Gliko, liko apo reçel, sido që ta quani këtë lloj ëmbëlsire natyrale tek shija e saj e mirë ska diskutime, pasi i bën për vete të gjithë.

Pavarësisht emrit ata që e provojnë bien dakord për këtë fakt, duke e renditur glikonë ndër vlerat më të mëdha të traditës.

Mund t’a përgatisni fare lehtë në shtëpi me një mori përbërësish të freskët për çdo stinë.

Meqë vjeshta është në prag, frutat dhe perimet e saj janë shumë të mira për t’u përdorur kudo, AgroWeb.org ju këshillon të provoni glikonë me kungull.

Ndiqeni më poshtë se si ta përgatisni vetë glikonë tradicionale me kungull të freskët vjeshte.

Në mënyrë që të përfitoni shijen më të veçantë të stinës.

Përbërësit

1 kg kungull i ëmbël

1.25 kg sheqer

1 limon

2 l ujë të përzier me 250 gr gëlqere

1 l ujë

4-5 gr limontoz

Përgatitja

Për të nisur me këtë recetë AgroWeb.org ju këshillon që fillimisht të pastroni kungullin.

Hiqini lëkurën dhe priteni në copa të vogla të barabarta rreth 5-6 cm.

Më pas në një enë të thellë apo kovë përzieni gëlqeren me 2 litra ujë derisa të shkrijë.

Vendosini copat e kungullit që pretë më parë tek uji me gëlqeren dhe lërini aty të zhytura për 3 orë, duke i përzier.

Ndërkohë në një tenxhere hidhni 1 litër ujë dhe sheqerin e nevojitur dhe lëreni të ziejë për rreth 10 minuta, pak para se kungujt të mbushin 3 orëshin.

Më pas nxirrini kungujt nga gëlqerja dhe futini të ziejnë në temperaturë të ulët për 2 orë e gjysmë.

Bëni kujdes të mos i përzieni kungujt gjatë kohës që ziejnë, nëse doni t’i mbuloni me ujë mund të përdorni një lugë dhe t’i hidhni pak nga lëngu i tyre sipër.

Kur kungujt të jenë në 30 minutëshin e fundit të zierjes shtoni fetat e limonit të prera hollë, bashkë me limontozin.

Pasi zierja të mbarojë lëreni të ftohet në tenxhere dhe më pas futeni në kavanoza hermetikë e të pastër.

Lërini për pak kohë derisa të ftohen plotësisht dhe më pas mund ta ruani në një ambient të errët./AgroWeb.org