INSTAT: Shqipëria me Çmimet më të Larta për Ushqimet në Europë

360 0

Ndonëse jemi një nga shtetet me të ardhurat më të ulëta për frymë, Shqipëria rezulton të jetë një nga vendet me çmimet më të larta të ushqimeve në Europë, ku zërin kryesor e zënë fruta-perimeve. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, rritja e Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit në muajin Korrik 2017 është 3,0 % nga 2.2 % që ishte rritja e çmimeve për muajin Qershor.

Ritmet më të larta të rritjes së çmimeve këtë muaj i patën Lituania dhe Estonia dhe Shqipëria.

Sipas Monitor, rritja më e madhe e çmimeve prej 6,9 % vërehet në grupin “ushqime dhe pije” pasuar nga grupet “mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3,4 %, “qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1,8 %, “argëtim dhe kulturë” me 0,9 %, “pije alkolike dhe duhan” me 0,8 %, etj.

Ndërsa, çmimet e grupit “mobilje shtëpie dhe mirëmbajtje” u ulën me 1,9 %, pasuar nga grupi “veshje dhe këpucë” me 1,7 %. Në muajin Korrik 2017, ndryshimi mujor i i Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit është -0,7 %. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga ulja e çmimeve të grupit “ushqime dhe pije jo alkolike.

Në fillim të këtij viti për të ndihmuar hartimin e politikave dhe për të realizuar një krahasueshmëri sa më të mirë me vendet e tjera, në bashkërendim me Eurostat II, janë ndërmarrë hapa në drejtim të krijimit të një baze të përbashkët metodologjike të shteteve anëtare për ndërtimin dhe përdorimin e IHÇK-së, sipas Rregullores së Këshillit Europian (KE), nr. 2494/95, të datës 23 tetor 1995.

Inflacioni i Eurozonës matet mbi bazën e treguesit të IHÇK-së. Termi “i harmonizuar” nënvizon faktin që të gjitha vendet e BE-së zbatojnë të njëjtën metodologji në matjen e treguesit përkatës.

Ndryshimet e kontributit nga një tregues në tjetrin lidhen me faktin se kompozimi i peshave të mallrave brenda grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” është i ndryshëm nga një tregues në tjetrin.

Kështu, brenda këtij grupi, nëngrupi “Fruta – Perime”, ka një peshë më të madhe te shporta e IHÇK-së (12.84% e shportës totale) sesa tek ajo e IÇK-së (8.44% e totalit). Për shkak të këtij ndryshimi, kontributi i këtij grupi mallrash te totali është i barabartë me 2.5 pikë përqindje në rastin e treguesit IHÇK dhe me 1.2 pikë përqindje në rastin e IÇK-së. Ndryshime të vogla në kontribute vihen re edhe në disa grupe të tjera, por jo në madhësinë e ndryshimit të rastit të mësipërm.

Në përfundim, nëngrupi “Fruta-Perime”, ka krijuar 1.3 pikë përqindje ose më shumë se 80% të diferencës së inflacionit të matur sipas dy treguesve (3.84% kundrejt 2.38%). /AgroWeb.org