Zupat padyshim janë ndër ëmbëlsirat më të lehta, me shije të mrekullueshme, ato mbeten ndër për të preferuarat në familjet shqiptare.

Por shpesh herë amvisat hasin vështirësi në përgatitjen e kremit të zupës, i cili është dhe baza kryesore e kësaj ëmbëlsire kaq të dashur.

Ndonjëherë kremi nuk del kompakt e i njëtrajtshëm dhe kokërrizat e mbetura mes tij gjatë përgatitjes i largojnë ëmbëlsirës shijen tipike të saj.

AgroWeb.org ju sjell më poshtë disa këshilla të vyera, të cilat do t’ju ndihmojnë të përgatisni në mënyrën më perfekte zupën e shtëpisë.

Përgatitja e Kremit të Zupës

Përbërësit bazë të kremit të zupës janë, qumështi, të verdhat e vezëve, sheqeri, niseshteja dhe vanilja për aromë.

Hapi i parë është tretja e niseshtesë në një tas mesatar me qumësht të vakët. Treteni mirë me lugë druri derisa niseshteja të tretet plotësisht.

Hapi i dytë është vendosja në zjarr të ngadaltë e një tenxhereje me qumështin e mbetur, shtoni aty sheqerin dhe të verdhat e vezëve të rrahura fort dhe përzjeini me lugë druri.

Bëni kujdes që kur të rrihni të verdhat e vezëv,  të largoni pjesët e bardha që mund të mbeten, pasi gjatë mpikjes së kremit ato mund të mbeten si kokërriza.

Në momentin që qumështi nis të vaket shtoni aty pjesën tjetër të qumështit ku keni tretur niseshtenë. Trazojeni edhe njëherë dhe më pas shtojeni në tenxhere.

Të gjithë masën e qumështit do ta trazoni pa ndërprerje me lugë druri derisa masa të bëhet kremoze sa duhet.

Derisa të krijohet masa kremoze e qumështit nuk ta ndërprisni përzierjen me lugë druri në këtë mënyrë do siguroni që kremi i zupës do të jetë i njëtrajtshëm.

Në momentin që kremi nis të nxjerrë bulëza në sipërfaqe, shtoni vaniljen, përziejeni dhe largojeni nga zjarri dhe nisni përgatitjen e kombinimit të zupës në kupat përkatëse.

Kombinimet e Zupës

Mënyrat më tipike të përgatitjes së zupës janë ajo me biskota, reçel dhe arra të thërrmuara.

Në fundin e kupës mund të vendosni pak biskota të thërrmuara dhe një lugë çaji me reçel qershie, shtroni një shtresë me kremin e zupës.

Vijoni sërish me një shtresë biskotash të thërrmuara dhe spërkatini me pak reçel qershie.

Më pas, vijoni me shtresën tjetër të kremit të zupës e në fund sërish biskota të thërrmuara, disa kokrra reçeli qershie dhe arra të thërrmuara./AgroWeb.org