Hithra, Hudhra, Limon – Sallata e Shëndetit të Mirë

2k 0

Ngrënia e ushqimeve të stinës është një mënyrë e mirë për të qenë në harmoni me natyrën dhe për të qenë të shëndetshëm.

Ekspertët e kanë cilësuar hithrën si Qumështi i Gjelbër i Natyrës sepse ushqen dhe mbron organizmin.

Në mjekësinë tradicionale aziatike dhe jo vetëm, besohet se ushqimi është në fakt një ilaç për trupin dhe trurin.

Gjithmonë është koha për t’u përqendruar tek shëndeti i mëlçisë dhe tëmthit dhe për të konsumuar ushqime që pastrojnë, ushqejnë dhe gjallërojnë këto organe.

Hithra është një prej këtyre ushqimeve që i bën më mirë këto funksione.

Ajo është e pasur me vitaminat B, A,C,D dhe K.

Më poshtë do të lexoni dy receta interesante për ta përfshirë hithrën në gatimet tuaja.

Sallatë me Hithra, Limon, Hudhër 

Përbërësit:

  • 100 gramë hithër
  • 1 thelb hudhre
  • 5 gjethe menteje ose nenexhiku
  • Gjalpë ose vaj ulliri
  • Kripë dhe piper
  • Lëngu i një gjysme limoni jeshil.

Përgatitja:

Lajini hithrat me kujdes në një enë dhe më pas kavërdisini me gjalpë ose vaj ulliri në temperaturë mesatare.

Shtoni hudhrën dhe prisni deri sa lëngu i lëshuar të avullojë.

Përpiquni të mos i përzieni hithrat shumë me lugë dhe mundohuni që t’i trazoni duke tundur tiganin.

Pas 5 minutash hiqeni tiganin nga zjarri dhe hithrat vendosini në pjatë.

Shtoni lëngun e limonit jeshil, kripën, piperin dhe vaj ulliri.

Kjo sallatë shkon shumë mirë me gatimet me mishn, por edhe më vete.

Receta – Hithra me Uthull Molle

Përbërësit:

  • Hithër, preferohet e thatë
  • Uthull molle

Udhëzimet:

Mbusheni çerekun e një kavanozi qelqi me hithra.

Shtoni uthull molle deri sa hithrat të jenë mbuluar plotësisht.

Mbylleni kapakun dhe kavanozin ruajeni në një vend të errët për 3-6 javë.

Herë pas here tundeni kavanozin dhe kontrolloni nëse ka nevojë të shtoni më shumë uthull, sepse hithra e përthith atë.

Më pas kullojeni dhe ruajeni në një vend të freskët e në errësirë.

Uthulla me hithër kombinohet shumë mirë në gatime me barishtet dhe perimet e gjelbra.

Nëse dëshironi mund ta kombinoni edhe me borzilok, nenexhik, limon dhe vaj ulliri./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.