprodhimi, zhvilluar përpara pulës, për shembull vezë dinozauri.

Pula që njohim sot mund të ketë dalë nga një vezë e paraardhëses së saj. Pra, shkencërisht, veza është e para./AgroWeb.org