Tradita e kuzhinës shqiptare është e pasur me receta të mrekullueshme e përshtatur me produktet e freskëta të çdo stine.

E tillë është receta e përgatitjes së japrakëve me gjethe rrushi.

Një specialitet fantastik dhe i hershëm i amvisave shqiptare, i trashëguar brez pas brezi e që të përfshin tërësisht me shijen e tij.

Japrakët mund të përgatiten si meze për të shoqëruar gjellë, supa apo gatime të tjera, por mund të konsumohen edhe si drekë apo darkë e lehtë shoqëruar me sallata të freskëta të stinës.

AgroWeb.org ju sugjeron më poshtë recetën e përgatitjes së kësaj recete krejt lehtë në shtëpi .

Përgatitja e Japrakëve me Gjethe Rrushi

Përbërësit

(Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona)

40 copë gjethe rrushi

5-6 qepë të njoma

1 filxhan çaji oriz

Kripë

Një tufë majdanoz

Kopër

Nenexhik

2 filxhanë kafeje vaj ulliri

Lëngu i një kokrre limoni

Një filxhan çaji me mish të grirë  

Përgatitja

Për përgatitjen e kësaj recete, AgroWeb.org ju udhëzon të zgjidhni gjethe rrushi të mëdha dhe të njoma.

Si fillim, gjethet e rrushit pastrohen dhe zihen në ujë të valuar për 8-10 minuta.

Më pas, kullohen dhe hapen sa janë të nxehta pasi nëse ftohen ngjiten me njera tjetrën.

Në vijim, AgroWeb.org ju udhëzon të merrni qepët e njoma dhe ti grini hollë.

Kaurdisini në vaj ulliri derisa volumi i tyre të bjerë, më pas shtoni orizin dhe mishin e grirë nëse preferoni, kaurdisini të gjitha bashkë e më pas shtoni kripën, koprën, nenexhikun.

Disa amvisa krahas erëzave shtojnë edhe një grusht spinaq të grirë ose lëpjetë.

Kaurdisini në disa minuta, largojini nga zjarri dhe nisni përgatitjen e mbushjes së gjetheve të rrushit.

Secilës nga gjethet e rrushit, i pritet bishti dhe në mes vendoset një lugë gjelle nga mbushja me oriz.

Në fillim mblidhen anët dhe rrotullohen në formë roleje.

Vihen në tenxhere ku keni shtruar disa fletë rrushi.

I hidhet kripë, një gotë e gjysmë me ujë, vaj ulliri, i vihet një pjatë sipër dhe lihen që të zjejnë derisa japrakët të thithin të gjithë ujin.

Pasi të jenë gati, kur shërbehen japrakët spërkaten me lëng limoni dhe nëse preferoni për më shumë shije me disa pika gjalpë të freskët të shkrirë./AgroWeb.org