Për shumë amvisa përgatitja e recetave të ndryshme në furrë shpesh shndërrohet në sfidë për shkak të ngjitjes së gatimeve në tavë siç është rasti i byrekut, pispilisë, pastiços etj.

AgroWeb.org ju sjell më poshtë disa këshilla të vlefshme që do t’ju ndihmojnë që çdo recetë që përgatitet në furrë të dalë fantastike si në shije ashtu edhe në formë.

Letra e pjekjes

Një nga metodat më të njohura dhe pa mundim është përdorimi i letrës së pjekjes.

Letra të tilla gjenden kudo nëpër markete he janë shumë të nevojshme për një pjekje sa më perfekte.

Si për receta ëmbëlsirash me brumë të butë, e deri tek buka, byreku dhe pastiçoja, letra e kuzhinës gjen përdorim.

Ju mjafton që pas të keni lyer pak tavën me vaj të vendosni një nga letrat e kuzhinës dhe më pas të vazhdoni hapat e recetës.

Nëse keni tavë të rrumbullakët priteni letrën e kuzhinës që të përputhet sa më mirë me sipërfaqen e tavës.

Letra e kuzhinës nuk lejon që lagështira e lëshuar gjatë pjekjes së recetës suaj të grumbullohet në fundin e tavës duke u djegur.

Ajo luan rolin e një mburoje nxehtësie, duke e bërë pjekjen edhe më graduale e të njëtrajtshme në të gjithë tavën.

Përveç se do të keni shmangur ngjitjen e gatimeve tuaja, do ta keni shumë të lehtë për t’i nxjerrë ato nga tava.

Dy metodat e tjera që AgroWeb.org ju sugjeron janë pak më ekonomike dhe përbërësit i keni në shtëpinë tuaj.

Vaj dhe miell

E para ka të bëjë me kombinimin e vajit dhe miellit. Shumë nga amvisat që gatuajnë ëmbëlsira e dinë këtë sekret.

Para se të gatuani receta të cilat kanë në përbërjen e tyre brumëra, si keku, pispilia, pastiço apo buka e shtëpisë, lyeni mirë tavën me vaj dhe më pas spërkateni me miell.

Nëse keni hedhur më shumë miell mjafton ta shkundni për ta larguar dhe tava juaj është gati.

Mielli arrin të përthithë lagështirën e tepërt që mund të lëshojë receta juaj, e ndërsa vaji nuk e lejon që ajo të digjet nga nxehtësia e furrës.

Këtë kombinim mund ta përdorni edhe për recetat e kripura siç janë byreqet e ndryshme si me petë të gatshme dhe me ato që i përgatisni vetë.

Por është perfekte edhe për ato të ëmbla siç janë kekët e shumtë apo strudel, qumështor etj.

Bukë e thekur e thërrmuar

Metoda e dytë lidhet me një përbërës që mund të përgatitet vet në shtëpi ose edhe mund ta blini në markete.

Bëhet fjalë për bukën e thekur të thërrmuar. Përveç se një përbërës i recetave të shumta, buka e thekur ndihmon në parandalimin e ngjitjes së recetave tuaja më të dashura.

Po njësoj si me miellin, edhe bukën e thërrmuar e shtoni në tavën e lyer mirë me vaj.

Zakonisht kjo metodë përdoret në recetat e kripura, si pastiçoja, pispilia apo dhe buka.

Me këto tri metoda përgatitja e recetave që kërkojnë pjekjen në furrë do t’ju bëhet më e lehtë./AgroWeb.org